Politike

Opozita dorëzon draft, renditje alfabetike dhe mosndryshim koalicionesh

Opozita ka dërguar në Këshillin Politik draftin e saj për hapjen e listave dhe ruajtjen e koalicioneve.

Opozita thotë se drafti i saj hap 100 përqind listat dhe garanton ruajtjen e formës aktuale të koalicioneve.

Sa i takon hapjes së listave, opozita propozon renditje alfabetike të kandidatëve në fletën e votimit.

"Emrat në listën shumemërore të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit alfabetik, duke filluar nga gërma “a”. Numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Për partitë pjesëtare të koalicionit, që garojnë me lista shumemërore të veçanta, numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Në çdo rast, numri i kandidatëve në listën shumemërore duhet të jetë i plotpjesëtueshëm me numrin tre", propozon opozita.

Opozita propozon që shpërndarja e mandateve të bëhet bazuar vetëm në dy kritere, vota parapëlqyese dhe kuota gjinore.
 
"Subjekti zgjedhor nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji për përllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes dhe të plotësimit të kushtit ligjor për kuotën gjinore", thuhet në draft.

Opozita këmbëngul tek mosndryshimi i formulës së koalicioneve.

"Kodi Zgjedhor përcakton qartazi se koalicioni zgjedhor i partive politike është ai me “listë të përbërë”, i cili i jep të drejtën e propozimit të kandidatëvë secilës parti anëtare të koalicionit, dhe jo koalicionit. Për rrjedhojë, modeli në fuqi dhe dispozitat përkatëse për regjistrimin e koalicionit, shfaqjen në fletën e votimit, marrjen e votave, përllogaritjen e rezultatit dhe shpërndarjen e mandatit, të gjitha këto pjesë të sistemit zgjedhor në kuptimin e ngushtë të fjalës, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën", thotë PD në propozimin e saj.

Opozita vlerëson se propozimet e Partisë Socialiste të depozituara në Kuvend dhe përpara Këshillit Politik janë në kundërshtim me parimet europiane për zgjedhje demokratike dhe në kundërshtim me Kushtetutën. 

"Për këto arsye, Opozita e kundërshton këtë ndryshim ligjor të modelit koalicioneve të propozuar nga Partia Socialiste dhe tekstin legjislativ që e zbaton atë", thotë opozita.

Opozita përsërit kërkesën për t’iu drejtuar ODIHR-it për mosmarrëveshjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë