Ne rrjet

Sirianët kërkojnë azil edhe në Shqipëri

Kur u arratis nga Siria me katër vajzat e tij, Said Dabash nuk e ëndërronte të vendosej në Shqipëri. Por shpresat e 45-vjeçarit për të arritur Gjermaninë u shuan nga moti I keq, lodhja dhe rraskapitja. Tani si mijëra emigrantë dhe refugjatë të tjerë, ai ka paraqitur një kërkesë për azil në vendin tonë i cili po bëhet gjithnjë e më i mbingarkuar nga fluksi i refugjatëve.

"Nuk mund të vazhdoj më rrugën, nuk kam forcën dhe vullnetin e 25-vjeçarëve", thotë Dabash, punëtor ndërtimi nga Aleppo. Ai vëzhgon katër vajzat e tij tek luajnë jashtë qendrës se azilkërkuesve në rrethinat e Tiranës, ku po jetojnë në harresë prej disa muaj pas ikjes nga Siria në mars të vitit 2017. Kërkesa e tij për azil në vendin tonë vjen në një periudhë mjaft të keqe për Shqipërinë.

“Deri në gusht të këtij viti, në Shqipëri ka pasur 3.000 aplikime për azil, krahasuar me 307 kërkesa që janë paraqitur gjatë gjithë vitit 2017”, thotë Pablo Zapata, zyrtar nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Megjithatë, jo të gjithë ata që aplikojnë për azil planifikojnë të qëndrojnë në vendin tonë për një periudhë afatgjatë.

Refugjatët kapen nga policia shqiptare pranë Gjirokastrës

“Pas kapjes nga autoritetet shqiptare dhe disa muajve pushim, shumë prej tyre tërheqin ose pezullojnë kërkesatt për azil për të vazhduar udhëtimin e tyre drejt BE-së", thotë Erida Skendaj, kryetarja e të Komitetit të Helsinkit në Shqipëri.

Disa të dërguar të BE-së në Tiranë thonë se vendi ynë po "abuzon" me sistemin e azilit, ndërsa Ministria e Brendshme e Shqipërisë thotë "nuk po shqyrtohen më shumë se 500 raste të vërteta azili". Por për të dobëtit, të moshuarit dhe ata si Dabash që udhëtojnë me fëmijët e vegjël, perspektivat për të vazhduar udhëtimin e rrezikshëm drejt veriut po shuhen dita-ditës

Vendet që ndodhen afër perimetrit të Europës Perëndimore kanë forcuar kontrollet kufitare. Në rrugën e mëtejshme në veri të Bosnjës, emigrantët ndeshen me policinë që i ndalon të hyjnë në Kroaci, anëtarja më e afërt e BE.

Refugjatët në Shqipëri

Rreziqe të mëdha

Autoritetet shqiptare janë të shqetësuara se forcimi i kufijve të BE-së do të sjellë bllokimin  e shumë emigrantëve në vendin e tonë për një kohë të pacaktuar.

"Shqipëria nuk ka kapacitet për të strehuar një numër shumë të madh azilkërkuesish dhe t'u ofrojë atyre shërbime në përputhje me standardet e BE-së", tha zëvendës ministrja e brendshëm Rovena Voda, duke shtuar se Tirana zyrtare ka kërkuar më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian.

Ndryshe nga viti 2015, Shqipëria është bërë tanimë një vend tranzit në shtegun e ri ballkanik që po përshkruajnë refugjatët për të mbërritur në Europën Perëndimore. Udhëtimi i përfshin shpesh kalimin nga Turqia në Greqi, për të shkuar më pas drejt veriut të Ballkanit, ku refugjatët përpiqen të arrijnë në kufirin kroat.

Refugjatët në Shqipëri

"Rruga është e vështirë, e pjerrët dhe malore ai në Shqipëri, ashtu edhe në Mal të Zi apo Bosnje ... rreziqet janë të mëdha", thotë Enes Kaddourei, një 27-vjeçar maroken që shpreson të largohet sa më shpejt nga Shqipëra për të arritur në Belgjikë. Vendi ynë aktualisht nuk ka baza të tjera për strehimin e emigrantëve, përvec qendrës së pritjes në Babrru, e cila ka vend për 200 persona.Emigrantët e tjerë përdorin kursimet dhe asistencën e azilit për të marrë me qira apartamente të lira.

Shqipëria ka refuzuar të krijojë "qendrat e kthimit" të propozuara për emigrantët që janë refuzuar nga blloku europian, por nuk mund të detyrohen të kthehen me forcë në shtëpi pa një marrëveshje ripranimi. Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar idenë e dhënë nga disa vende si Austria, duke thënë se emigrantët nuk ishin "mbetje toksike".

Shqipëria ka nevojë për ndihmë

Por problemi po shkon shumë larg. Që nga janari i vitit 2018, policia ka kapur 800 migrantë çdo muaj, të cilët udhëtojnë nga Greqia në Shqipëri. Në fillim të tetorit, u nënshkrua një marrëveshje për të siguruar asistencë nga Frontex për patrullimin e kufijve.

Refugjatët në Shqipëri

"Deri tani kemi arritur të përballojmë të vetëm fluksin e emigrantëve, por nëse situata përkeqësohet, do të jetë e vështirë të mbajmë situatën nën kontroll pa ndihmën e vendeve të BE", thotë Voda.

26 vjeçarja siriane Ritag Al Rifai, dhe burri i saj palestinez Osama al Sadik, janë bllokuar po ashtu në vendin tonë për një periudhë të pacaktuar. Pas mbërritjes në Shqipëri në gusht të këtij viti, ata nuk arritën të përparonin më tej në veri përmes Malit të Zi.

Gjashtë muajshe shtatzënë, Ritag jeton tanimë me burrin e saj në qendrën e azilit në Babrru, ku po lënë në harresë dita-ditës ëndrrën për të arritur në Holandë.

"Nuk mendoj se do të largohemi", tha Osama. "Zoti duket se do që ne të qëndrojmë këtu." /France 24/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë