Ne rrjet

Si Shqipëria po zëvendëson mallrat serbe në Kosovë

Taksat e larta të importit që Kosova ka imponuar për mallrat nga Serbia dhe Bosnja ka qenë një ogur jashtëzakonisht i mirë për eksportuesit shqiptarë.

Lehtësirat në dogana, por edhe rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe politik, ka bërë që Shqipëria të jetë përfituesja më e madhe e këtyre tarifave. Dogana e Kosovës konfirmoi zyrtarisht të mërkurën se vendi ynë ka pasur fitime të mëdha falë taksës së vendosur ndaj produkteve serbe.

"Eksportet nga Shqipëria janë rritur me 39 për qind dhe ato nga Maqedonia janë rritur me pothuajse 10 për qind", tha të enjten Adriatik Stavileci, përfaqësuesi i doganave të Kosovës.

Adriatik Stavileci

Ai theksoi po ashtu se në dhjetor vëllimi i eksporteve shqiptare në Kosovë ishte rritur me 33 mijë ton, ose me 7 milionë dollarë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, edhe ekspertë të ekonomisë dhe biznesit në Kosovë thonë se Shqipëria mund të bëhet zëvendësuese e Serbisë në tregjet e Kosovës për hekurin dhe naftën. Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës deklaroi pak pas vendosjes së taksës nëse Shqipëria mund të zëvendësoje lehtësisht disa nënprodukte të naftës dhe hekurit që importoheshin nga Serbia.

Të të njëjtin mendim ishin edhe ekspertët nga Shqipëria, pasi pak javë pas vendosjes së taksës, Arben Shkodra, nga Shoqata e Prodhuesve Shqiptarë u bëri thirrje bizneseve shqiptare të shfrytëzojnë këtë periudhë për t’u futur dhe konsoliduar në tregun kosovar, një deklaratë që duket se nuk ka rënë në “vesh të shurdhët”. Eksportet shqiptare në Kosovë shënuan një rritje të fortë në muajt nëntor dhe dhjetor, duke zëvendësuar disa artikuj Kosovës që më parë importoheshin nga Serbia.

“Ne kemi marrë të dhëna paraprake nga prodhuesit eksportues shqiptarë, të cilët e kanë shfrytëzuar në këtë moment, këtë dritare mundësie ekonomike që është dhënë nga Qeveria e Kosovës. Natyrisht që kjo është e përkohshme. Natyrisht që ne e kemi theksuar vazhdimisht që ky është thjesht një pozicionim tjetër përkundrejt një negociimi të ardhshëm që do të ketë Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë”, theksoi Shkodra. “Shqipëria ka kapacitetet e plota për t’u pozicionuar mirë në tregun e Kosovës. Kemi nevojë vetëm të mos na e vështirësojnë shkëmbimin tregtar. Vështirësim do të thotë që ne të kemi mundësi, që nga fabrikat tona deri në pikën e shumicës në Kosovë të mos kemi barriera tarifore dhe jotarifore. Përditë na krijohen këto gjëra dhe ne mundohemi që si e si të ulim kostot e prodhimit, me qëllim që ne të jemi të konkurrueshëm në rajon. Kështu që ky është një nga elementët e rëndësishëm”, shtoi ai.

Kryeministrat Edi Rama dhe Ramush Haradinaj

Edhe pse tarifa ndaj Serbinë hyri në fuqi me datën 21 nëntor, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT, për këtë muaj eksportet në Kosovë u rriten me 34 për qind. Në fund të 11 mujorit, eksportet shqiptare në rreth 25 miliardë lekë nga 19.4 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 28% për qind

Përfituesja e dytë më e madhe e taksës së vendosur nga Kosovë është Maqedonia. Sipas drejtorisë doganore, vlera e përgjithshme e eksporteve në Kosovë në dhjetor dhe janar arriti në gati 171 milionë euro, nga 156 milionë euro për të njëjtën periudhë në vitin 2017.

Taksat 100 përqind për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina u vendosën vetëm një ditë pasi Beogradi loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Kosova i reziston presionit të SHBA-së

Presioni ndërkombëtar ka qënë i madh, por Kosova po qëndron e palëkundur në mbajtjen në fuqi të tarifave derisa Serbia të njohë pavarësinë. Ramush Haradinaj vazhdon të qëndrojë i vendosur pasi as ambasadori i SHBA –së në Prishtinë Philip S. Kosnett, nuk ka arritur ta bindë të heqë tarifat për importet ndaj Beogradi.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri Behgjet Pacolli

Tarifat jo vetëm që kanë alarmuar prodhuesit serbë, por gjithashtu kanë peshë politike, duke pasur parasysh marrëdhëniet jashtëzakonisht komplekse midis Serbisë dhe Kosovës.
Këtë javë pati spekulime se Haradinaj do të tërhiqej pas takimit me Kosnett dhe të dëgjontë këshillën e SHBA-së.

As diplomati amerikan dhe as Haradinaj nuk kanë dhënë asnjë deklaratë të përbashkët pas takimit të 22 janarit, por pas një sesioni qeveritar në të njëjtën ditë, Haradinaj tha se taksa mbi importet serbe dhe boshnjake do të mbetet në fuqi deri në "njohjen reciproke të Kosovës ".

Duke theksuar gatishmërinë e tij për të dëgjuar sugjerimet dhe kërkesat e SHBA-së dhe BE-së, Haradinaj tha gjithashtu se një vendim i tillë nuk mund të merrej në këtë moment.

"Ne po përpiqemi të anulojmë taksën, siç është sugjeruar nga aleatët tanë amerikanë, por ky vendim lidhet me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohjen reciproke nga ana e Serbisë," tha Haradinaj.

Që nga vendosja e taksave, ekonomia serbe ka humbur afërsisht 40 milionë euro në muaj dhe sipas analistëve makroekonomikë, GDP-ja e Serbisë në vitit 2019 do të jetë 0.7 përqind më e ulët nëse Kosovë nuk anulon tarifat.

Në fund të dhjetorit, Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Thaçit dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe pastaj te festojnë së bashku në Shtëpinë e Bardhë.

BE e përshkroi letrën e Trump si një shenjë të mbështetjes dhe inkurajimit për dialogun Beograd - Prishtinë. Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Vuçiç komentoi deklaratën e fundit të Haradinajt për tarifat duke thënë se ishte "një lajm i keq dhe një sinjal i keq për të gjithë rajonin".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë