Rend dhe Ligj

Siguria publike dhe operacionet policore, Balla prezanton rezultatet e Policisë së Shtetit

Gazeta Si - Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike, do të vijojnë të jenë prioritet kryesor sipas ministrit të Brendshëm Taulant Balla.

Në eventin e zhvilluar këtë të mërkurë, “Siguri, vlerësim dhe mbështetje”, Balla prezantoi masat e reja ligjore për rritjen e sigurisë publike dhe rezultatet e Policisë së Shtetit.

Ai tha se gjatë këtij sezoni turistik, bregdeti i Shqipërisë u bë një “trend” nga turistët e huaj, ku nga shifrat, thuhet se mund të arrijnë deri në 10 milionë deri në fund të dhjetorit.

Sipas ministrit Balla, Shqipërisë i është pastruar imazhi, kjo për shkak edhe të policisë, për të ndihmuar dhe mbrojtur turistët.

“Gjatë këtij sezonit turistik, kanë kryer shërbim në zona turistike/plazhe mbi 1600 punonjës policie, pothuajse 1/6 e gjithë forcës sonë të disponueshme policore. Duhet ta kemi të gjithë parasysh një fakt, tek i cili duhet të bazohet një mbështetje edhe më e madhe dhe e merituar për Policinë e Shtetit, jo vetëm sa i përket trajtimit financiar. I gjithë ky fluks gjatë vitit 2023, me 30% më shumë sesa një vit më parë, është përballuar nga e njëjta trupë policore”, tha ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Për sa i përket megaoperacionit “Tempulli”, i quajtur operacioni kombëtar më i  madhi i zhvilluar ndonjëherë, ende vijon me qëllimin për sigurinë në shkolla, mbrojtjen e fëmijëve nga drogat e llojeve të ndryshme.

“Policia e Shtetit ka arritur rezultate domethënëse edhe në këtë drejtim me 57 operacione policore, 180 mijë rrënjë kanabis të asgjësuara në 100 ditët e fundit, mbi 1 ton lëndë narkotike kanabis e sekuestruar, rreth 9.5 kg lëndë narkotike kokainë, 11 300 tableta ekstazi të sekuestruara”, tha Balla.

Ai u ndal edhe te procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit ka të bëjë me largimin nga pozicioni i tyre persona të cilët janë të lidhur me shkeljen e etikës apo ligjit.

Gjatë fjalës së tij, Balla tha se tashmë ka një standard të ri për punonjësit e policisë, teksa vlerësoi punën dhe angazhimin e Policisë së Shtetit.

Më tej ministri shtoi se puna e policisë nuk do të ndalet në asnjë moment dhe se në fokus do të jenë grupet kriminale dhe çmontimi i tyre.

“Thirrja ime sot ndaj të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit kërkoj angazhimin maksimal. Besimi tek Policia e Shtetit duhet të avancojë në mënyrë të dukshme. E ardhmja nuk mund të krahasohet me të shkuarën”, tha ai.

Balla është shprehur se po kryhen hetime komplekse nën drejtimin e SPAK apo prokurorive në rrethe do të çmontojnë grupe të përfshira në ngjarje të rënda, si vrasje, apo trafiqe e pastrime parash.

Ai theksoi se kush nuk është dakord me urdhrin apo vendimin e punonjësit të policisë të marrë avokatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë