Analize

Si po ndikojnë Rusia dhe Kina në fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian

Nga Paola Peduzzi & Micol Flammini-Ky është “një vit vendimtar për demokracitë”, përsërit zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourová, e cila ka nisur atë që ajo e quan “një turne të demokracisë” në vendet e BE-së, për të rritur ndërgjegjësimin e të gjithë bashkëbiseduesve - udhëheqësve, partive, mediave, qytetarëve evropianë - mbi rreziqet e keqinformimit, të cilat i shtrembërojnë proceset zgjedhore në Perëndim.

Zgjedhjet e planifikuara për në datat 6-9 qershor, do të përfshijnë thuajse 450 milionë njerëz, dhe janë vazhdimisht nën shënjestrën e ndërhyrjeve të huaja dhe atyre të brendshme, operacione që përfitojnë jo pak nga risitë më të fundit teknologjike dhe të Inteligjencës Artificiale.

Komisioni dhe Parlamenti Evropian, janë angazhuar që nga viti 2019 për gjetjen e masave për të frenuar keqinformimin. Me këtë gjë po merren agjenci dhe projekte të posaçme, të cilat po i bëjnë platformat online - media sociale dhe motorët e kërkimit - më të përgjegjshme.

Është një punë e përbashkët e cila duhet të zgjasë në kohë, thotë Jourová. Ajo bazohet tek “besimi”, si çdo marrëdhënie midis qytetarëve dhe çështjeve publike, në të cilën askush nuk duhet të ndihet i çliruar nga përgjegjësitë që ka. Është një mision që kur funksionon, tregon se sa i përhapur është deformimi i informacionit.

Së fundmi, Agjencia e Sigurisë së Informacionit në Republikën Çeke, njoftoi zbulimin e një rrjeti të udhëhequr nga Rusia që po përpiqej të ndikonte mbi procesin zgjedhor përpara zgjedhjeve evropiane në Gjermani, Francë, Poloni, Belgjikë, Holandë dhe Hungari.

Ky rrjet, mbështeste financiarisht politikanët që flasin mbi nevojën e paqes (pra të dorëzimit) në Ukrainë, duke theksuar se ndërprerja e dërgimit të armëve, do t’i japë fund luftës së Rusisë. Madje një fond ishte parashikuar edhe për faqen e Zërit të Evropës, e cila është në Pragë dhe është një media ruse.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba, tha gjatë një takimi me disa gazetarë të huaj se “propaganda ruse nuk është aq e suksesshme sa pretendon”. Ai përmend faktin se paketat e ndihmës vazhdojnë të miratohen nga qeveritë, dhe sondazhet tregojnë se qytetarët evropianë vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba

Ai parashikon se do të ketë një përshkallëzim të propagandës ruse në funksion të zgjedhjeve evropiane, dhe më pas atyre në SHBA. Por Kuleba shpreson se do të ketë një përgjigje më të ashpër për t’iu kundërvënë kësaj propagande. “Nëse e lejoni të veprojë në vendin tuaj, Moska do të nxisë përçarje dhe do të bëjë gjithçka për ta destabilizuar atë”-paralajmëron ai.

Në krahasim me zgjedhjet evropiane 5 vjet më parë, situata ka ndryshuar. Mattia Caniglia, drejtor i asociuar i Këshillit Atlantik, thotë se BE-ja ka ndërmarrë veprime energjike kundër kësaj dukurie. Edhe vendet anëtare, kanë krijuar gjithashtu agjenci qeveritare me synimin për të luftuar dezinformimin, siç është Viginum në Francë.

Por duhet pasur sërish kujdes, sepse edhe aktorët e fushatave keqinformuese i kanë rafinuar  teknikat e tyre. Shembulli kryesor ishte ai disa viteve më parë, kur në mediat sociale u shpërndanë shumë lajme që tregonin faqe identike me The Guardian ose Le Monde dhe media të tjera perëndimore, por që përhapnin informacione të rreme.

Caniglia thotë se ka pasur edhe një ndryshim në objektiva, duke u fokusuar tek ato specifike. Për shembull në Francë, ka pasur një fushatë kundër dërgimit në Ukrainë të topave “Cezar”, për të cilat thuhej se sapo të përfundonin në duart e Ukrainës do të shiteshin në vendet autokratike.

Sulmet kundër Parlamentit Evropian ndodhin pothuajse çdo javë. Kur fermerët e rrethuan Brukselin me traktorët e tyre në muajin shkurt, në mediat sociale u shtuan në mënyrë të pazakontë fotot e barrierave të sigurisë të vendosura nga policia belge përpara selisë së PE. Mesazhi ishte:deputetët, të bllokuar në godinën e tyre, nuk duan të dëgjojnë njerëzit e thjeshtë. U thonë se do të votojnë në zgjedhje, por më pas vendosin para vetes tela me gjemba, sepse nuk u intereson dialogu me ta.

Protesta e fermerëve, Bruksel

Gjatë viteve të fundit, task-forca East StratCom e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm e drejtuar nga Josep Borrell, ka marrë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në BE. Faqja e saj EUvsDisinfo, është bërë një pikë referimi për zbulimin dhe kundërshtimin e keqinformimeve  ruse por edhe kineze.

Ndërkohë edhe pse nisi si një aktivitet dytësor, dhe i fokusuar tek Ukraina, Gjeorgjia dhe vendet e Ballkanit, StratCom i drejtuar nga Lutz Guellner, është rritur gjithnjë e më shumë për sa i përket burimeve financiare dhe njerëzore. Me institucionet e BE-së dhe 27 shtetet anëtare, janë organizuar shumë trajnime dhe simulime për të përmirësuar aftësitë e identifikimit të kërcënimeve hibride sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për të koordinuar përgjigjet.

Mbi të gjitha, BE-ja ka forcuar kuadrin e saj legjislativ me hyrjen në fuqi të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA). Po ashtu, KE ka bërë publike rekomandimet e tij për platformat e mëdha dixhitale. Udhëzimet përfshijnë forcimin e proceseve të brendshme të tyre, me krijimin e ekipeve të pajisura me burime të përshtatshme për të zbutur rreziqet.

Këto platforma ftohen që të promovojnë informacionin zyrtar, të zbatojnë nismat për edukimin mediatik, dhe t’i përshtatin sistemet e tyre të rekomandimeve për të reduktuar viralitetin e përmbajtjes që kërcënon integritetin e proceseve zgjedhore.

Po ashtu, Komisioni kërkon që të merren masa specifike për Inteligjencën Artificiale për të kundërshtuar përdorimin e falsifikimeve të thella. “Zgjedhjet për Parlamentin Evropian, janë veçanërisht të cenueshme. Burimet e platformave do të jenë nën presion, sepse në votim shkojnë 27 vende”-na tha një burim i Komisionit.

Platformat që nuk bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të zbutur rreziqet, rrezikojnë gjoba deri në 6 për qind të xhiros vjetore globale ose gjoba ditore deri në 5 për qind të xhiros ditore. Autorët e keqinformimeve janë rusë, kinezë, grupe konspirative, njerëz që janë kundër emigrantë ose anti-LGBT.

Teknikat dhe mjetet e tyre janë rafinuar me kalimin e viteve, dhe secili ka stilin e vet. Për shembull, rusët janë më të drejtpërdrejtë, kinezët veprojnë më në fshehtësi dhe ndonjëherë kalojnë në fushatat e njëri-tjetrit. Por është edhe dukuria e “kapjes së elitës”, pra përdorimi i personaliteteve mediatike dhe politike për të përhapur temat dhe mesazhet keqinformuese, e cila po zë një rol gjithnjë e më qendror.

Autorët e fushatave të tilla janë bërë veçanërisht të aftë në shënjestrimin e narrativave sipas vendit. Në Francë, emigrantët, lufta në Ukrainë, kontrasti midis komunitetit hebre dhe atij mysliman, funksionojnë shumë mirë. Në Poloni temat e preferuara janë fermerët ukrainas dhe produktet bujqësore.

Në Spanjë katalizatori për polarizimin e shoqërisë është Katalonja, ndërsa në Portugali të drejtat e komunitetit LGBT. Përgjigja e parë e PE-së është ajo e qëndrueshmërisë: informimi i qytetarëve mbi rreziqet që paraqet keqinformimi për demokracinë dhe funksionimin e saj (me trajnime dhe seminare).

Hedhja poshtë e shpifjeve, i është besuar kontrolluesve të fakteve. Por kjo nuk është një formulë magjike. Prandaj një pjesë e përgjigjes është parandaluese,dhe kjo realizohet përmes informimi publik dhe zyrtar mbi rëndësinë e daljes në votim dhe pjesëmarrjes në debat.

E njëjta gjë mund të thuhet për kontrollin e fakteve, është një proces reaktiv. Ndikimi i keqinformimit ndryshon nga vendi në vend. Zgjedhjet e fundit në Estoni, Finlandë, Suedi dhe Sllovaki, kanë shërbyer si raste studimore. “Sa më i mirë të jetë edukimi mediatik dhe ndërgjegjësimi për kërcënimin, aq më pak efektiv është keqinformimi”- na shpjegoi një burim i Komisionit.

Në Finlandë, manipulimi nuk ka pasur sukses. Ndërsa në Sllovaki po. E njëjta gjë vlen edhe për rolin e medias tradicionale. Në vendet ku ato janë më pak të pavarura dhe më pak të forta, informacionet e rreme përhapen shumë lehtë. Ndërsa aty ku media e lirë është i fortë dhe e saktë, rreziqet janë më të vogla.

Burimi: Il Foglio/Përshtati Gazeta Si

Shënim: EuPorn është podkasti i lindur nga rubrika javore me të njëjtin emër nga Paola Peduzzi dhe Micol Flammini në Il Foglio.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë