Politike

Si duhet të dalin nga listat deputetët? Ku ndryshojnë tre draftet e politikës

Tre drafte, dy që kanë nisur të diskutohen në Komisionin e Ligjeve dhe një tjetër në pritje për t’u diskutuar në Parlament. Ndryshimet e Kodit Zgjedhor përsa i takon hapjes së listave dhe koalicioneve janë ngërçi i radhës që ka ngërthyer tre aktorët dhe faktorët në politikën shqiptare.

LEXO EDHE:
Opozita dorëzon draft, renditje alfabetike dhe mosndryshim koalicionesh
A i hap listat propozimi i PS?
Drafti, tërhiqet opozita në Kuvend: 1/3 listë e mbyllur, pragu 1%, kryetari i partisë në disa zona

Propozimet ngjasojnë në pjesën dërrmuese me njëra-tjetrën, por ngjashmëritë janë për çështjet “periferike”, ndërsa përsa i takon thelbit kanë disa ndasi themelore.

Gazeta “Si” ju sjell të përmblledhura ndasitë mes draftit të propozuar nga Partia Socialiste, atij të propozuar nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe atij të dorëzuar në Kuvend nga një pjesë e opozitës parlamentare, përfaqësuar nga Myslim Murrizi.

Listat

Përplasjet janë te sasia dhe rruga e hapjes së listave, formula e koalicioneve zgjedhore dhe tek pragu elektoral.

Sa i takon hapjes së listave, PS dhe opozitën parlamentare i bashkon propozimi i renditjes shifrore. Por, dallimi qëndron tek përllogaritja e mandateve. Socialistët propozojnë që renditja të prishet nga votuesi vetëm në rastet kur një kandidat merr më shumë vota se sa i duhet vetë partisë për të fituar një mandat në një zonë të caktuar, ndërsa opozita parlamentare propozon që nga 0 deri në masën e një të tretës listat të jenë të pandryshuara, ndërsa pjesë tjetër të vendoset në bazë të votës parapëlqyese të qytetarëve.

Sipas këtij propozimi, opozita parlamentare ja lë në dorë vetë partive që të përcaktojnë nëse duan ta mbajnë të mbyllur një të tretën e listës së kandidatëve, më pak, ose ta heqin fare atë.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste nga ana tjetër propozojnë renditje alfabetike, hapje 100 për qind të listës dhe kriter kryesor për renditjen e kandidatëve duke respektuar kuotën gjinore të jetë vota parapëlqyese e qytetarëve.

Koalicionet

Këtu përplasja është mes PS-së nga njëra anë dhe PD-LSI-së nga ana tjetër. Mazhoranca propozon ndryshimin e formulës së koalicioneve, duke hequr dorë nga koalicionet e përbëra, që u mundëson partive që përveçse të garojnë si pjesë e një aleance, të garojnë edhe më vete. Në vend të kësaj, PS propozon që partitë të dalin me lista të përbashkëta kandidatësh për të mbështetur.

PD dhe LSI e kundërshtojnë dhe thonë se nuk ka asnjë pengesë kushtetuese dhe as ligjore që koalicionet të mos qëndrojnë në formën aktuale.

Sa i takon opozitës parlamentare, ajo është mënjanuar nga ky debat, të paktën sipas draftit të dorëzuar në Kuvend, duke ia lënë këtë shesh-beteje vetëm mazhorancës dhe Opozitës së Bashkuara.

Pragu elektoral

Këtu është Opozita e Bashkuar ajo që menjëanohet nga përplasja, duke ja lënë këtë opozitës parlamentare me socialistët. PS propozon prag elektoral 3 për qind, ndërsa opozita parlamentare prag elektoral 1 për qind.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë