Propozim i SI

Si mund të ndihmojnë gjurmuesit e kontaktit për të kontrolluar Covid-19?

Një ditë gushti në vitin 2017, një burrë 31 vjeçar me kollë hipi në një mikrobus të mbushur me njerëz në kryeqytetin e Madagaskarit, Antananarivo.
Burri vdiq para se të arrinte në destinacionin e tij.
Ishte fillimi i shpërthimit më vdekjeprurës të epidemisë pneumonare në dekada. Në fund të nëntorit, më shumë se 2,400 njerëz ishin infektuar dhe 209 kishin vdekur.
Ekipet e basketbollit nga mbarë rajoni i Oqeanit Indian ishin në Madagaskar në atë periudhë për një kampionat. Një trajner nga Seychelles vdiq ndërsa një lojtar nga Afrika e Jugut u sëmur. Rreziku i një shpërthimi ndërkombëtar ishte në horizont.
Për ta izoluar atë, zyrtarëve shëndetësorë u duhej të thyejnë zinxhirët e transmetimit: të gjejnë njerëzit që kishin rënë në kontakt me secilin individ të infektuar dhe t'i parandalonin ata që të përhapin sëmundjen tek kushdo tjetër.
Ky proces është i njohur si gjurmimi i kontaktit. Është e njëjta detyrë që ekspertët tani thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të shtojnë në mënyrë dramatike ndërsa lehtësohen kufizimet nga COVID-19. COVID-19 është sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.
Infeksionet e COVID-19 do të rriten në mënyrë të pashmangshme në javët e ardhshme, thonë ekspertët, dhe një forcë pune duhet të jetë e gatshme për të ndaluar pacientët e rinj që të rindezin përhapjen. Përvoja e Madagaskarit mund t'i japë SHBA dhe vendeve të tjera mësime dhe njohuri të vlefshme.
Vullnetarët, Sytë dhe Veshët
Ndërsa zyrtarët shëndetësorë thonë se Shtetet e Bashkuara do të duhet të punësojnë të paktën 100,000 gjurmues të kontakteve, Madagaskari kërkoi ndihmë nga një rrjet vullnetarësh shëndetësorë në komunitet, të cilët ishin të gatshëm të vepronin kur ndodhi shpërthimi.
Këta vullnetarë shkojnë derë më derë në komunitetet në të gjithë vendin si edukatorë shëndetësorë. Ata sigurojnë që gratë shtatzëna të marrin kujdesin para lindjes dhe fëmijët të vaksinohen. Ata trajtojnë sëmundjet e zakonshme, të tilla si malarja, diarreja dhe pneumonia.
"Ata janë sytë dhe veshët e sistemit shëndetësor," tha John Yanulis, i cili drejtoi programin për Shkencat e Menaxhimit Jofitimprurës të Shëndetit. "Ata janë anëtarë të besuar të komunitetit të tyre."
Kështu që kur vullnetarët u thirrën të bëheshin gjurmues të kontaktit të epidemisë pneumonare, komuniteti tashmë i njihte dhe i dëgjoi vullnetarët. Njerëzit ishin të gatshëm të ndanin informacione se kush ishte në rrezik.
Epidemia pneumonare është 100% fatale brenda pak ditëve nëse nuk trajtohet. Vullnetarët e shëndetit në komunitet shpërndanë antibiotikë që parandalonin infeksionin.

Ndonjëherë, njerëzit nuk donin t'i merrnin.
"Frika, mendoj, se ishte një nga faktorët më të mëdhenj," tha Yanulis. Njerëzit "nuk dininsi të reagonin" pasi mund të ishin të ekspozuar ndaj një sëmundjeje vdekjeprurëse.
Vullnetarët e shëndetit ndiqnin procedura të caktuara për t'u marrë me refuzimet, shtoi ai. Ata thërrasin drejtuesin e qendrës shëndetësore lokale, komitetin e vëzhgimit të fshatit, madje dhe kryetarin e komunës për "të biseduar për problemin" dhe "më në fund të bindin personin se nuk ishte vetëm për të mirën e tyre, por gjithashtu edhe për të mirën e komunitetit. "
Më pas vullnetari kthehej çdo ditë gjatë kursit njëjavor të antibiotikëve për të siguruar që personi i merrte ato.
Gjurmuesit e kontaktit ishin pjesë e një përpjekje të koordinuar nga zyrtarë lokal, shtetëror dhe kombëtar, plus partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetit.
"Në 2 muaj e gjysmë ne patëm një sukses të vërtetë të shëndetit publik," tha Yanulis. Rastet e reja ranë ndjeshëm në tetor. Më 4 dhjetor, OBSH-ja deklaroi se shpërthimi ishte nën kontroll.
Të njëjtët vullnetarë janë "në gatishmëri" për t'u marrë me COVID-19, shtoi ai. "Në disa raste ata tashmë janë duke u orientuar dhe trajnuar".
Ndërsa ata janë të papaguar në Madagaskar, punonjësit e shëndetësisë në komunitet janë në listat e pagave të qeverive në Kenia, Etiopi, Malaui dhe vende të tjera në Afrikë dhe gjetkë, tha Yanulis.
Aftësitë e njerëzve
Në Shtetet e Bashkuara, shtetet, qytetet dhe qarqet po përgatiten të punësojnë mijëra njerëz për të bërë të njëjtin lloj pune intensive si vullnetarët që ndihmuan Madegaskarin të përmbajë shpërthimin e epidemisë.
Ata nuk kanë nevojë për shumë arsim, tha Yanulis. "Është me të vërtetë e rëndësishme të jesh i aftë për të hyrë në komunitete."
Para COVID-19, departamentet e Shëndetit në Sh.B.A-së kanë bërë gjurmimin e kontakteve me infeksionet seksualisht të transmetueshme, të cilat janë më shumë stigmë sesa infeksioni me koronavirus.
Procesi është në thelb i njëjtë, thotë Tim Heymans, një specialist i sëmundjeve ngjitëse me Departamentin e Shëndetit tnë Minesota. Kur ai telefonon një kontakt, pyetja e parë që bën është nëse personi mund të flasë privatisht. "Kur u thua se po përpiqeni të mbroni privatësinë e tyre, mendoj se kjo krijon besim."
Kur u jep lajmin, "ata fillimisht mund të tronditen ose të mërziten dhe justifikohen". Disa janë të zemëruar dhe nuk bashkëpunojnë. Por ai thotë se, në "zakonisht brenda pak çastesh, të tregojnë se janë të kënaqur që i ke telefonuar dhe janë të lumtur për këshillat që u japim, dhe ku munden shkojnë të marin ndihmë për këtë ".
Për rastet më të vështira, thotë Heymans, "ne përpiqemi t'i bëjmë apel ndërgjegjes së personit se kjo është për një të mirë më të madhe si mbrojtja e njerëzve përreth tyre".
'E komplikuar dhe me probleme'
Kontaktet me COVID-19 duhet të izolohen për 14 ditë, gjë që mund të jetë shumë për tu kërkuar.
Një person mund të kujdeset për të afërmit e moshuar dhe fëmijët e vegjël. Qëndrimi në shtëpi rrezikon përhapjen e infeksionit tek anëtarët e familjes, tha Adriane Casalotti, shefe për çështje publike në Shoqatën Kombëtare të Zyrtarëve të Shëndetit të qytetit dhe qarkut.
Por "nëse ata izolohen", pyeti ajo, "kush do të ndihmojë familjen?"
Departamentet e shëndetit mund të kenë nevojë për të mbështetur njerëzit në karantinë me strehim, ushqim, ilaçe dhe madje edhe ndihmë financiare.
"Jeta e njerëzve është e ndërlikuar dhe kaotike," tha ajo. "Kështu që përgjigjja e shëndetit publik përfundon të jetë e njëjtë".
Mundësi pune
Me shtetet që kërkojnë të punësojnë me shpejtësi mijëra gjurmues të kontaktit , Universiteti Johns Hopkins ka zhvilluar një kurs trajnimi pesë-orësh në internet që përfshin bazat e sëmundjes, gjurmimin e kontaktit dhe mënyrën si funksionon, duke përfshirë disa nga çështjet e privatësisë dhe etikës.
Kursi përfshin gjithashtu mënyrën e krijimit të raporteve, "sepse në fund të fundit, ky është një program që ka të bëjë me lidhjet me njerëzit dhe ndihmën për t'i mbështetur ata për të ndaluar përhapjen," tha instruktorja e kursit Emily Gurley në universitetin Johns Hopkins.
Punët e gjurmimit të kontaktit në nivelin fillestar paguhen më shumë se 30,000 dollarë, sipas zonjës Casalotti. Organizata e saj tha se Kongresi duhet të sigurojë 7.6 miliardë dollarë për departamentet e shëndetësisë për të punësuar të paktën 100,000 punonjës të gjurmimit të kontaktit, plus 10,000 mbikëqyrës të tjerë dhe 1.600 epidemiologë.
Me dhjetëra miliona njerëz pa punë, nuk do të ketë mungesë aplikantësh. Sipas gazetës USA Today, Masaçjusets kishte 40,000 aplikantë për 1.000 pozicione.
Të papunët janë vetëm një faktor i rritjes së interesit, tha zonja Casalotti. "Shumë njerëz kanë ngecur në shtëpi dhe po shohin se të gjitha këto po ndodhin shumë pranë tyre dhe duan të ndihmojnë".
Kur goditi pandemia COVID-19, vë në dukje zonja Casalotti, departamentet e shëndetësisë nuk ishin rikuperuar nga buxheti idhe shkurtimet e stafit të bëra pas krizës financiare të vitit 2008.
Për shkak të shkatërrimit ekonomik që pandemia është duke shkaktuar në buxhetet shtetërore dhe lokale, ajo shqetësohet se historia do të përsëritet.
"Jemi me të vërtetë të shqetësuar, nëse kjo është diçka si recesioni i vitit 2008, departamentet lokale në vijat e para të kësaj përgjigje … do të përfundojnë të jenë në gjendje më të keqe financiare pas koronavirusit sesa ishin më parë", tha ajo. /VOA


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë