Ekskluzive

‘Shto para të tjera’! Gjyqtarja kërkoi mbi 2 mln lekë. Skema e korrupsionit u përgjua nga burgu

Gazeta Si - Sërish telefonatat nga burgu të një të dënuari për plagosje, i cili nisi tentativat për ulje dënimi, ekzpozuan një rast tjetër korrupsioni në drejtësi.

Formula e përdorur është e njëjtë si edhe në raste të mëparshme që u kanë kushtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe mandej avokatëve, jo vetëm karrierën, por edhe lirinë.

Siç mëson Gazetasi.al, bëhet fjalë për të dënuarin Xhulio Musai një personazh i njohur në qytetin e Elbasanit, i shoqëruar jo pak herë nga policia për ngjarje të shumta.

Por krimi më i fundit që ai ka kryer, lidhet me akuzën e plagosjes me dashje për të cilën Gjykata e Elbasanit e dënoi me 3 vjet e gjashtë muaj burgim.

Pikërisht nga burgu, i akuzuari nisi tentativat për të dalë në liri përmes skemës së uljes së dënimit, ku dhe futi në lojë avokatin e tij, Ilir Pashaj, një ish-gjyqtar i dorëhequr nga sistemi pas nisjes së Vettingut.

Sipas burimeve të Gazetasi.al, negociatat për skemën korruptive, nisën gjatë këtij viti përmes një ndërmjetësi që është i afërt i të burgosurit dhe avokatit të tij.

Por më pas, i burgosuri fillon me telefonata, duke u shfaqur i interesuar mbi ecurinë e këtij procesi.

Burimet bëjnë me dije për Gazetasi.al, se nga telefonatat e përgjuara midis të burgosurit Xhulio Musai dhe avokatit të tij, por edhe shtetasit T.R., palët bien dakord, thonë burimet e Gazetasi.al, që për uljen e dënimit tek gjyqtarja Zamira Vyshka, të paguheshin 2 milionë lekë të vjetra.

Nga vëzhgimet e skuadrës së Byrosë Kombëtare të Hetimit, gjyqtarja e Elbasanit nuk shfaqet në asnjë përgjim dhe bisedat me të burgosurin ndiqen në mënyrë të pandërprerë nga avokati i tij, Ilir Pashaj.

Burime bëjnë me dije se Pashaj u tha familjarëve se do i ulte të arrestuarit 6 muaj burg për 200 mijë lekë. Avokati shfaqet në një kafene me familjarin-ndërmjetës të të burgosurit në qytetin e Elbasanit dhe pas këtij takimi, ai kërkon: “Shto të tjera”, - duke e çuar pagesën në 4 milionë lekë të vjetra.

Përgjimet tregojnë se si i burgosuri revoltohet në telefon dhe kundërshton, duke thënë se lekët ishin dhënë dhe se më mirë të bënte burg, se sa të shtonte para të tjera.

Herët në mëngjes, pas veprimeve dhe bindjes se gjyqtarja i kishte përftuar paratë, SPAK trokiti në shtëpinë e Zamira Vyshkës për t’i komunikuar masën e arrestit shtëpiak.

E njëjta masë u ndoq edhe për avokatin Pashaj dhe të burgosuri, të cilit bashkë me sekserin iu vendos masa e “arrestit me burg”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë