Drejtësia

E akuzuar për korrupsion, SPAK kërkon 4 vjet burg për ish-gjyqtaren Zamira Vyshka

Gazeta Si - SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vjet burg për ish-gjyqtaren e Elbasanit Zamira Vyshka, e akuzuar për korrupsion.

Për shkak se gjykata ka pranuar më herët gjykimin e shkurtuar, nëse dënohet, Vyshka do të vuajë dënimin me 2 vite e 6 muaj.

Hetimet për ish-gjyqtaren u mbyllën në dhjetor të vitit që lamë pas. I pandehur përfundoi edhe avokati Ilir Pashaj dhe 3 qytetarë, të cilët do të paguanin një shumë monetare për lehtësimin e dënimit të familjarit të tyre. Vyshka është duke u hetuar në arrest shtëpie dhe ka mohuar akuzat e SPAK gjatë hetimeve paraprake.

Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj, ish-gjyqtar i larguar nga detyra para Vettingut, u arrestuan me 22 korrik me urdhër të SPAK, me akuzën e korrupsionit me një skemë të uljes së dënimit ndaj një shtetasi kundrejt rryshfetit.

Arrestimet erdhën pasi përgjimet dhe vëzhdimet e Prokurorisë së Posaçme nxorën zbuluar gjyqtaren dhe avokatin Ilir Pashai.

Bëhet fjalë për të pandehurin Xhulio Musai, i akuzuar për plagosje, i cili kërkoi ulje dënimi me 6 muaj burg duke ofruar shumë 200 mijë lekë me negociator avokatin Ilir Pashai. Por gjyqtarja kishte kërkuar dyfishin, 400 mijë lekë.

Ata ishin të gatshëm të jepnin paratë e kërkuara për të lehtësuar dënimin e Xhulio Musait, por me rritjen e shumës nga gjyqtarja familjarët nuk kishin pranuar.

Disa ditë më parë, Ndue Pjetra, avokati i gjyqtares Zamira Vyshka, ka mohuar akuzat se klientja e saj ka kërkuar 400 mijë lekë ryshfet për uljen e masës së sigurisë të të burgosurit Xhulio Musai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë