Politike

Rama: Nuk besoj se PD djeg mandatet. Basha po luan bllofin


Dy ditë pas protestës së opozitës, mazhoranca ka zhvilluar mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, për të diskutuar mbi aksioni politik që do të ndërmarrin përballë zhvillimeve të kampit opozitar.
Fillimisht kryesocialisti ka zhvilluar një takim më vetë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, për të biseduar mbi situatën e re politike të krijuar, ku opozita është në prag të marrjes së vendimit për të dorëzuar mandatet e deputetëve.

Sa i përket protestës së opozitës, mësohet se kryesocialisti ka përgëzuar punën e bërë nga ana e policisë, e cila sipas tij synonte destabilizim të vendit.

“Le ta përgëzojmë e falenderojmë të gjithë së bashku Ministrin e Brendshëm e përmes tij drejtuesit e punonjësit e Policisë së Shtetit për menaxhimin e shkëlqyer të një proteste të gatuar për dhunë e për destabilizim. Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt të ndryshëm sjelljeje të pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal të atyre që dje vranë protestuesit, sot duan të vrasin shpresën europiane të shqiptarëve”, ka deklaruar Rama.

Opsioni i hedhur nga ana e kryedemokratit Lulzim Basha ka qenë në pjesë e diskutimeve dhe sipas burimeve pranë PS-së mësohet se kryesocialisti i ka kërkuar deputetëve socialistë që të vazhdojnë punën për përgatitjen e zgjedhjeve lokale, pavarësisht qëndrimit të opozitës. Kjo deklaratë nënkupton se mazhoranca nuk ndryshon qëndrim, edhe pse opozita ka kërkuar që të mbahen zgjedhje parlamentare të parakohshme.
“Organizim për zgjedhjet vendore pavarësisht se çfarë bën opozita. Sidoqoftë ne do të ecim drejt, duke dëgjuar njerëzit, duke e përmirësuar çdo ditë qeverisjen, duke u organizuar më mirë se asnjëherë për zgjedhjet vendore. Hyjnë, nuk hyjnë ata në zgjedhje, që unë them që do hyjnë pasi të bëjnë sikur nuk hyjnë deri në minutën e fundit, ne duhet të fitojmë jo thjesht votat e shumicës, por zemrat e besimin edhe të më shumë qytetarëve se sa herën e shkuar. ”, mësohet të ketë thënë kreu i PS.
Gjithashtu burimet bëjnë të ditur se kryesocialisti i ka cilësuar si lojëra politiket opozitës tezën e hedhur për djegien e mandateve.
“Opozita dështoi me sukses të plotë në orvatjen e saj të dëshpëruar dhe tani premton djegie mandatesh. Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashës, pra një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve të qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë por luan blofin. Unë nuk besoj se opozita do gjejë konsensus për të djegur e mandatet. Ne duhet të përmirësohemi. Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne”, mësohet se ka deklaruar kryesocialisti.
Kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme është një opsion i papranueshëm nga ana e PS-së. Vetë kryeministri Rama e ka paralajmëruar qëndrimin e tij në intervistën e dhënë në të përditshmen italiane Corriere della Sera.
Deputetët e PS: Parlamenti legjitim
Pas mbledhjes së Grupit, deputetët socialistë kanë deklaruar për median se pavarësisht qëndrimit të opozitës, Parlamenti e ka mazhorancën për të funksionuar. “Parlamenti funksionon kur ka shumicën, 50+1. Nëse është numri i votave për të miratuar ligjet parlamenti funksionon, çfarë ka”, tha deputeti Pjerin Ndreu.
Por një nga deputetët më të vjetër të PS-së, Musa Ulqini ka një mendim ndryshe nga kolegët e tij, duke theksuar se aksioni i PD-së i bojkotit apo i djegies së mandateve nuk është i vlefshëm.
Ai deklaroi se mandatet janë të popullit dhe se verdikti i qytetarëve duhet të respektohet. “Edhe partia ime ka provuar forma jashtë parlamentit dhe asnjëherë nuk ka funksionuar. Mundësitë maksimale janë brenda parlamentit”, u shpreh Ulqini.
Ndërkohë, deputeti Arben Kamami thotë se edhe nësë digjen mandate e opozitës, nuk krijohet asnjë problem. "Mandatet do t'i pranojnë ata që vijnë pas tyre në listën e kandidatëve të PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit 2017", u shpreh Kamami për mediat.

Ndërsa deputetja socialiste Klotilda Bushka deklaroi se nuk ka vend për zgjedhje të parakohshme. Mazhoranca së bashku me tre deputetët e PDIU-së dhe Tom Doshin ka 78 mandate në Parlamentin shqiptar.

Rama: As dorëheqje, as zgjedhje! Opozita në krizë!

Më herët, në një intervistë dhënë për "Corriere Della Sera", Kryeministri Edi Rama përjashtoi dorëheqjen, e po ashtu edhe zgjedhjet e parakohshme. Ai minimizoi protestën e opozitës dhe foli për një krizë të thellë në të cilën është futur kjo e fundit.

“Në Shqipëria nuk po ndodh asgjë. Ajo që dihet është një krizë e thellë e opozitës, që nuk është në gjendje që të sfidojë qeverinë politikisht. Kjo minorancë është më e dobët në krahasim me zgjedhjet e 2017 dhe nëse shkojmë në në zgjedhje nesër do të merrte më pak vota”, deklaroi Rama.

“As që e mendoj dorëheqjen. Populli më ka dhënë një mandat të qartë dhe kemi një mazhorancë të pastër në Parlament. Unë kam një detyrë përballë qytetarëve të mi dhe nuk jam i detyruar që të zbatoj kërkesat e pakicës parlamentare. I vetmi detyrim i imi është respektimi i kontratës që kam me popullin shqiptar që na dha votën për të qeverisur", tha Rama.

Rama qetëson investitorët e huaj dhe veçanërisht ata italianë, duke qenë se intervista jepet për një media italiane.

“E vetmja arritje e protestës ishte përhapja e një imazhi negativ me një dhunë absurde dhe rezultat zhgënjyes. E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë e instaluar në lulishten e Kryeministrisë”, tha ai.

Por, për një tjetër protestë Rama ndan një tjetër këndvështrim. I pyetur mbi manifestimet studentore në javët e fundit të vitit të kaluar dhe në ditët e para të këtij viti, Rama thotë se studentët denoncuan problematika reale dhe për këtë Qeveria i dëgjoi dhe mblodhi kërkesat e tyre.

Kryeministri pranon se vendi ka probleme me trafikun e drogës, por kujton raportin e 2018 të Guardia di Finanzia mbi luftën kundër haashashit. “Rezultatet janë spektakolare përsa i takon luftës së qeverisë time kundër këtij fenomeni”, deklaron Rama.

Rama njeh si problematikë edhe korrupsionin, por edhe në këtë rast garanton median italiane se qeveria e tij po maksimumin për ta çrrënjosur. Në kuadër të kësaj lufte, Rama thotë se është ndërmarrë edhe reforma në drejtësi, ndërsa shton se po punohet me kuadrin ligjor për t’i dhënë imunitet administratës publike ndaj rryshfetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë