Politike

Djegia e mandateve, sfidat e PD dhe dy shembuj nga tranzicioni

Pjesëmarrja në protestën e 16 shkurtit kënaqi Lulzim Bashën dhe ashtu siç ne si gazetë paralajmëruan disa ditë para kësaj proteste, kryetari i Partisë Demokratike propozoi pasditen e së dielës vendimin ekstrem për të djegur mandatet e deputetëve në grup.

Propozimi mori miratimin unanim nga grupi parlamentar demokrat. Djegia e mandateve artikulohet për herë të parë dhe publikisht nga Lulzim Basha, por si opsion ka qenë vazhdimisht në tryezat e forumeve drejtuese të Partisë Demokratike, ngritur shpesh nga Sali Berisha.

Ish-Kryeministri propozonte këtë formë ekstreme proteste që në vitin 2015, fill pas zgjedhjeve për pushtetin vendor të 21 qershorit të atij viti. Vendimin e interpretonte si kundërvënie ndaj vjedhjes masive të votës. Në atë kohë akuzonte aleancën PS-LSI.

Më pas, më 18 dhjetor të 2017, ditë kur Arta Marku zgjidhej në krye të Prokurorisë së Përgjithshme si e përkohshme Berisha e përsëriste dhe më fort këtë opsion. Opozita protestonte brenda dhe jashtë Kuvendit. “Mijëra qytetarë kanë ardhur nga gjithë Shqipëria të mbrojnë vendin e tyre, Kushtetutën e tyre. Në Parlament duhet të ketë vetëm një gjuhë, djegien solemne të mandateve”, shprehej ish-Kryeministri.

Berisha përsëriste të njëjtën gjë në shtator të 2018, por ishte i vetmi zë publik që e artikulonte dhe për më tepër, LSI, që tani e kishte në krah e kundërshtoi si të nxituar këtë hap. Në dhjetor të 2018, Ervin Salianji ishte zëri tjetër brenda PD-së që doli në krah të ish-kryetarit të kësaj partie.

Tani dilema e madhe është se çfarë do të pasojë lënian e mandateve në grup? Vendimi do të ketë një ndikim të madh në dy drejtime. Së pari brenda vetë Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi.

Sinjalet e para në krah të Lulzim Bashës janë dhënë. Deputeti i qarkut të Dibrës, Xhemal Gjunkshi ishte i pari që e mbështet këtë hap ekstrem. Ai thotë se është vendimi i duhur në kohën e duhur. Edhe emra më të zëshëm në PD, si Agron Shehaj kanë nënkuptuar mbështetjen megjithëse ai nuk përmend termin “djegie mandatesh”.

Mbështetjen për këtë vendim Basha e ka marrë edhe nga një pjesë e aleatëve. Agron Duka, si kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste dhe PDIU janë pro, por as PAA dhe as PDIU nuk kanë ç’të humbin nga ky vendim, pasi s’kanë asnjë deputet në Parlament. Me LSI-në gjërat janë ndryshe. Propozimi i Bashës, edhe pse u bë publik pas një takimi me Monika Kryemadhin, sërish duket se e ka zënë të papërgatitur këtë forcë politike. Kryemadhi doli me një deklaratë, ku i thotë Ramës se “nuk ka parë gjë akoma”, por nuk flet për djegie mandatesh.

Ndërkohë, aleatët si Fatmir Mediu i PR, Dashamir Shehi i LZHK, Nard Ndoka, apo Vangjel Dule i PBDNJ që të tre të dalë deputetë nga listat e PD-së i dhanë mbështetjen Lulzim Bashës. Në një konferencë të përbashkët në përfundim të një takimi me kreun demokrat në selinë e PD-së, fjalimi i shkurtër i Dashamir Shehit përmblodhi qëndrimin e të gjithë aleatëve.

“Sa kohë të jetë Rama atje, ne do të na keni këtu që të gjithë bashkë. Kjo është ajo, përsa kohë të jetë Rama atje, ne do të jemi këtu. Pastaj nuk i dihet”, deklaroi Shehi.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/2088137384601458/

Por djegia e mandateve mund të përçajë vetë Partinë Demokratike, pasi edhe nëse Lulzim Basha arrin që të bindë të gjithë deputetët dhe forumet drejtuese të partisë që të dorëhiqen, duket mision i pamundur bindja të gjithë emrave pasues nëpër qarqe nga lista shumëemërore e PD-së në zgjedhjet e 2017.

Si shembull. Nëse Astrit Veliaj dorëzon mandatin që mori në Berat pasi dorëheqjes së Eduard Halimit, lista zhvendoset tek një emër interesant. Ai është Lefter Maliqi. Ky i fundit nuk është më pjesë e Partisë Demokratike, por as i pavarur. Maliqi ka kaluar në krah të socialistëve dhe aktualisht mban postin e nëndrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Lefter Maliqi ne nje foto me Lulzim Bashen

Rasti i Maliqit është unik, por në qarqe të tjera ka edhe emra të tjerë, të cilët ose janë kritikues ndaj linjës së Bashës në krye të PD-së, ose janë tërhequr nga angazhimi publik për Partinë Demokratike. Prandaj, nga zhvendosjet e listave shumëemërore nëpër qarqe mbetet për t’u testuar besnikëria e emrave, që Basha i përfshi në listat shumëemërore në zgjedhjet e 2017.

Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 164 ndërprerjen e mandatit dhe plotësimin e vakancës. Parashikimi është i hollësishëm dhe i qartë, kur thotë se mandati i kalon personit tjetër në listën shumëemërore të partisë apo koalicionit përkatës. Në këtë rast, koalicionet përjashtohen, pasi në zgjedhjet e 2017 nuk pati koalicione.

Kodi përcakton se nga momenti që deputetët e Partisë Demokratike dorëzojnë dorëheqjen, Kuvendi ka 30 ditë kohë që të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakancat e krijuara. KQZ vihet në lëvizje dhe plotëson vakancat me emrat pasaardhës në listat shumëemërore sipas qarqeve. Kandidatët njoftohen nga ana e KQZ-së dhe vendimi i këtij institucioni botohet në Fletoren Zyrtare. Të sapoemëruarit kanë 30 ditë kohë nga marrja e këtij njoftimi dhe botimit në Fletoren Zyrtare që të betohen në Kuvend.

Por, nëse kjo nuk ndodh? Këtu KQZ dhe vetë Kuvendi do të hynin në një hapësirë ligjore të pashkelur më parë, pasi djegia e mandateve nuk ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Kodi Zgjedhor nuk e parashikon se kujt i kalon mandati i një deputeti të një partie të caktuar nëse shterohet e gjithë lista me emrat që e zëvendësojnë. Ky është debati që ka nisur deri tani.

"Djegia e mandateve është veprim ekuivalent me dorëheqjen ndaj një mandati të caktuar. Pra është një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor. Nëse realizohet do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakanca dhe për këtë njoftohet KQZ për të plotësuar vakancat. Mënyra si ndodh më pas nuk është shprehur në Kodin Zgjedhor por për analogji mund të merret rasti i vakancës së krijuar nga një deputet i pavarur. KQZ do të thërrasë anëtarët kandidatë të PD-së në listë dhe asnjëri prej tyre nuk do të pranojë që të marrë mandatin, ky institucion duhet t’ja ofrojë subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka”, propozon Kume.

Hapi i fundi është marrja e miratimit nga Kryesia dhe forumet e tjera drejtuese të PD-së dhe dorëzimi në grup i mandateve në komisionet parlamentare. Ky do të ishte precedenti i parë në të gjithë historinë e Parlamentit shqiptar. Se çfarë synon të arrijë opozita me këtë veprim koha do ta provojë, por dy precedentë nga historia 30-vjeçare e pluralizimit shqiptar na sjell dy shembuj. I pari ishte pas zgjedhjeve të vitit 1991. Partia Demokratike në atë kohë nuk dogji mandatet, por as në Kuvend nuk hyri. Ajo vazhdoi protestat në rrugë e sheshe deri në zgjedhjet e vitit 1992 që e sollën në pushtet.

Rasti i dytë vjen nga viti 1996. Partia Socialiste nuk dogji mandatet, por nuk hyri në parlament pas zgjedhjeve të këtij viti. Ajo organizoi protesta në mbarë vendin dhe në vitin 1997 erdhi në pushtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë