Trend

Shqiptarët (nuk) konsumojnë akullore në dimër

Edhe pse dimër, me temperaturat që shkojnë deri në minus, në Tiranë shihen akoma njerëz që në duar mbajnë akullore.

Shitëset tek Ëmbëltore “Behari” në rrugën e Durrësit tregojnë për Gazetasi.al se akulloret konsumohen në çdo sezon edhe pse normalisht, jo në të njëjtin vrull pasi në muajin janar bie ndjeshëm konsumimi i tyre.

Të tjera shitëse akulloresh pohojnë këtë fakt por shtojnë se gjatë dimrit detyrohen të përfshijnë produkte të tjera në dyqan pasi është e pamundur të mbahet hapur vetëm me akullore pasi konsumi nuk është aq i lartë.

“Gjatë dimrit shtojmë dhe disa ëmbëlsira të vogla apo pije të ndryshme sepse nuk mund të vazhdojmë vetëm me akulloret. Në ditë mund të shes 20 akullore këto ditë (Janar) ndërkohë që në muajt e pranverës dhe verës mund të shesim 20 akullore për pak minuta”, thotë një nga shitëset në një dyqan akulloresh në Rrugën e Durrësit.

Pyetur nga Gazetasi.al, qytetarë të ndryshëm në rrugët e Tiranës tregojnë se akulloret në fakt i shohin si një mëkat të bukur që tundohen ta bëjnë në dimër edhe pse disa i shkojnë tundimit deri në fund e të tjerë i qëndrojnë stoik idesë se “akulloret në dimër bëjnë keq”.

Danjel Sejati, pronari i “Shtëpia e akullores”, një biznes i dedikuar (vetëm) akulloreve, tregon për Gazetasi.al se i është dashur të “improvizojë” gjatë muajve të dimrit pasi vërejti se të prodhojë vetëm akullore në dimër ishte një “vetëvrasje” për biznesin e tij.

“Unë nga tetori në shkurt e mbyll prodhimin e akulloreve sepse edhe pse mund të ketë kërkesë por raporti “kërkesë- shitje-shpenzime” bën që mos t’ia vlejë”, thotë Sejati.

Shtëpia e Akullores, Gazeta "Si", 11 Janar, 2022.

Ai tregon se ka shumë klientë të përhershëm që i thonë “Na bëj akullore në dimër” por siç ka treguar historia, “asnjë nuk qaset t’i konsumojë”.

Sejati e ka provuar për dy vite që ta mbajë hapur dyqanin e tij me vetëm akullore por nuk ka funksionuar pasi shitjet ishin shumë të pakta për të mos thënë një dështim.

“Kur kishte shi as nuk bëhej fjalë të vinte njeri në dyqan për akullore. E kam mbajtur hapur deri në dhjetor dhe kuptova se nuk ia vlente”, thotë Sejati.

Kjo e ka shtyrë Sejatin të specializohet dhe në bërjen e ëmbëlsirave në mënyrë që të vazhdojë ta mbajë hapur dyqanin e tij edhe në dimër.

Gjatë këtyre muajve (tetor-shkurt), “Shtëpia e akullores” kthehet në bar-kafe, ëmbëlsira, çarja, krepa dhe produkte të tilla.

“Ka raste sporadike, shumë të rralla që mund të kërkojnë akullore”, thotë Sejati i cili shton se interesant është reagimi i personave që duan akullore në dimër dhe marrin një përgjigje negative.

“Janë të dyja ekstremet. Janë vajzat që ‘zhgënjehen’ pse nuk kemi akullore në dyqan ndoshta sepse njerëzit që i konsumojnë akulloret në dimër e bëjnë këtë sepse vërtetë i duan. Për shembull, ka vajza që i duan dhe pikë e kur nuk ka, reagojnë duke thënë “Pse nuk ka, tani i duam, kemi neps” dhe gjëra të tilla”, thotë Sejati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë