Keshilla

Si të vazhdojmë terapinë e fëmijëve që s’flasin qartë, edhe në situatën e Covid-19?

Në këtë situatë karantinimi, shumë fëmije nuk e kanë mundësinë të marrin shërbime terapeutike logopedike. Në këto kushte, prapë, edukimi i fëmijës për një komunikim të qartë dhe të kuptueshme, duhet të vazhdojë. Logopedistja Silvana Gjoni, jep disa këshilla sesi ta realizoni këtë proces në shtëpi, me fëmijën tuaj, duke pasur udhëzime specifike nga terapisti. Kështu, nuk do lini pas dore shërbimin logopedik, por me anë të një programi të caktuar, mund të ndiqni këto këshilla të cilat janë të vlefshme për të gjithë fëmijët që kanë çrregullime artikulimi(defekte shqiptimi).
Kur fëmija arrin një moshë të caktuar shumë prindër, shqetësohen nga defektet e artikulimit. Logopedistja Gjoni tregon si shembull kur fëmija në moshën 8 vjeçare nuk arrin të artikulojë siç duhet shkronjën SH, RR etj. Zakonisht, prindërit nuk shqetësohen kur fëmija është i vogël, por kur ai rritet dhe bëjnë krahasimin me fëmijët e tjerë, fillojnë reagimet e para.
Gjithsesi, e mira është që trendi i këtyre kohëve është që fëmija të monitorohet gjatë gjithë kohës me anë të vizitave dhe konsultave të herëpashershme tek profesionistët që merren me fëmijët. Ndërhyrja e hershme është kyçe për të arritur rezultate të shpejta, sa më herët të diagnostikohen këto probleme, aq më mirë do jetë dhe aq më frytdhënëse do të jetë terapia.

Silvana Gjoni, logopediste

Gjoni shpjegon se terapia logopedike për korrigjimin e tingujve është e strukturuar në hapa, secili terapist zgjedh nga do fillojë, në varësi të ecurisë në dukje të fëmijës. Ekspertja tregon se në hapa të përgjithshëm, ajo që ju do prisni nga terapia është:
1- IZOLIMI - Në fillim do të bëhet izolimi i tingullit problematik. Tingulli korrigjohet pa u shoqëruar me ndonjë zanore. Për shembull, nëse tingulli problematik është S, përsërisni /S/, /S/ disa herë përpara se ta kaloni atë në rrokje. Nëse nuk e arrini diçka të tillë, vëreni nëse ka diçka problematike në mënyrën sesi poziciononi gjuhën.
2- RROKJET - Tani, pasi keni korrigjuar tingullin veçmas, mund ta kaloni atë në rrokje, zanorja duhet të jetë para dhe pas tingullit problematik. Për shembull: AS, YS, SA, SI, ASA, OSO, ISI etj.
3- FJALA - Tashmë, kur e keni arritur të masterizoni tingullin dhe rrokjet me tingullin problematik, mund të kaloni tek fjala që përmban atë tingull. Mundohuni të gjeni në proporcion të njëjtë, fjalë që përmbajnë tingullin në fillim, mes dhe fund të fjalës. Për shembull: SAPO, ATLAS, MASKA etj. Gjeni një numër të madh fjalësh, dhe bëni shumë përsëritje të tyre. Kjo ju siguron sukses. Mundohuni që të jenë fjalë të përdorshme në jetën e përditshme. Mos kaloni nga njëri pozicion, si ai I fillimit, tek ai I mesit, nëse nuk është masterizuar, sepse do e komplikojë arritjen tuaj në mësimin e duhur të artikulimit të tingullit.

Foto ilustruese


4- FJALIA - Tani mund të kaloni tek fjalia, por me kujdes. Përdorni një fjali,ku fjalët të përmbajnë tingullin target disa herë. Përshembull: SAMELA SAPO U NIS. Ndryshoni vetëm njërën fjalë,duke bërë të mundur që tingulli të jetë herë në fillim, mes dhe fund.
5- HISTORI - Mund të përdorni fraza me dy fjali, maksimumi tre. Dhe përsëritini shpesh që të siguroni sukses. Mundohuni ta filloni me vjersha dhe më pas me prozë.
6-BISEDA - Kalojeni tingullin e masterizuar gjatë historisë në bisedë konkrete me një person të familjes, mund ta provoni me veten më parë, përballë pasqyrës dhe më pas me një person të afërt. Më pas, provojeni edhe me persona të tjerë.
7- GJENERALIZIMI - Duke qenë se tani keni mësuar sesi të shqiptoni tingullin pa problem, ekspozojeni veten ndaj situatave ku të duhet të flisni dhe përdorni tingullin problematik. Kushtojini vëmendje të folurës, por mos e ndaloni atë. Nxiteni veten të flisni sa më shumë.
Gjithashtu logopedistja shpjegon se nëse këto probleme thellohen, duhet që të vizitoni patjetër një profesionist. Për çdo pyetje mund të kontaktoni emailin e Gazetës “Si” [email protected] ose të komunikoni dretpërdrejt me terapisten në [email protected]


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë