Sport

Skandali në Greqi, kampionia olimpike denoncon abuzimin seksual nga zyrtari i federatës

Një skandal ka shpërthyer së fundi në sportin grek. “CNN”, por edhe shumë media greke, bëjnë me dije se kampionia olimpike e lundrimit me barkat me vela, Sofia Bekatorou, ka zbuluar së fundi abuzimin seksual ndaj saj në 1998-ën nga një zyrtar i lartë i Federatës Greke të Lundrimit (HSF).

Bekatorou nuk e përmend emrin e personit që ajo akuzon, ndërsa të shtunën, Aristides Adamopulos, nënkryetar i bordit të HSF-së, dha dorëheqjen. "Ankesat kundër meje, të bëra nga një figurë publike, me njohje të madhe dhe ndikim të gjerë shoqëror, me siguri do kenë interesin e publikut, do krijojnë ndjenja dhembshurie për ankuesin dhe neveri për 'autorin e pretenduar'" – shprehej Adamopolous në një deklaratë, ku bënte thirrje për një proces të rregullt ligjor.

Sofia Bekatorou, duke mbajtur flamurin grek në Lojërat Olimpike. Gazeta Si, 17 janar 2021

Sofia Bekatorou ka thënë se sulmi ndaj saj ka ndodhur në vitin 1998, gjatë përgatitjeve për Lojërat Olimpike të Sidneit, që u zhvilluan dy vite më pas. Ajo është një nga sportistet më të njohura në Greqi, ka fituar medalje ari në lundrimin me vela në Lojërat Olimpike të Athinës 2004, si dhe medalje bronzi 4 vjet më pas në Pekin. Tani ajo është 43 vjeç.

Sipas rrëfimit të Bekatorou, një zyrtar kreu një "akt të pahijshëm", pasi e ftoi atë në dhomën e hotelit për të diskutuar për përgatitjet përpara Olimpiadës së Sidneit. Ish-sportistja ka saktësuar se akti nuk ishte konsensual. Ajo i ka bërë publike akuzat pak ditë më parë, gjatë një forumi të organizuar online nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve në sport.

"Unë thashë “jo”, e përsërita që nuk doja të vazhdoja. Ai tha se do të ndalej, nëse nuk doja, por nuk e bëri. Duke qarë u largova nga dhoma”, - ka treguar më tej ish-sportistja. HSF bëri me dije se kurrë nuk kishte marrë një ankesë zyrtare ose jozyrtare nga Bekatorou. Kjo federatë e nxiti Bekatorou të jepte detaje specifike sa i takon dhunës së pretenduar seksuale.

Sofia Bekatorou, kampione olimpike në Olimpiadën e Athinës 2004. Gazeta Si, 17 janar 2021

Ngjarja ka sjellë reagime të forta publike në Greqi, ku atletë, politikanë dhe figura të larta publike, e kanë quajtur një turp atë që ka ndodhur. "Për të ruajtur prestigjin e federatës, nderin dhe reputacionin e sportistëve, trajnerëve dhe aktorëve në këtë sport, si dhe për të lehtësuar hetimin, kërkuam dorëheqjen e nënkryetarit të bordit, Aristides Adamopulos". Ky është qëndrimi zyrtar i federatës.

Një tjetër anëtar i bordit të lartë të HSF, Yiannis Papapiditriou, ka paraqitur dorëheqjen, në mbështetje të Bekatorou. Gjithashtu, pasi tha se kishte biseduar me Bekakorou, kryeministri grek Mitsotakis vlerësoi guximin e saj për të folur hapur. "Sofia me trimëri theu zinxhirin e frikës dhe heshtjes, duke treguar rrugën që faji të kalojë nga viktima te autori i krimit", - ka shkruar Mitsotakis në faqen e tij në Facebook.

Mediet greke bëjnë me dije se Prokuroria e Athinës do të urdhërojë një hetim paraprak të hënën, me Bekatorou që pritet të dëshmojë gjatë javës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë