Ngjarje

Shtëpitë e vjetra që shkatërroi tërmeti në Ndroq

Të dielën Arturi nuk shkoi në punë të lajë makina. Qëndroi në shtëpinë që ia shkatërroi tërmeti. Pasi siguroi një copë dru që mendon se është mjaftueshëm i fortë, e qep me gozhdë në formë T-je, dhe në qendër të dhomës e vendos si tra për të parandaluar rrëzimin e tavanit. Por, tavani është krisur, është lakuar dhe mbushur me vrima, ashtu si dhoma tjetër që ka të çara mes çatisë, mureve dhe çdo faqeje muri. Janë gjurmët e një tërmeti që ka shembur së jashtmi cepat e banesës njëkatëshe. Arturi dhe dy vëllezërit e tij më të vegjël se ai shpresuan se duke bërë këtë ndërhyrje do kenë mundësi të strehohen dhe mos flenë te të afërmit. Shtëpia e tij është një ndër më të dëmtuarat në Pezë Helmës, fare pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit. Tre djemtë e familjes Mema mbetën vetëm, pasi dy prindërit e tyre u evakuuan dhe u dërguan drejt një qendre sociale.

Artur Mema, duke rregulluar shtëpinë

Babai i paralizuar

Vaid Mema ishte shtrirë në krevat, pasi prej kohësh paraliza e ka gozhduar. Gruaja e tij me mund teksa gjithçka tundej u mundua dhe e nxori jashtë bashkëshortin. Tjegullat e strehës së sajuar në shtëpinë përdhese me vetëm dy dhoma i fluturuan mbi kokë. Kur të dy burrë e grua u gjendën në oborr, panë se shpëtuan paq, por teksa më vonë i çuan në qendrën sociale ku do të strehohen pa afat, kuptuan se ajo shtëpi ku kishin rritur tre djemtë, ishte tanimë një grumbull gurësh të rrezikshëm.

Shtëpia e të moshuarit të paralizuar

Por, ndërsa prindërit i strehuan në një qendër sociale, tre djemtë kanë ngelur në mëshirën e kushërinjve. Policia ua ka bërë të qartë se nuk mund të hyjnë më. Një komshi kujton se banesa është ndërtuar shumë vite më parë në vitin 1970 me kontributin vullnetar të secilit. Dhe ky  tërmet më shumë se çdo gjë tjetër nxori në dritë akoma më shumë varfërinë e shumë banorëve në zonat rurale, të cilët në pamundësi për të ngritur vila të reja, jetonin brenda tyre, me shpresën se shteti do tundej një ditë dhe do t’i hidhte sytë nga ata. Por i pari që i shkundi qe tërmeti.

Arturi tregon se me të ardhurat si lavazhier, si fillim paguan ilaçet e shtrenjta të të atit. Nuk patën kurrë shanse që të ndërtonin një të re dhe varfërinë e tyre e ka nxjerrë akoma më zbuluar tërmeti.

Shtëpia e Artur Memës

"Mendoj që sonte do qëndroj te xhaxhai, për më tej nuk di, nuk di asgjë", thotë i riu, që fjalëpakët e mbyll se “I di Zoti këto punë”. Gjyshja e Arturit që del në krye të rrugës thotë për gazetën Si “se kështu ka pas ndodhur edhe dikur një tërmet i fortë, por kësaj radhe, ah djali për pak më ngeli nën gurë”.

Por, ndërkohë në dy nga fshatrat Ndroq dhe Pezë Helmës që kanë më shumë banesa të vjetra ka të rinj që pohojnë se janë pjesë e shtabit të emergjencës dhe po kontrollojnë dëmet e shkaktuara.

Besmir Kola është administrator i Njësisë Pezë. Me një letër përpara ku shkruhen numra shtëpish dhe dëmesh, ai flet shpesh në telefon dhe përcjell të dhëna. Ai tregon për gazetën Si se “Në total janë dëmtuar 80 banesa që përfshijnë dhjetë fshatra. Mes tyre kemi tetë shtëpi të dëmtuara plotësisht. Duhet theksuar se 99 për qind e banesave të dëmtuara janë ndërtesa të vjetra të viteve para ‘90. Për tre prej tyre kemi çuar çadrat, pasi ata nuk mund të qëndrojnë më brenda”.

Qani Merepeza dhe bashkëshortja e tij ndjek me shikim kryeplakun, teksa ai i ngul në oborr të shtëpisë çadrën. Qaniu thotë se “mbrëmjen e të shtunës fjetën jashtë, ja ku i kemi lënë jorganët e jastëkët jashtë, nuk hyj më në atë shtëpi”. Edi që është bashkëfshatar me të dhe po ashtu kryeplak, kësaj radhe përfaqëson vullnetin e shtetit për t’i dhënë një dorë. Pas pak të dy nën instruksionet e një blloku montojnë me ndihmën e njëri-tjetrit një çadër, e cila nuk dihet sesa do të qëndrojë aty dhe se kur do nisin punimet për shtëpinë e dëmtuar.

Qani Merepeza në shtëpi

Por, Kola administrator i Pezës shton për gazetën “Si” se “po kryhet verifikimi i të gjitha rasteve që tregojnë dëmtimet për familjet e prekura. Nga e hëna komisioni i Emergjencave Civile do t’i vlerësojë rast pas rasti dëmet materiale, por edhe orenditë shtëpiake”.

Megjithatë, Qaniu shpreson që të paktën pas tërmetit të mos vazhdojnë shirat. “Kam punuar në mirëmbajtjen e rrugëve tregon i moshuari, jetoj me pension dhe lekët asnjëherë s’më mjaftuan ta rregulloja. Tërmeti më shtoi edhe këtë hall”, thekson ai.

Qani Merepeza, duke rregulluar çadrën

Shtëpia e të moshuarit ka në ballë të derës një tabelë të vjetër që tregon se dikur është përdorur si bazë e luftës antifashiste nacionalçlirimtare. “Nuk ka më rëndësi asgjë thotë me dialekt Qaniu, kur mendoj që shkallët tunden dhe bien copa tavani, nuk më vjen keq për shtëpinë, por si do na vejë neve halli”.

Pak më vonë, pasi çadra është montuar, Qamili mundohet të mësojë prej kryeplakut se ku është dera dhe dritarja e një shtëpie që s’është asgjë tjetër veç një çadër, në të cilën fryn një erë e fortë që do t’i lërë dy të moshuarit në qiell të hapur. Të tjerët kanë vetëm krisje në mure e në tavane, por edhe atyre u ka mbetur paniku dhe frika: po sikur të bjerë sërish tërmet?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë