Politike

Skenari i mandateve, nga refuzimi i listës PD-LSI te përfitimi i PS-së


Bledar Hoti - Dorëzimi në bllok i mandateve të deputetëve të opozitës një vendim ekstrem që nuk ka ndodhur ndonjëherë në demokracinë shqiptare mund të sjellë që Parlamenti të kthehet me përfaqësimin e vetëm të një partie politike.
Kjo mund të ndodhë në rast se të gjithë kandidatët e opozitës, të PD-së dhe LSI që janë në listën e shumemërore të refuzojnë marrjen mandateve. Por skenari i djegies së mandateve po shoqërohet edhe me frikën brenda lidershipit të PD-së dhe LSI-së se pjesa e mbetur në listën shumemërore që nuk kanë dalë fitues në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 mund të refuzojnë që dorëzojnë mandatin e deputetit.

Procedura sipas Kodit
Kodi Zgjedhor ka parashikuar një procedurë të posaçme për mënyrën e dorëzimit të mandatit të deputetit. Dorëzim i mandatet kërkon një procedurë individuale, pra nuk është se realizohet me deklarata kolektive. Çdo deputet duhet të paraqesë kërkesën individuale për dorëzimin e mandatit pranë Kuvendit, konkretisht në Këshillin Për Rregulloren Imunitetin dhe Mandatet. Normalisht jo më vonë se 30 ditë Kuvendi njofton KQZ-në për krijimin e kësaj vakance. Një procedurë e tillë është ndjekur me rastin e dorëzimit të mandatit të deputetit nga ish-ministri Saimir Tahiri apo nga demokrati Eduard Halimi.


Neni 164 i Kodit Zgjedhor parashikon që mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e atyre që janë të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
Kjo procedurë kërkon kohë nga pikëpamja teknike, pasi mund të zgjasë më shumë se dy muaj. Në listën shumemërore të Partisë Demokratike për zgjedhjet e qershorit 2017 janë regjistruar 194 kandidatë për deputetë për 12 qarqet e Shqipërisë.
PD-ja si subjekt politik mori 43 mandate, e mbi bazën e saj, procedura e zëvendësimit të mandatit të deputetit do të zbatohet për 151 kandidatët e tjerë që janë në listë. Në listën shumemërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim figurojnë 146 kandidatë. Kjo parti mori 19 mandate, ndërsa një vakancë deputeti është ezauruar me largimin e Gledion Rehovicës. Kështu lista e përfituesve për t’u bërë deputet nga radhët e LSI-së është më e gjatë pasi janë 126 kandidatë që presin.

Faksimile e listës së PD-së së publikuar nga ana e KQZ-së


Skenar i marrjes së mandateve nga PS
Neni 164 i Kodit Zgjedhor në pikën katër ka parashikuar se nëse një parti politike refuzon që të marrë mandatet, si dhe kur i ezaurohet e gjithë lista shumemërore e deputetëve, atëherë përfitues janë partitë e koalicionit zgjedhor. Por në zgjedhjet e fundit parlamentare as PD, as LSI dhe PS nuk dolën në koalicione politike, por të gjithë garuan si subjekte politike më vete.
Në këtë situatë, ligji zgjedhor parashikon një zgjidhje tjetër, me qëllim për të mos krijuar vakancat në Parlament apo në Këshillat bashkiakë. “Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”, thuhet në pikën 4 të nenit 164.
Kështu mbi bazën e përcaktimit të dhënies së mandatit të partisë me numrin e votave më të mëdha, ose përqindjen e tyre më të madhe, i bie që mandatet e opozitës në Parlament t’i kalojmë Partisë Socialiste. Partia në pushtet është subjekti politik që përfiton nga ky përcaktim ligjor.


PS për zgjedhjet parlamentare të 2017 depozitoi listën me 137 kandidatë për deputetë. Nga rezultatet e zgjedhjeve ajo fitoi 73 deputetë, ndërsa 64 të tjerë janë në listën si kandidatë potencialë për t’u bërë deputetë, e kjo në rast se 279 kandidatët e PD-së dhe LSI-së refuzojnë të marrin mandatin e deputetit që do ta lëshojnë 59 deputetët e opozitës.
Faktin e marrjes së mandateve të opozitës nga ana e PS-së e pranon edhe vetë nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, ai në një intervistë televizive. “Nëse Partia Demokratike do të kishte hyrë në koalicion parazgjedhor, – por po të kujtoni në zgjedhjet e vitit 2017 partitë hynë të gjitha individualisht, – koalicion ky i regjistruar, atëherë mandatet do t’i shkonin partisë së dytë me herësin më të lartë. Por në këtë rast nuk ekziston. Duke mos pasur një të tillë, partia me herësin më të lartë në Kuvend, mbetet Partia Socialiste. Nëse të gjithë kandidatët në listën prej 194 vetësh do të refuzojnë të marrin mandatin, atëherë do t’u vijë radha individëve të listës së Partisë Socialiste. Edhe këta të fundit kanë të drejtë gjithashtu të mos pranojnë. Nëse ndodh kështu, radha do t’i takojë partisë Lëvizja Socialiste për Integrim”, shpjegoi më tej eksperti Denar Biba.
Por nëse PS refuzon, atëherë i takon që mandatet t’i marrin PDIU me përqindjen më të lartë të votave dhe më pas Partia Libra e themeluar nga ish-deputeti i PS-së, Ben Blushi.

Rezultatet e zgjedhjeve te fudnit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë