Drejtësia

Zamira Vyshka sërish në ‘arrest shtëpie’, Apeli i GJKKO refuzon lirimin e gjyqtares

Gazeta Si - Gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka, e cila akuzohet nga SPAK për korrupsion, do të vijojë të qëndrojë në "arrest shtëpie".

Vyshka kërkonte heqjen masës së sigurisë, ndërsa Apeli i GJKKO-së nuk e pranoi. Pas seancës, gjyqtarja tha se vendimi i gjykatës ishte i padrejtë, por nuk argumentoi qëndrimin e saj.

“Është e stisur dhe e montuar për të goditur imazhin tim. Vendimet e mia kanë qenë të rregullta dhe konform ligjit. Për rastin për të cilin akuzohem, është ndjekur procedura normale dhe nuk është konstatuar asnjë shkelje”, ka pretenduar gjyqtarja në gjykatë.

Të njëjtën masë, GJKKO vendosi edhe për Arben Tiranën, ndërsa u rikonfirmua masa e “arrestit me burg” për Ilir Pashajn, Taulant Ramollarin, e Xhuljo Musain.

Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj, ish-gjyqtar i larguar nga detyra para Vettingut, u arrestuan me 22 korrik me urdhër të SPAK, me akuzën e korrupsionit me një skemë të uljes së dënimit ndaj një shtetasi kundrejt rryshfetit.

Arrestimet erdhën pasi përgjimet dhe vëzhdimet e Prokurorisë së Posaçme nxorën zbuluar gjyqtaren dhe avokatin Ilir Pashai.

Bëhet fjalë për të pandehurin Xhulio Musai, i akuzuar për plagosje, i cili kërkoi ulje dënimi me 6 muaj burg duke ofruar shumë 200 mijë lekë me negociator avokatin Ilir Pashai. Por gjyqtarja kishte kërkuar dyfishin, 400 mijë lekë.

Ata ishin të gatshëm të jepnin paratë e kërkuara për të lehtësuar dënimin e Xhulio Musait, por me rritjen e shumës nga gjyqtarja familjarët nuk kishin pranuar.

Disa ditë më parë, Ndue Pjetra, avokati i gjyqtares Zamira Vyshka, ka mohuar akuzat se klientja e saj ka kërkuar 400 mijë lekë ryshfet për uljen e masës së sigurisë të të burgosurit Xhulio Musai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë