Ngjarje

Shuhet zjarri i madh në Krujë, flakët rrezikuan banesat dhe spitalin

Gazeta Si – Është shuar këtë mëngjes në 9 gusht zjarri i madh i rënë gjatë mbrëmjes së të shtunës në Malin e Krujës.

Situata në terren nga flakët gjatë mbrëmjes së 8 gushtit ka qenë tepër problematike. Zjarrfikësit dhe forcat e tjera në terren mësohet se kanë bërë evakuuimin edhe të shumë banorëve, për shkak se zjarri ka qenë shumë pranë qytetit, duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve.

Rreth orës 02:00 të mëngjesit, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi përmes një postimi në rrjetet sociale bënte me dije se në terren për të shuar flakët u aktivizuan mbi 280 efektivë dhe forca operacionale, 200 efektivë të strukturave emergjente, si dhe 80 efektivë të mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi.

Në një përditësim të mëvonshëm në orët e para të mëngjesit të sotëm, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se falë punës së pandërprerë të efektivëve në terren, flakët shkuan thuajse drejt shuarjes totale.

Në Barabit dhe Lluban u paraqit situata më e vështirë pasi zjarri i favorizuar nga era përparoi me shpejtësi drejt zonave të banuara.

Qindra qytetarë u detyruan të evakuoheshin madje pati edhe nga ata që u morën me forcë sepse refuzuan të braktisnin shtëpitë.

Edhe spitali i Krujës u vu në rrezik pasi zjarri u afrua deri në 50 metra tek godina duke bërë që pacientët të evakuoheshin gjatë natës për t’u dërguar drejt Tiranës. Fatmirësisht nga flakët nuk ka patur persona të lënduar.

Në një reagim, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e forcave që u angazhuan për shuarjen e flakëve.

Ai bëri të ditur se beteja me zjarrin përfundoi me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe pa persona të dëmtuar. Ai theksoi se situata ishte veçanërisht e vështirë për shkak të erës së fortë dhe pamundësisë për të përdorur gjatë natës mjetet zjarrfikëse nga ajri.

Sipas kryeministrit, forcat zjarrfikëse, ushtarake dhe policore u përballën me flakët me heroizëm dhe profesionalizëm. Rama vlerësoi se ndërhyrja e tyre shmangu një bilanc tragjik për banorët e zonës.

Zjarrvënia në Malin e Krujës dyshohet se u shkaktua nga dora e njeriut. Strukturat policore bënë me dije se kanë vënë në pranga një 73-vjeçar, që dyshohet për zjarrvenien.

Q.B., banues në lagjen “Abaze”, dyshohet se ka ndezur zjarr pranë banesës së tij, për të djegur një sasi bari. Flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe të favorizuar nga era, janë përhapur në drejtim të Malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë