Politike

Siguria e banesave nga tërmetet, Meta fton Agjencinë Ndërkombëtare Atomike

Presidenti Ilir Meta fton në Shqipëri Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për të bërë një vlerësim mbi sigurinë e rezistencën e banesave. Presidenca njofton se vlerësimi teknik i banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara është tepër i domosdoshëm, ndaj presidenti ka ndërmarrë një nismë të tillë. “Ndaj duke vlerësuar dhe solidaritetin e vendeve partnere dhe Bashkimit Europian, Presidenti Meta i kërkon qeverisë të ftojë zyrtarisht edhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, që ka kapacitetet e duhura për të përcaktuar sigurinë dhe rezistencën e banesave, pallateve dhe godinave të dëmtuara nga kjo fatkeqësi natyrore. Keqpërdorimi nga kushdo i kësaj situate, nuk është rruga e duhur për të përballuar një shqetësim të përgjithshëm, në mënyrë të bashkuar dhe të përgjegjshme, vetëm në interes të qytetarëve të traumatizuar nga tronditjet dhe pasojat në banesat e pronat e tyre. Të gjithë duhet të shtojnë kontributet pozitive dhe solidare në bazë të përgjegjësive institucionale, politike, shoqërore dhe qytetare”, thuhet në reagimin e presidencës.
Qeveria ka ngritur grupe pune për të evidentuar në terren dëmin e shkaktuar në banesa që deri më tani përllogariten në 500. Ministrja e Infrastrukturës, Balluku ngritur grupe inxhinierësh që do të dalin në terren për të inspektuar dhe ka theksuar se nuk ka pasur dëme në struktura të këtyre objekteve, por vetëm plasaritje. Nuk dihet nëse kjo nismë e presidentit është konsultuar ose jo me përfaqësues të qeverisë ose jo.
Gjithashtu Kreu i shtetit gjithashtu ka bërë apel për të ruajtur qetësinë në këto momente. “Presidenti vlerëson ruajtjen e qetësisë nga të gjithë dhe rëndësinë e frymës së bashkëpunimit dhe solidaritetit njerëzor, pa përjashtim, nga aktorët institucionalë, politikë, shoqërorë dhe mediatikë, për normalizimin e plotë të situatës, pas tronditjeve të ditëve të fundit. Transparenca dhe përgjegjshmëria maksimale për evidentimin e pasojave është tepër e rëndësishme në këto momente”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Kujtojmë se presidenti Meta ishte në qendër të vëmendjes për reagimet të disa muajve më parë kur kërkonte mbledhjen e Këshillit të Sigurisë për shkak se mund të kishte tërmete apokaliptike. Ai bazohet te të dhënat e ofruara nga sizmologu grek kis Tselentis, profesor i Sizmologjisë në universitetin e Athinës, drejtor i Institutit të Gjeodinamikës në Observatorin Kombëtar të Athinës, drejtor i Qendrës Kombëtare të Cunamit. Por apeli i Metës për të thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare ra në vesh të shurdhër nga qeveria, e cila refuzoi që të diskutohej mbi masat që duhet të ndërmerrte shteti në rast të një situate apokaliptike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë