Analize

Si do të ndahet vota në Maqedoni dhe sa do të ndikojë Albin Kurti në kampin shqiptar

Si do të ndahet vota në Maqedoni dhe sa do të ndikojë Albin Kurti në kampin shqiptar

Nga Gazeta ‘Si’ - Në zgjedhjet Presidenciale që po zhvillohen sot (24 prill) në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët do të kenë peshë jo pak të rëndësishme. Dhe kjo jo për Presidentin, pasi ai do të jetë maqedonas.

Ky raund i parë Presidencial do të tregojë si do të jetë vota e 8 majit, kur në balotazhin për kreun e ri të shtetit do të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme dhe cili nga dy kampet shqiptare do të jetë fitues, tradicionali i Ali Ahmetit që ka mbi 20 vjet në pushtet, apo opozitari që ka edhe mbështetjen e Albin Kurtit, Kryeministrit të Kosovës.

Sipas dispozitave ligjore, në raundin e parë është thuajse e pamundur që të zgjidhet presidenti, pasi një kandidat/e duhet të marrë më shumë se gjysmën e votave të të regjistruarve në listën zgjedhore.

Kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut, 5 prill 2024

Dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë Fronti Europian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim(BDI) që garon me Bujar Osmanin dhe Koalicioni VLEN, që merr pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.

Koalicioni Vlen është i përbërë nga katër parti opozitare shqiptare: Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët dhe Partia Alternativa, qëllimi i të cilit është “ndryshimi” i qeverisë që është në pushtet prej 22 vitesh.

Bujar Osmani prezantohet si kandidat për president i BDI-së, 10 mars 2024

Aktualisht, referuar sondazheve, dy kandidatët kryesorë janë presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili kërkon një mandat të dytë 5-vjeçar me mbështetjen e socialdemokratëve dhe Gordana Davkova, e cila mbështetet nga qendra e djathtë e VMRO-DPMNE.

Pavarësisht retorikës dhe diskursit të ndryshëm që kandidatët shqiptarë kanë patur gjatë fushatës, pikëtakim i rëndësishëm është fakti që ndarja e partive shqiptare në dy blloqe mund të rezultojë me më shumë mandate deputetësh.

Nëse jehona e votuesve do të jetë e lartë, atëherë pritet një përfaqësim i shqiptarëve në parlamentin e ardhshëm konform përqindjes së tyre në shtet. Aktualisht në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut partitë shqiptare kanë 29 deputetë nga 120.  

 ‘Implikimi’ i Albin Kurtit në Maqedoni, 'një test' për të dhe mbështetja e hapur ndaj Taravarit

Raundi i parë i zgjedhjeve do të jetë një test edhe për kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, LVV-ja e të cilit garon edhe atje për pak pushtet.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me anë të dy deklaratave që u lexuan si tentim për ‘tërheqje taktike’ tre muaj më parë, la fillimisht të kuptohej se do distancohej nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

Por pak ditë pas atyre deklaratave, Izet Mexhiu, kreu i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut konfirmoi pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, përmes përfshirjes në listën opozitare Lidhja Europiane. Para dy javësh, Qeveria e Kosovës u angazhua në fushatën zgjedhore në RMV, duke bërë çështje diskutimi atje një plan 9 pikësh të propozuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në qershor të vitit të kaluar për shtensionimin e situatës në veri.

Edhe pse fillimisht pati disa deklarata “vëllazërore” me Ali Ahmetin (kreu i BDI) që mandej nuk rezultuan for të tilla, Kurti ka mbështetur zëshëm Arben Taravarin gjatë të gjithë fushatës.

Kurti dhe Arben Taravari

Sipas tij, pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të pakënaqur nga qeverisja e subjektit që është mbi 20 vjet në qeveri, por tani ka një zë unifikues të opozitës shqiptare që mbështetet nga Vetëvendosja.

Pas deklaratave të tij, Kurti u kritikua jo pak nga Ahmeti i cili e akuzoi atë se nuk po i bënte gjërat ballazi dhe se po përdorte strategji kamufluese.

"Secili udhëheqës cakton ca objektiva për veprim, por kjo ç’ka tha Mexhiti nuk përkon me deklaratën e Kurtit që bëri në Shkup ku tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Nëse ka strategji, nuk është mirë të kamuflohen.Le të thuhen gjërat hapur. Nëse vendos për t’u përfshirë le të vendosë. Merr pjesë në zgjedhje, kutitë e votimit janë të vendosura dhe në mbrëmje shpalosen rezultatet”, theksoi ai atëbotë.

Ali Ahmeti dhe kryeministri Albin Kurti

Megjithatë, Ahmeti nuk ishte i vetmi që e kritikoi.

Shumë nga ndërkombëtarët dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend e akuzuan Kurtin se ky implikim mund të ketë ndikim në raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe vetë marrëdhëniet ndër-shqiptare në rajon.

Para Maqedonisë së Veriut Albin Kurti garoi edhe në Shqipëri në zgjedhjet e 2021-shit, ku bëri edhe fushatë publike me mitingje kundër Edi Ramës, por nuk fitoi asnjë deputet.

Tentativa e dytë ishte në Luginën e Preshevës, ku e ndau edhe më keq faktorin shqiptar në Jug të Serbisë.

Kjo në Maqedoninë e Veriut është lëvizja e tretë e Kurtit jashtë Kosovës në hapësirën shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë