Politike

A i hap listat propozimi i PS?

Partia Socialiste akuzohet se me propozimin e dorëzuar në Këshillin Politik ka manovruar duke shmangur në të vërtetë hapjen e listave dhe duke lënë po në dorë të kryetarëve të partive renditjen përfundimtare të deputetëve fitues.

Shkak është bërë pika shtatë në propozimin e socialistëve. PS propozon që renditja e kandidatëve të mos jetë alfabetike, por me numër shifror, që u mundëson kryetarëve të partive që ta përcaktojnë vetë radhën e kandidatëve në fletën e votimit, nga numri një, deri në numrin e fundit të mandateve që dalin nga një qark.

Për shpërndarjen e mandateve propozohet që të kihen parasysh tre elementë, ku renditja shifrore e dorëzuar në KQZ nga partitë politike është përcaktuese. Elementi i dytë është numri i votave parapëlqyese që ka marrë secili kandidat dhe elementi i tretë numri i votave që i janë dashur subjektit politik për të nxjerrë një mandat deputeti në zonën zgjedhore përkatëse.

Ndërthurja e këtyre elementëve e bën të vështirë ndryshimin e renditjes së kandidatëve që partitë politike kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi praktikisht, që një kandidat të ngjisë shkallët në renditjen shifrore të listës i duhet të sigurojë më shumë vota se numri i votave që i janë dashur partisë për të siguruar një mandat në një zonë të caktuar zgjedhore.

Si shembull, në Tiranë X parti nxjerr një mandat me 15 mijë vota. “Kandidatit B” i rënditur i dyti në listë merr më shumë vota parapëlqyese se “Kandidati A”, i renditur i pari në listë, por më pak se 15 mijë vota. Në këtë rast, renditja nuk do të ndryshonte, pasi “Kandidati B” nuk ka plotësuar elementin e tretë të shpërndarjes së mandateve.

PS e mbron këtë formulë duke argumentuar se ajo zgjidh problematikën që mund të shfaqet në rastet kur votuesit refuzojnë që të hedhin votën parapëlqyese për kandidatët, por votojnë vetëm partinë.

Por, nga opozita parlamentare propozimi është qortuar ashpër nga Rudina Hajdari. Ajo thotë se praktikisht me këtë formulë listat mbeten të mbyllura.

“Propozimi i PS është një propozim i papranueshëm dhe të kuptoni që kërkon që të mos hapen listat. Po ta shikoni, renditja e kandidatëve rri e njëjtë dhe vetëm një kandidat preferencial të vijë nga jashtë që do të thotë se listat janë praktikisht të mbyllura. PS po bën një hap pas, nuk është kjo lista e hapur. Kjo është ajo që kërkojnë kryetarët e partisë që kanë ende fuqinë të vendosin në listë kë të duan. Është një turp për të mbajtur listat e mbyllura”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë