Analize

Si do ndikojë sfida e terrorizmit tek lufta e Rusisë në Ukrainë, Putin gaboi si Stalini

Nga Danilo Ceccarelli- Sulmi i të premtes së kaluar në sallën e koncerteve “Crocus Hall” në Moskë, ku humbën jetën më shumë se 140 persona në një aksion terrorist të marrë përsipër nga Shteti Islamik, nuk ishte aspak “i papritur”. Këtë e mbështet edhe politologu francez Olivier Roy, ekspert i Islamit dhe profesor në Institutin Universitar Evropian në Firence, që kujton sulmet e shumta që kanë ndodhur vitet e fundit.

"Më parë merreshin pengje”- shpjegon eksperti, duke përmendur si shembuj rrëmbimin e qindra njerëzve në teatrin Dubrovka në Moskë në vitin 2002 apo masakrën në një shkollë në Beslan në Osetinë e Veriut në vitin 2004.

Në të dyja rastet, presidenti rus Vladimir Putin reagoi brutalisht duke urdhëruar një “masakër të përgjithshme” ku humbën jetën shumë prej pengjeve. “Por tani ata e dinë se nuk është e mundur që të negociohet, ndaj vrasin drejtpërdrejt”- thotë Roy. Eksperti e përqendron vëmendjen tek origjina e supozuar e sulmuesve, që të gjithë nga Kaukazi.

“Në përgjithësi ata vijnë nga Ingushetia, Dagestani dhe Çeçenia. Por sipas informacioneve të fundit edhe nga Taxhikistani”- nënvizon ai. Për këtë arsye, sipas politologut Rusia duhet të përballet me një kërcënim “endogjen” të përfaqësuar nga “një falangë myslimanësh nga ish-Bashkimi Sovjetik”.

Profesor Roy, si duhet të analizohet ky sulm?

Po shohim se sot Shteti Islamik ka në radhët e tij shumë myslimanë nga Kaukazi dhe Azia Qendrore, zona që në të kaluarën ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Është një tendencë që vazhdon prej 3-4 vitesh. Edhe në Francë kemi pasur sulme të kryera nga çeçenët.

Zona e rekrutimit të ISIS, e cila në të kaluarën punësonte burra nga Lindja e Mesme apo Evropa, është zhvendosur për këtë arsye. Duke qenë myslimanë të lindur në vendet ish-sovjetike, luftëtarët e sotëm kanë një pasaportë ruse dhe për këtë arsye mund të lëvizin më lehtë brenda vendit.

A i atribuohet sulmi i fundit angazhimit që Rusia ka pasur në disa zona si në Siri apo Afganistan?

Ka të ngjarë, por nuk mund të jemi të sigurt. Deri tani nuk ka pasur një pretendim të tillë. Shteti Islamik nuk e përmendi Sirinë dhe as nuk kërkoi tërheqje të trupave ruse nga atje.

A duhet t’i frikësohet Rusia një sezoni të ri sulmesh, si ato që janë parë tashmë në Evropë?

Atentatorët kishin pamjen e njerëzve të stërvitur mirë. Ata mbanin veshur uniforma dhe ishin shumë të pajisur. Ky lloj sulmi tregon se pas tij fshihet një organizim i detajuar, ndaj mund të supozojmë se mund të ketë edhe sulme të tjera.

Në fakt, pjesëtarët e komandos u larguan menjëherë pas sulmit, ndryshe nga shumë terroristë që kanë kryer aksione vetëvrasëse në Evropë vitet e fundit...

Kjo tregon se mënyra e tyre e veprimit është më shumë ushtarake.

Çfarë përfaqëson ky episod për imazhin e presidentit Vladimir Putin?

Një kryengritje e mundshme e myslimanëve brenda Rusisë, do të përfaqësonte një dështim të madh për presidentin, që u rizgjodh së fundmi në një palë zgjedhje farsë, duke premtuar më shumë siguri për të gjithë.

A mund të presim një represion kundër komunitetit mysliman që jeton në Rusi?

Unë nuk pres një shtypje në shkallë të gjerë. Megjithatë në Moskë, mund të ketë reagime popullore, fushata sulmesh e diskriminimi kundër banorëve të besimit islam që kanë emigruar nga Kaukazi.

Autoritetet ruse nuk humbën kohë duke denoncuar përfshirjen e Ukrainës...

Pas këtij sulmi Putin rrezikon që të poshtërohet në skenën globale, prandaj edhe po e akuzon Ukrainën. Pak a shumë si Irani që pas çdo sulmi drejton gjithmonë gishtin nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

Çfarë pasojash mund të ketë ky sulm në qëndrimin e Rusisë ndaj luftës në Ukrainë?

Mund të ketë probleme serioze për ushtrinë ruse, e cila i rekruton ushtarët e saj kryesisht në zonat më periferike të vendit, si për shembull në Siberi. Sigurisht, ata që dërgohen sot në front nuk janë qytetarët e Moskës. Shumë banorë të Kaukazit janë të detyruar të luftojnë në Ukrainë dhe kjo gjë po krijon tensione të mëdha brenda federatës ruse.

Dhe më në përgjithësi, a mund të ketë ky sulm pasoja të drejtpërdrejta mbi politikën e jashtme të Moskës?

Asnjë ndikim. Sepse për momentin ky është një problem i brendshëm. Por rusët kanë një aftësi më të madhe për t`u përballur me goditjet sesa perëndimorët.

Pse Rusia nuk i dëgjoi paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara, të cilat vetëm 2 javë më parë e kishin parashikuar një sulm të tillë?

Vladimir Putini nuk u besoi raporteve të amerikanëve, pasi ai nuk e kuptoi se Uashingtoni po e vazhdon luftën e tij kundër terrorizmit global duke vazhduar paralelisht mbështetjen për Ukrainës. Për rusët ky është një qëndrim kontradiktor, por jo për amerikanët.

Për me tepër nga ana e presidentit rus ka jo pak paranoja. Ai i sheh paralajmërimet si një kurth të amerikanëve. Kësaj duhet t’i shtohet edhe arroganca e shërbimeve sekrete të Moskës, të cilat as që ishin në dijeni të kërcënimeve të mundshme. Në këtë rast Putin u soll njëlloj si Stalini, i cili nuk e kishte parashikuar sulmin e Hitlerit në qershorin e vitit 1941.

Burimi: La Stampa/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë