Menaxhim

Shqipëria ka sezon të gjatë turizmi, por turistët përqendrohen në pak muaj

Nga Gazeta "SI" - Shqipëria është ndër vendet që ka një nga sezonet për turizëm më të gjata në Europë, por turistët që vijnë këtu, janë të përqendruar në pak muaj. Sezonaliteti në Shqipëri, matur sipas devijimit mujor nga turistët, rezulton me një mesatare prej 7% në muaj për vitin që shkoi.

Sipas Eurostat, devijimi sezonal matet sipas diferencës mesatare që kanë netqëndrimet e turistëve nga muaji në muaj. Pra, përqendrimi i turistëve në pak muaj dhe mungesa e tyre në muaj të tjerë.

Në vend të parë në këtë ndarje është Kroacia, me pothuajse 10%, ndjekur nga Mali i Zi dhe Greqia me 8% e më pas vendi jonë. Këto vende kanë kulmin turistik gjatë muajit gusht. Eurostat shpjegon se devijimi sezonal nisi të rritej që pas pandemisë, pasi më herët turistët lëviznin në balancë gjatë muajve të vitit. Pandemia “eliminoi” dimrin nga sezonet turistikë, që për këto shtete ishte kulmi i dytë turistik.

Sipas netqëndrimeve, gjatë vitit 2021, 53% e totalit në Shqipëri, ndodhën në muajt korrik dhe gusht. Nga ndarjet sipas llojit të akomodimit, 94% e turistëve që vizituan vendin tonë vitin e shkuar, qëndruan në hotele apo akomodime të tjera të ngjashme. 5% e tyre qëndruan në hotele, por për një kohë shumë të shkurtër dhe 1% e tyre në kamping, rulet apo akomodime të tilla të ngjashme.

Turistët e huaj ishin ata që mbajtën dhe sektorin gjatë sezonit veror 2021, me 64% të totalit dhe ato vendas vetëm 36%.

Zyra europiane e statistikave, shpjegon se sezonaliteti në turizëm reflektohet dhe në statistikat e punësimit dhe se ka pasur një paragjykim sezonal shumë më të fortë në sektorin e akomodimit sesa në të gjithë sektorin HORECA (hoteli, restorante dhe katering).

Më herët Banka Botërore, në një studim për sektorin turistik të Shqipërisë, përcaktonte si problem kryesor, sezonalitetin e sektorit, pasi luhat tregun e punës dhe financat personale të bizneseve të vogla.

“Sezonaliteti i turizmit masiv është problematik, pasi edhe oferta e akomodimit nuk arrijnë të plotësojnë kërkesën në sezon, por e tejkalojnë kërkesën gjatë pjesës tjetër të vitit, duke dobësuar ecurinë financiare të sektorit. Ndërkohë, stafi i bizneseve turistike punësohet përkohësisht për sezonin e verës dhe pushohet nga puna në dimër, duke e bërë turizmin një zgjedhje jo tërheqëse karriere. Përveç kësaj, sitet e njohura, objektet dhe shërbimet mund të mbingarkohen nga turmat dhe trafiku i automjeteve në korrik dhe gusht, me ndikime negative për mjedisin, cilësinë e jetës për banorët dhe përvojën e turistëve”, thekson Banka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë