Politike

Drafti, tërhiqet opozita në Kuvend: 1/3 listë e mbyllur, pragu 1%, kryetari i partisë në disa zona

Ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor që do jenë reflektim i ndryshimeve kushtetuese pritet të kalojnë në Kuvend me 1 tetor, me apo pa marrëveshje me opozitën jashtëparlamentare.

Për këtë arsye, të enjten është mbledhur në Kuvend grupi i punës i ngritur nga komisioni i Ligjeve, ku një tjetër faktor përcaktues i kalimit të Kodit (me 84 vota) opozita parlamentare ka kërkuar më shumë kohë përmes Korab Litës.  

Tre anëtarët e grupit të punës, deputetët Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Korab Lita u njohën me propozimet e mbërritura në Kuvend, konkretisht ai i Partisë Socialiste dhe disa amendamente të përgatitura nga Grupimi Demokrat në emër të Rudina Hajdarit.

Por përfaqësuesi i opozitës parlamentare Korab Lita shprehu disa rezerva mbi propozimet e paraqitura dhe kërkoi më shumë kohë në dispozicion për të depozituar në këtë grup pune edhe ai do propozime po në emër të opozitës parlamentare.

Dhe nuk kanë vonuar. Myslim Murrizi në emër të 8 deputetëve ka depozituar një draft ku fillimisht kërkojnë që pragu elektoral të jetë 1% dhe jo 3 siç është parashikuar në draftin e PS-së. Një draft që në fakt i ngjan më shumë një “pazari politik” ku mazhoranca mund të çedojë nga pragu, ndërsa opozita parlamentare heq dorë nga hapja e listave 100%.

Sepse ajo që dallon në këtë draft është propozimi që ata kanë bërë për listat e hapura që nuk janë 100% siç kanë trumbetuar.

Në pikën 4 të nenit 67 të Kodit Zgjedhor, një grup deputetësh të opozitës shkruajnë se, “lista shumëemërore duhet të ketë të përcaktuar vendet e listës që nuk i nënshtrohen votimit parapëlqyes  

Numri i këtyre vendeve mund të jetë nga zero deri në jo më shumë se një e treta, e numrit të përgjithshëm të listës. Subjekti zgjedhor gjithashtu nuk mund të ndryshojë renditjen e kandidatëve të listës pas regjistrimit të saj. Kandidatët rirenditen vetëm në zbatim të procedurave të këtij ligji për përllogaritjen e mandateve fituese në bazë të votimit parapëlqyes.

Sipas propozimit të Murrizit, kryetari i partisë gjithashtu mund të garojë në disa zona. “Kandidati për deputet i regjistruar në një listë shumëemërore në një zonë zgjedhore, përjashtuar kryetrari i partisë, nuk mund të regjistrohet si i tillë në një zonë tjetër zgjedhore”, thuhet në draft.  

Mediat raportuan se këtë draft e ka firmosur edhe Rudina Hajdari edhe pse kjo e fundit kishte propozuar një material paralel ku kërkonte hapjen e plotë të listave.

Ndërkohë në seancën plenare të paradites, deputeti i opozitës parlamentare, Andi Përmeti ka kërkuar që PS-ja të përfshijë hapjen “de facto” të listave 100%. Në të kundërt, ai ka ftuar kolegët e tij opozitare që të bojkotojnë votimin më 1 tetor.

“Negociatat me BE-në i hapni çdo vit siç hapni listat. Kurse ju këtu jeni të gjithë frikacakë sepse nuk mund të përballeni me qytetarët. Keni turp të vini dhe t’u kërkoni votën e qytetarëve prandaj fshiheni pas listës së Edi Ramës. Edi Rama ka deklaruar se ka 74 vota kur i qahej ambasadores amerikane. Ta shohin shqiptarët nëse do të përsëritet Dibra dhe Durrësi dhe a do të blihen votat hapura. Myslim (Murrizi) të kërkoj të publikosh listën me emrat që kanë kërkuar ndryshimet kushtetuese për lista të hapura, dhe në janë burra dhe gra dhe të bojkotojmë këtë Parlament, ose ta bëjnë vetë me vota të blera dhe të tregojnë çfarë fytyre kanë”, tha Përmeti.

Por e pyetur për një bojkot të mundshëm të Parlamentit, deputetja Rudina Hajdari tha se duhet bërë gjithçka që të hapen listat e zgjedhësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë