Politike

Çfarë di Rama se kush e ndihmoi “arratisjen” e Gruevskit përmes Shqipërisë?

Ditën kur ish-Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski njoftonte përmes rrjeteve sociale se ja kishte dalë mbanë që të largohej nga Maqedonia, Kryeministri Edi Rama ndodhej si i ftuar përballë një grupi gazetarësh në emisionin “Repolitix” në Report TV.

Mes gazetarëve të ftuar ishte edhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi. I përditësuar me zhvillimet e fundit që po ndodhnin në Shkup dhe për çështjen “Gruevski”, Lesi i dha një këshillë Kryeministrit Rama.

“Të uroj të jesh i qetë në muaj e fundit të qeverisjes. Merri një numër Gruevskit rezervë, që ta kesh”, i tha Lesi. Përgjigja ishte menjëherë e rrufeshme, atëherë kur Rama mes të qeshurës i tha Lesit se “do ja marr Presidentit se ai e ka mik”.

Shumë menduan teksa dëgjuan bisedën e të dyve se bëhej fjalë për një replikë të Kryeministrit që tregonte njëkohësisht çështjen e ngelur pezull mes Kabinetit “Rama” dhe Presidentit përsa kohë, nuk po dekretohej emri i propozuar për ministër të Brendshëm.

Por nuk përjshtohet mundësia që Edi Rama të ketë dhënë mesazh me nënkuptim për çështjen “Gruevski”, kur në të njëjtën ditë kur gjendej në emisionin ku u zhvillua kjo bisedë, ish-Kryeministri Nikola Gruevski përdori rrjetin social për të treguar se ishte arratisur nga vendi i tij.

Njoftimi në Facebook do të thoshte se 48-vjecari, i cili qeverisi për një dekadë në Maqedoni nuk ishte dorëzuar pranë autoriteteve për të vuajtur dënimin me dy vite burgim.

“Në ditët e fundit kam marrë kërcënime të panumërta për jetën. Jam në Budapest tani dhe kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze. Unë gjithmonë do të mbetem besnik për Maqedoninë. Nuk do të heq heq kurrë dorë!”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/NGruevski/posts/10156942186402716

Me këtë status, në datën 13 nëntor ora 13:11 ish-kryeministri Nikola Gruevski bëri me dije se ia kishte dalë mbanë me sukses të arratisej, pavarësisht se pasaporta e tij ishte e sekuestruar nga autoritet, në funksion të çështjes gjyqësore për të cilën ai u dënua me dy vite burgim, për shpërdorim të qeverisjes, për aq sa hetimet evidentuan mbi blerjen e një automjeti prej 600 mijë euro.

Shqipëria

Në të njëjtën datë, në orën 19:35, pra 6 orë më pas,  Shqipëria u informua për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Nikola Gruevskit, një komunikim mjaft me vonesë përsa kohë ,siç tregojnë faktet e mëpasshme Nikola Gruevski e kishte përdorur ndërkohë vendin tonë si një shtegkalimi drejt Hungarisë.

Policia shqiptare, thotë komunikimi, ishte mes Interpol Shkupit dhe Interpol Tiranës, ndodhi 24 orë me vonesë dhe një ditë pasi autoritetet vendase kishin lëshuar urdhër-arrestin dhe pasi kishin dështuar për të rënë në gjurmët e ish-kryeministrit. Ka dyshime se sakaq ish-Kryeministri ka hyrë gjatë fundjavës së kaluar në Shqipëri, menjëherë sapo Gjykata e Apelit kundërshtoi të premten, kërkesën e avokatëve të tij që të shtyhej dërgimi i ish-zyrtarit të lartë në një burg të sigurisë së zakonshme ku pritej të vuante dënimin.

Rrugetimi i Gruevskit drejt "lirise"

I gjithë itenerari që ka ndjekur nga Maqedonia deri në Tiranë është organizuar nga një biznesmen i fuqishëm shqiptar që ka lidhje edhe me politikanë të njohur. Biznesmeni që ka qenë dikur shofer, ka gjithashtu biznese në Shqipëri dhe në Maqedoni. Të paktën kjo është paraprakisht alibia kryesore e agjencive ligjzbatuese, të cilat dyshojnë se ai e ka kaluar ish-kryeministrin në pikën kufitare të Bllatës.

Si bashkëpuntor të tij nuk përjashtohen edhe zyrtarë policie, pavarësisht se në hyrje në sistemin TIMS, Nikola Gruevski nuk rezulton i regjistruar. E gjitha kjo ka lënë ta hapura spekullimet se ish-Kryeministri mund të ketë hyrë edhe nga kufiri i gjelbër në mënyrë klandestine, një version që mbetet i paprovuar.

Në funksion të dyshimit të fundit, për sa kohë autoritet duan të zbulojnë si hyri Nikola Gruevski pa pasaportë dhe nuk u regjistrua në kufi, po kryhen verifikime. Mes tyre është kontrolluar edhe një banesë në Gollobordë të Dibrës, një vilë që zotërohet nga një biznesmen i cili ka lidhje në Maqedoni. Por nuk janë gjetur të dhëna kompromentuese që do të bindnin palën shqiptare për kalim të paligjshëm të kufrit të gjelbër nga Gruevski në hyrje, ndaj pista më e fortë ngelet me të dhënat e mbledhura, ajo e Bllatës.

Qëndrimi

Pasi ka hyrë në kufi, mendohet se ish-Kryeministri është strehuar dhe është mbajtur në ambasadën hungareze deri ditën e dielë pasdite. Në datën 11 nëntor, ora 19.35, që është po e njëjta ditë, kur Nikola Gruevski ka udhëtuar si pasagjer në makinën diplomatike hungareze i shoqëruar nga dy diplomatët Kulsar Antal dhe Valsav Shaba. Duke paraqitur një kartë identiteti ai ka lënë Shqipërinë siç edhe tregon sistemi TIMS, por edhe sikurse u pranua zyrtarisht nga Policia e Shtetit. Më tej Gruevski ka kaluar brenda të njëjtës datë në Mal të Zi dhe Serbi, në këtë të fundit shfaqet për herë të fundit në sistemin TIMS në pikën e Dobrakovos, i shoqëruar nga dy hungarezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë