Drejtësia

Arrestohet për korrupsion gjyqtarja e Elbasanit, avokati dhe familjarë të një të dënuari

Gazeta Si - Gjyqtarja e Elbasanit, Zamira Vyshkja dhe avokati Ilir Pashaj, janë arrestuar për korrupsion, pasi kërkuan 400 mijë lekë për zbutjen e dënimit me 6 muaj burg ndaj të dënuarit Xhulio Musai.

Së bashku me ta, janë vënë në pranga edhe 3 familjarë që do të jepnin lekët. GJKKO ka caktuar masat e sigurimit "arrest shtëpie" për gjyqtaren ndërsa "arrest me burg" për avokatin Pashaj dhe dy familjarë të Musajt. Familjari i tretë është lënë në "arrest shtëpie".

Kërkesa ka ardhur nga SPAK pas hetimeve për korrupsion aktiv dhe pasiv në radhët e gjyqtarëve si dhe për moskallëzim krimi.

Me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Vyshka ka marrë një sasi monetare më qëllim që të favorizonte në caktimin e masës së dënimit të një shtetasi të arrestuar. Sipas SPAK, ajo akuzohet për  korrupsion dhe krim të organizuar.

“Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim  në caktimin e masës së dënimit”, thuhet në një njoftim të SPAK.

Sipas SPAK, gjyqtarja dhe avokati do të merrnin shumën prej 400 mijë lekë të reja në tetor të vitit 2021 për të ulur dënimin me 6 muaj burg ndaj një të dënuari.

Në shkurt të këtij viti, gjyqtarja e Krujës Enkelejda Hoxha u dënua nga GJKKO me akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, për shkak se lironte nga burgu në mënyrë të paligjshme persona të dënuar.

Por falë gjykimit të shkurtuar dhe kohës që kishte kaluar në qeli që prej arrestimit, ajo u lirua në qershor.

Po ashtu për Hoxhën u dha edhe dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Gjatë seancave, ish-gjyqtarja ka kërkuar pafajësi në gjykatë, pasi pretendoi se arrestimi i saj ishte një sulm politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë