Analize

Jo me parti si në Shqipëri / Si Vetëvendosja e Albin Kurtit do të hyjë në zgjedhjet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut dhe kë ka shqetësuar

Nga Gazeta ‘Si’-  Një vizitë në Prishtinë e krerëve politikë shqiptarë të opozitës nga Maqedonia e Veriut pasditen e djeshme duket se zgjidhi enigmën për ambiciet e Vetëvendosjes në shtetin fqinj.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar si subjekt në Maqedoninë e Veriut dhe nuk është duke kërkuar pushtet atje”, deklaruan më herët zyrtarë të kësaj partie në përgjigje të lajmeve të fundit se VV-ja po përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e majit.

Megjithatë, pas takimit të djeshëm me Kurtin (30 janar), Izet Mexhiti, kreu i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut konfirmoi pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, përmes përfshirjes në listën opozitare Lidhja Evropiane.

“Më konkret rreth bashkëpunimit, zoti Kurti dhe Vetëvendosja mbështet sërish opozitën shqiptare si edhe më herët. Vetëvendosja është pjesë e opozitës shqiptare atje, de-jure nuk do të jetë, sepse nuk është regjistruar në Maqedoni. De-facto, është pjesë e opozitës shqiptare, sepse opozita shqiptare është në kuadër të Lidhjes Evropiane për Ndryshim”, deklaroi ai.

VV-ja de facto është pjesë e opozitës shqiptare atje, citoi Mexhiti

Sipas tij, pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të pakënaqur nga qeverisja e subjektit që është mbi 20 vjet në qeveri, por tani ka një zë unifikues të opozitës shqiptare.

Krerët që Kurti priti në takim ishin Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh), si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, kryetarin e Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, dhe kryetarin i Alternativës, Afrim Gashi.

Takimi ndodhi vetëm një ditë pas një deklarate “vëllazërore” të Ahmetit në raport me Kurtin.

“Unë ju kam vëllezër të gjithëve edhe Albinin e kam vëlla. Nuk e ruaj shpinën nga askush”, deklaroi ai.

‘Kurti t’i bëjë gjërat hapurazi’

Megjithatë, lëvizjet e Vetëvendosjes kësaj here, në optikën e njohësve të zhvillimeve politike duket se janë veshur me një tis ‘kamuflimi’. Ndryshe nga rastet e kaluara të zgjedhjeve në Luginë të Preshevës apo të Shqipërisë në 2021-shin, ata mendojnë se përpjekja e VV-së për përfshirjen në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, nuk po bëhet aq ballazi.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ndonëse shtoi se nuk ka asgjë të keqe nga takime të tilla, ftoi Kurtin që ‘t’i bëjë gjërat hapurazi dhe jo me strategji kamufluese.’

‘Secili udhëheqës cakton ca objektiva për veprim, por kjo ç’ka tha Mexhiti nuk përkon me deklaratën e Kurtit që bëri në Shkup ku tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Nëse ka strategji, nuk është mirë të kamuflohen.Le të thuhen gjërat hapur. Nëse vendos për t’u përfshirë le të vendosë. Merr pjesë në zgjedhje, kutitë e votimit janë të vendosura dhe në mbrëmje shpalosen rezultatet”, theksoi ai por shtoi se aktualisht sipas studimeve dhe analizave, BDI është fitues i këtyre zgjedhjeve akoma pa u mbajtur ato.

Ali Ahmeti ftoi Kurtin që ‘t’i bëjë gjërat hapurazi dhe jo me strategji kamufluese’

Albin Kurti dhe zgjedhjet në Serbi, si ndikoi te shqiptarët e Preshevës

Për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat u mbajtën më 17 dhjetor të vitit 2023, Lëvizja Vetëvendosje me në krye Kurtin, mbështetën Shaip Kamberin e Partisë për Veprim Demokratik, i vetmi politikan shqiptar nga Lugina e Preshevës, në jug të Serbisë, i cili fitoi mandatin e deputetit.

Ndërsa në Shqipëri, tre vite më parë, Vetëvendosja u fut në zgjedhjet lokale të 25 prillit, por jo si subjekt politik. Kandidatët e saj garuan si të pavarur në tri bashki të Shqipërisë: Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.

Pjesë e fushatës zgjedhore atëbotë u bë edhe Kurti i cili në fjalimet e këtij nëpër këto tri qytete, kërkoi mbështetje për “alternativa të reja”, duke theksuar se figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, nuk mund të prodhojnë asgjë të re për qytetarët e Shqipërisë.

Kurti duke votuar në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, 25 prill 2021

‘Kurti në politikën e Maqedonisë, shqetësimi i ndërkombëtarëve’

Arbër Ahmeti, nënkryetari i BDI-së parashtroi në emisionin Debat në A2 CNN shqetësimin e ndërkombëtarëve sipas të cilëve një ndërhyrje e Kurtit në zgjedhjet në RMV do të krijojë një precedent që do t’i hapte rrugën Vuçiçit dhe Putinit të bënin të njëjtën gjë.

Megjithatë, ai u përpoq që ta shihte si normal takimin e djeshëm duke shtuar se një implikim i VV-së në Maqedoninë e Veriut nuk do të përbënte risi pasi pjesëmarrës të kësaj partie kanë qenë të pranishëm edhe në 2020-n.

Si filloi?

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri partitë shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut - Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike - paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit.

Bekim Qoku, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe njëkohësisht këshilltar politik i Kurtit me shtetësi maqedonase, tha se partia e tij do t’i bashkohet kësaj liste.

“Unë, sot, jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizje Vetëvendosje... një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni, tashmë të etabluar këtu”, tha atëkohë Qoku.

Ish kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski u duk i befasuar atëkohë me këtë angazhim të VV-së ndërsa shtoi se kjo nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar.

Një tjetër reagim më 17 janar bëri ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke thënë se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare - tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm."

Por, Lëvizja Vetëvendosje, deklaratat e përfaqësuesve të saj - njëherësh zyrtarë të pushtetit në Kosovë – deklaroi se nuk i sheh si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Arlind Manxhuka, zëdhënësi i VV-së tha se kjo parti ka ka simpatizantë dhe anëtarë me etni shqiptare, por edhe me etni të tjera, që janë nënshtetas të vendeve të ndryshme dhe ata patjetër që kanë të drejta politike sipas ligjit në vendet ku janë nënshtetas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë