Ngjarje

Shqiptarët të nëntët për azil në vendet e BE-së për vitin 2018

Shqiptarët mbajnë vendin e nëntë në listën e azilkërkuesëve për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian përgjatë vitit 2018-të.

Gjatë vitit që lamë pas ishin 19 025 shqiptarë që kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së.

Eurostat ka raportuar statistikat e kërkesave për azil për herë të parë në vendet anëtare të BE-së që rezultojnë me rënie krahasimisht me vitin paraardhës prej 11%.
Të dhënat tregojnë se janë regjistruar 580 mijë azilantë për herë të parë në vendet e BE-së në 2018-ën. Sirianët, Afganët dhe Irakenët vazhduan të jenë në krye të listës së azilkërkuesëve në vitin referues.

Në 2017-ën u regjistruan 654 600 kërkesa për azil për herë të parë për mbrojtje ndërkombëtare dhe më pak se gjysma e numrit të regjistruar në vitin e pikut 2015 kur u regjistruan 1 256 600 aplikantë për azil. Numri i aplikuesve në vitin 2018 është i krahasueshëm me nivelin e regjistruar në 2014-ën, para kulmeve të 2015-ës dhe 2016-ës.
Sirianët (80 900 aplikantë për herë të parë), Afganët (41 000) dhe Irakenët (39 600) vazhduan të jenë kombësitë kryesore të njerëzve që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së në 2018, që së bashku përbënin gati 30% të të gjithë aplikantëve për herë të parë.

3 në 10 aplikuan për azil në Gjermani

Me 161 900 aplikantë për herë të parë të regjistruar në 2018-ën, Gjermania llogariti 28% të të gjithë aplikantëve në Shtetet Anëtare të BE-së.

Ajo u pasua nga Franca (110 500 ose 19%), Greqia (65,000 ose 11%), Spanja (52,700 ose 9%), Italia (49,200 ose 8%) dhe Mbretëria e Bashkuar (37,300 , ose 6%).

Në mesin e shteteve anëtare me më shumë se 5 000 azilkërkues për herë të parë në vitin 2018-të, numri i aplikantëve, u rrit më shumë krahasuar me vitin paraprak në Qipro (+ 70% ose 3 100 më shumë azilkërkues për herë të parë në 2018 sesa në 2017-ën) dhe Spanja (+ 60%, ose 19 700 më shumë), Belgjika (+ 29%, ose 4 100 më shumë), Holanda (+ 27%, ose 4 400 më shumë), Franca (+ 20% 500 më shumë) dhe Greqia (+ 14%, ose 8 000 më shumë).

Kurse ulja më e madhe relative u regjistrua në Itali (-61%, ose 77 400 më pak), Austri (-49%, ose 11 100 më pak), Suedi (-19%, ose 4 100 më pak) dhe Gjermani (-18 %, ose 36 400 mëpak).

Sirianët, Afganët dhe Irakenët – kombësitë kryesore që aplikuan më shumë për azil

Sirianët (14% e numrit total të aplikantëve për herë të parë), ishin shtetësia kryesore e azilkërkuesve në BE.

Një pozicion që mbahet çdo vit që nga viti 2013. Nga 80 900 sirianë që kërkuan azil për herë të parë në BE në vitin 2018, më shumë se gjysma u regjistruan në Gjermani (44 200 ose 55% . Siria ishte shtetësia kryesore e azilkërkuesve në tetë shtete anëtare të BE-së.

Më pak se 900 000 aplikime azilantësh pezull në fund të 2018-ës

Kërkesat pezull për mbrojtje ndërkombëtare janë aplikime që janë bërë në çdo kohë dhe ende janë në shqyrtim nga autoritetet kombëtare në fund të periudhës referuese.

Me fjalë të tjera, ata i referohen "veprimeve" të aplikimeve për të cilat vendimet ende janë në pritje. Kjo statistikë synon të matë ngarkesën e punës së autoriteteve kombëtare.
Në fund të vitit 2018, ishin 878 600 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të BE-së ende në konsideratë nga autoritetet kombëtare (duke përjashtuar Finlandën, pasi të dhënat nuk ishin në dispozicion).

Në fund të vitit 2017, kjo shifër ishte pak më e lartë (927 000). Gjermania kishte pjesën më të madhe të aplikimeve në pritje në BE në fund të vitit 2018 (384 800 ose 44% të totalit të BE-së), Italia (103 000 ose 12%), Spanja (78.700 ose 9% dhe Greqia (76 300, ose 9%).

*Burimi: Eurostat


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë