Analize

Shqipëria ka fshirë filmimet e arratisjes së Nikolla Gruevskit!

Nga Xhuliana Toci -Gati tre muaj më parë, ish-kryeminstri Nikolla Gruevksi bëri bujë me arratisjen nga Maqedonia përmes Shqipërisë. Por edhe pse kanë kaluar javë të tëra, e vërteta e arratisjes së Gruevskit vazhdon qëndrojë e veshur me mistere, për shkak siç raportohet, autoritetet tona kanë fshirë të gjitha pamjet filmike të kalimit të ish-kryeministrit në pikat kufitare të Shqipërisë.

Ndërkohë që mediat zbardhnin itinerarin e ndjekur nga ish-kryeministri në arratisjen e tij nga Shkupi në Budapest, Maqedonia ka qenë prej muajsh në pritje të filmimeve të kamerave të sigurisë nga pikat kufitare të Shqipërisë, pritje e cila ka rezultuar të jetë e kotë.

Prokurori publik i vendit fqinj, Lubomir Joveski, deklaroi të martën se Tirana nuk i është përgjigjur kërkesës për ndihmë juridike ndërkombëtare dhe nuk ka siguruar filmimet e momentit të arratisjes së Gruevskit, duke deklaruar se ajo ishin fshirë automatikisht.

Kryeprokuroi maqedoans Lubomir Joveski

I pyetur nëse Policia Kufitare e Shqipërisë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë maqedonase për dorëzimin e incizimeve, Joveski deklaroi se: “Ka disa arsyetime nga pala shqiptare, por kryesori është fakti se që ka pasur shumë materiale të incizuara dhe se sistemi nuk ka mundur t’i ruaj incizimet e vjetra”. Ai ka sqaruar para gazetarëve se nuk beson se regjistrimet të jenë fshirë qëllimisht, por se sistemi i mbikëqyrjes nga ana e Shqipërisë në mënyrë automatike ka fshirë regjistrimet e vjetra. Joveski sqaroi se Prokuroria Maqedonase është duke hetuar disa regjistrime që ka siguruar nga Mali i Zi, i cili i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shkupit.


Ndërkohë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, Ardit Bita, i pyetur nga Gazetën Si thotë se kërkesa e Shkupit për dorëzimin e pamjeve që kanë filmuar kamerat në kufi i është bërë Prokurorisë Shqiptare dhe se është ky institucion që i ka komunikuar autoriteteve maqedonase fshirjen e filmimeve.

“Në fakt letër njoftimi për dorëzimin e këtyre filmimeve i është dërguar Prokurorisë Shqiptare dhe Ministria e Brendshme nuk është shumë në dijeni të këtyre komunikimeve. Nuk jam shumë i sigurt, por si rregull zyrtar besoj se kamerat duhet të mbledhin deri në gjashtë muaj filmime dhe fshihen në mënyrë automatike”, thotë ai.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski

Dhe pyetja e parë që ngrihet është se përse autoritetet shqiptarë nuk u interesuan për sekuestrimin e menjëhershëm të këtyre pamjeve filmike, duke qenë se lajmi i arratisjes së Gruevsksit doli 24 orë pas kalimit të tij në vendin tone? Pyetja e dytë është si ka mundësi që Shqipërisë i janë fshirë “pa dashje” filmimet për arratisjen e Gruevskit, ndërkohë që Mali i Zi i ka dorëzuar Shkupit zyrtar dhjetëra filmime nga kamerat e tij kufitare, nga ku ish kryeministri shihet të hyjë nga vendi ynë drejt Malit të Zi?

Pyetja e tretë dhe më e rëndësishmja, është si ka mundësi që autoritetet shqiptare nuk posedojnë as filmimet e hyrjes së Gruevksit në tokën shqiptare dhe as ato të daljes? Ashtu si në nëntor, e vetmja e dhënë e sigurt edhe sot është që emri i Nikolla Gruevskit nuk figuron në sistemin TIMS në hyrje, por vetëm në dalje përmes pikës së Hanit të Hotit.

Edhe pse për hyrjen e Gruevskit në Shqipëri nuk ka ende një version zyrtar, burime nga policia deklaruar më 16 nëntor se ish-kryeministri maqedonas dyshohet se ka përdoruar pikën doganore të Bllatës në Dibër për të hyrë në territorin shqiptar me 11 nëntor 2018. Burime të policisë theksonin se kalimi i tij është bërë në mënyrë ilegale nga kufiri i gjelbër dhe është pritur nga një automjet i Ambasadës hungareze në Tiranë.

Policia shqiptare u zotua në atë kohë verifikojë kamerat dhe raportet e shërbimit në të pikat kufitare me Maqedoninë dhe Malin e Zi për të saktësuar nëse ka pasur shkelje në kalimin e Gruevskit, por siç doli tanimë, këto regjistrime rezultojnë të fshira. Në këtë pikë, kjo çështje behët edhe më misterioze, pasi nuk dihet nëse filmimet janë fshirë automatikisht para se të kontrolloheshin nga policia shqiptare apo pas. E vetmja gjë e sigurt është se në rrugë zyrtare autoritetet shqiptare i kanë komunikuar Shkupit se nuk posedojnë asnjë filmim.

Kjo histori duket se i pati fillesat një ditë pas arratisjes së Gruevskit, kur ministri i Punëve të Brendshme maqedonase Oliver Spasovski tha se Shkupi kishte kontrolluar të gjitha regjistrimet nëpër pikat kufitare, veçanërisht ato drejt Shqipërisë. Ai ngrinte dyshimet se edhe filmimet e palës maqedonase janë fshirë, pasi edhe në kamerat kufitare të vendit fqinj nuk kishte asnjë incizim të Gruevksit duke kaluar kufirin. “Nuk kam kurrfarë dyshimi se shërbimet kufitare të Maqedonisë janë të përziera në arratisjen e tij drejt Shqipërisë”, deklaronte në atë kohë Spasovski.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe presidenrti serb

Por si nisi arratisja e tij dhe çfarë roli pati Shqipëria në itinerarin e Gruevskit?

Kur në zyrën e Interpolit në Tiranë mbërriti njoftimi i shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Nikolla Gruevskit nga ana e autoriteteve maqedonase, ish-kryeministri I vendit fqinj kishte lënë territorin e Shqipërisë për të kërkuar ndihmën e Viktor Orbanit në Hungari.

Në bazë të marrëveshjes së lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, në fuqi prej vitesh tashmë, edhe sikur Gruevski të paraqitej në një pikë kontrolli shqiptare ai ishte i lirë që të vazhdonte më tej udhëtimin e rrjedhimisht edhe të dilte, ashtu siç doli nga Hani i Hotit.
Burime për Gazetën “Si” nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit thanë në nëntor 2018 se gjasat janë që ish-Kryeministri maqedonas të ketë kaluar i qetë dhe rehatshëm përmes pikave të kalimit kufitar dhe jo në këmbë nga mali.

Sipas burimeve, ka një “kod të heshtur” mes policëve si në anën shqiptare, ashtu edhe në atë maqedonase, ku ndërthuret neglizhenca, frika për të kontrolluar personalitetet e jetës publike dhe veçanërisht politikanët, por edhe si “shenjë respekti për ta”.


Ish-kryeministri Nikolla Gruevski ne Budapest

Burimet na thonë gjithashtu se pikërisht ky “kod” dyshohet se është aplikuar edhe në hyrjen, por edhe në daljen e tij në Shqipëri. “Aq më tepër që ai ka qenë në një makinë me targa diplomatike dhe i shoqëruar edhe nga një diplomat i Hungarisë në Tiranë”, na thonë burimet.

Ndërkohë, një investigim i “Deutsche Welle” zbuloi se pa diplomatët hungarezë në Shqipëri dhe Serbi, Gruevksi nuk do të kishte mundur të mbërrinte kurrë në Budapest. Politologu dhe eksperti i politikës së jashtme, hungareze, Andras Racz ka deklaruar se arratisja e Gruevskit ishte planifkuar deri në detaje.

“Rruga e Gruevskit nga Ambasada në Tiranë nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë në Hungari duket shumë mirë e organizuar”, thotë Racz. “Duke pasur parasysh këtë, sipas mendimit tim do të ishte e çuditshme, nëse qeveria hungareze nuk do ta kishte ndihmuar Gruevskin për arratisjen nga Maqedonia ose të paktën ka qenë informuar për detajet”, shton ai.

Sipas hulumtimeve, ish- kryeministri maqedonas në rrethin e tij të ngushtë kishte lënë përshtypjen se po përgatitej për të shkuar në burg, ndërsa në të vërtetë ai po përgatitej të ikte në Hungari nëpërmjet Shqipërisë. Në tre javët e fundit në parkimin nëntokësor të shtëpisë së tij kanë qenë disa herë automjete të misionit diplomatik të Hungarisë në Beograd. Mediat në Shkup madje kanë njoftuar se ai kishtë boshatisur edhe llogaritë e tij bankare para kësaj arratisje. Budapesti I ka ofruar strehim Politik, ndërsa Gruevski shijon kafet dhe shëtitjet në kryeqytetin hungarez, siç edhe është fotografuar nga ata që e kanë njohur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë