Drejtësia

Gjyqtarja e arrestuar për korrupsion mbetet në ‘arrest shtëpie’, avokati: Nuk ka prova

Gazeta Si - Gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka, e akuzuar se mori ryshfet për të zbutur masën ndaj një të burgosuri është lënë në "arrest shtëpie" nga GJKKO.

Gjyqtarja u shoqërua nga punonjës të forcave “Shqiponja”, ndërsa u arrestua të premten për akuzën e korrupsionit.

Gjithashtu,GJKKO ka lënë në burg avokatin Ilir Pashaj, duke mos e ndryshuar masën “arrest me burg” ndaj tij.

Masa nuk është ndryshuar as për të arrestuarin, Xhulio Musaj dhe familjarin e tij Taulant Romalari, të cilët do të vijojë të qëndrojnë në burg.

Dy funksionarët e drejtësisë, Vyshka dhe Pashaj, akuzohen për “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, është një rast i korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë, ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit.

Bëhet fjalë për familjarë të Xhulio Musajt, i cili ishte arrestuar për plagosje dhe që me anë të avokatit të tij, Ilir Pashaj i ofruan gjyqtares 2 milionë lekë të vjetra.

Por pas takimit me gjyqtaren, sipas SPAK ajo ka kërkuar më shumë para deri në vlerën e 4 milionë lekëëve të vjetra.

Informacionet për këtë rast korrupsioni, SPAK i ka marrë në rrugë operative dhe në sajë të përgjimeve nga burgu mes të burgosurit dhe familjarëve të tij.

Avokati i gjyqtares mohon akuzat: Nuk Ka prova

Ndue Pjetra, avokati i gjyqtares Zamira Vyshka, ka mohuar akuzat se klientja e saj ka kërkuar 400 mijë lekë ryshfet për uljen e masës së sigurisë të të burgosurit Xhulio Musai.

Sipas tij, në seancë gjyqtarja i ka qëndruar të njëjtave deklarime se është e pafajshme dhe nuk ka pasur asnjë ndikim për ulje dënimi.

Ndër të tjera, avokati Pjetra thotë se i dënuari ka probleme të shëndetit mendor dhe nuk ka pasur asnjë tentativë për të pasur komunikimin me gjyqtaren.

Sa i përket parave, thekson se i gjithë fisi kishte hedhur nga 100 mijë lekë që të paguanin avokatin dhe shton se nuk ka asnjë provë për ryshfet, por i cilëson si lojëra politike.

“Deri tani rezulton që të gjitha janë lojëra politike dhe ai person i cili ka diskutuar dhe ka folur lidhur me këtë situatë, është kushëriri i tij që ka mashtruar familjarët. Ka marrë 3 kredi dhe e deklaroi që unë i kam marrë dhe këto lekë i kam bërë vetë që të paguaj kredinë. Të gjithë thanë në sallë që nuk e njihnin. Nuk ka bërë asgjë. Deklaruan se nuk ka lidhje as gjyqtarja, as avokati. Nuk ekziston ulje dënimi, as pagesë, asgjë. Nuk del në asnjë vend. Prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë. Bëhet fjalë për konspiracion”, tha avokati.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë