Analize

Kosova i “tregon dhëmbët” Serbisë

Ishe ora 5 të mëngjesit, por zhurma e sirenave buçoi nga të gjitha anët, duke zgjuar një nga një banorët e Mitrovicës. Në largësi u dëgjuan armë zjarri. Forcat speciale të Kosovës hynë në qytet mëngjesin e të premtes, duke arrestuar një sërë policësh dhe zyrtarë serbe për vrasjen e Oliver Ivanoviç.

Edhe pse ishte përfolur se presidentet Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë tanimë në kulmin e tyre. Qeveria e kryeministrit Haradinaj ka vendosur të rrisë me 100% taksat për produktet serbe e bonjake, për të arrestuar më pas zyrtarët e lidhur me vrasjen e politikanit serb.

Këto dy lëvizje të pashembullta politike, erdhën pasi Serbia doli për tretën herë radhazi kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Sikur të mos mjaftonte kjo Beogradi vazhdon të lobojë bashkë me Rusinë kundër bashkimit të Prishtinës zyrtare me OKB-në dhe qendron i palëkundur ndaj vendimit për mos të njohur Kosovën si shtet të pavarur. Edhe pse Thaçi po mundohet të mbajë një qëndrim më “elastik” dhe BE-ja po bë thirrjen për heqjen e tarifave, qeveria e Kosovës duket se ka vendosur t’i “tregojë si rrallëherë dhëmbët” Serbisë, duke e kapur të papërgatitur Beogradin zyrtar. 

Arrestimet në Mitrovicë

Një njësi speciale e policisë së Kosovës arrestoi katër persona në katër zona të ndryshme të Kosovës së Veriut të premten në mëngjes, si pjesë e hetimit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç. Prokuroria e Kosovës tha se policia bastisi gjithashtu shtëpinë e Milan Radoiciç, nënkryetarit të partisë kryesore serbe në Kosovë, Listës Srpska, por ai e shmangu arrestimin.

Radoiciç u cilësua si sundimtari i vërtetë i rajonit të Veriut të Kosovës nga Ivanoviç, pak para se ai të qëllohej më 16 janar të këtij viti para zyrave të tij të partisë në qytetin e Mitrovicës. Burime të policisë së Kosovës  thanë  se biznesmeni i njohur gjerësisht është i dyshuari kryesor për vrasjen e politikanit Ivanoviç.

"Mund të konfirmojmë se në bazë të një urdhri gjykate, policia ka kryer një sërë bastisjesh në Mitrovicën e Veriut lidhur me hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviç.", tha policia e Kosovës në një deklaratë. "Njësitë e policisë kanë bastisur katër vende dhe kanë arrestuar katër persona: tre në lidhje me hetimin dhe një që i rezistoi policisë", theksonte deklarata. Mësohet se midis dy të arrestuarve janë dy oficerë serbë të policisë së Kosovës, Dragisa Markoviç dhe Nedeljko Spasojeviç, të cilit kanë marrë pjesë në hetimet mbi vrasjen e politikanit serb.

Mediat në Prishtinë njoftojnë po ashtu se policia arrestoi dy burra të quajtur Sasha Gjuriç dhe Marko Rasic. Reagimi i Listës Srpska ishte i menjëhershëm. Paria serbe akuzoi policinë e Kosovës se kishte vepruar brutalisht gjatë operacionit. Ndërkohë, kryebashkiaku serb i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic, i bëri thirrje forcave të NATO-s në Kosovë që të vijnë në qytet dhe t'i shpjegojnë popullit përse lejuan lëvizjen e forcave speciale të Kosovës në zonë.

Pasi policia e Kosovës u largua, serbët filluan të mblidheshin në qendër të Mitrovicës së Veriut, për të protestuar kundër vendimit të Kosovës për të rritur tarifat e importit për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç thirri në një takim urgjent krerët e ushtrisë dhe policisë serbe dhe përfaqësuesit e zyrës së qeverisë serbe për Kosovën.

Vrasja e Ivanoviçit, udhëheqësi i një partie serbe të quajtur Liria, Demokracia dhe Drejtësia, u dënua gjerësisht nga zyrtarë të BE-së, Serbisë dhe Kosovës. Ai ishte ndër të paktët figura politike në zonë që mbështeste bashkëjetesën mes pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare.

Megjithatë, Ivanoviç ishte një figurë mjaft e diskutueshme. Ai u shpall fajtor për vrasjet e një sërë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Ai shërbeu si anëtar i parlamentit të Kosovës por më pas bojkotoi institucionet e Kosovës dhe shërbeu si sekretar i shtetit i Serbisë në Prishtinë. Megjithatë, para se të vritej, ai u bë një kritik i fortë i qeverisë serbe dhe sidomos i qëndrimit të saj ndaj serbëve të Kosovës.

Edhe pse shumë njerëz e mendonin ende si kriminel lufte, shumë e shihnin atë si zërin e vetëm të vërtetë të serbëve të Kosovës. Jeta e tij ishte e diskutueshme, por nuk ka pati asgjë të diskutueshme rreth rrethanave të vrasjes së tij. Ai u qëllua për vdekje me një breshëri plumbash nga autorë ende të panjohur. Askush nuk kishte dyshime se ai u vra me paramendim.

Edhe pse Serbia u mundua të fajësonte Prishtinën zyrtare, eksperti i politikave ballkanike Tim Judah, këmbëngul se gjurmët e gjakut të çojnë në veri drejt Beogradit dhe jo në jug. Sipas tij, vdekja e Ivanoviç ishte treguesi më i madh i dështimit të politikave serbe në Kosovë. “Serbët e Kosovës nuk kanë arritur të krijojnë një realitet politik dhe shoqëror ku njerëzit mund të mbajnë qëndrimet e tyre, pa marrë parasysh se sa janë kundër politikës qeverisëse të një shteti tjetër, Serbisë.

Ata nuk kanë arritur të ndërtojnë një komunitet në të cilin diversiteti i mendimeve nuk çon në dhunë dhe madje as në vdekje”, thotë Judah.

A ka dështuar komuniteti ndërkombëtar

Tensionet etnike që lindën gjatë luftës së Kosovës nuk u zgjidhën kurrë as nga OKB-ja apo BE-ja, por u lanë ngrira. Shqiptarët dhe serbët janë mbajtur të izoluar nga njëri-tjetri qysh kur tanket e NATO-s hynë për herë të parë në Kosovë në vitin 1999. BE-ja, ndërhyrësja kryesore e diplomacisë ndërkombëtare në Kosovë, është ajo që dështuar më së shumti.

Edhe pse ka sponsorizuar një sërë bisedimesh mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, të dyja palët duken tanimë më larg një marrëveshjeje se kurrë. Insistimi i BE-së që të dyja vendet të arrijnë një marrëveshjeje, edhe nëse ajo përfshin shkëmbimin e kufijve është po ashtu e gabuar, pasi shumë serbë dhe shqiptarë mund të përfundojnë në anën e gabuar të kufirit. Është politika e BE që bëri që Ivanoviç dhe politikanët e tjerë të inkriminuar serbë të futeshin në skenën politike.

Dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë çoi në pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, por me çfarë çmimi? Me çmimin e një force të re politike kukullash që kontrollohet drejtpërdrejt nga Beogradi për të minuar parlamentin e Kosovës. Pavarësisht bisedimeve maratonë, Serbia bllokoi për herë të tretë përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol, dhe vazhdon të mbajë peng ëndrrat e Prishtinës për t’u bërë pjesë e OKB-së.

Beogradi nuk pranon të njohë Kosovën si shtet dhe e vetmja zgjidhje ndaj të cilës nuk ka mbajtur qëndrim armiqësor është shkëmbimi i territoreve dhe kjo sepse do t’i mundësonte të shtinte në dorë Trepçen dhe një sërë pasurish të tjera natyrore të Kosovës. Në këto kushte qeverisë së kryeministrit Haradinaj nuk i mbetet zgjidhje tjetër veçse të tregojë dhëmbët!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë