Sport

Shpërthen Briken Calja: Në Shqipëri triumfi hidhet në kosh!

Peshëngritësi i njohur shqiptar, Briken Calja, ka shprehur sërish hapur pakënaqësitë e tij ndaj qëndrimit të institucioneve të shtetit shqiptar karshi sukseseve që sportisti ka arritur. Me një postim të gjatë në faqen e tij në Facebook, Calja sqaron gjithçka me detaje, duke evidentuar problemet kryesore, nga pritja zyrtare te mosdhënia e shpërblimit financiar për medaljet. “I zhgënjyer edhe i zemëruar, por kryelartë” e titullon peshëngritësi medalist qëndrimin e tij, ku pohon se ende nuk ka marrë atë që i takon për të gjitha medaljet e fituara, por edhe nuk është punësuar, sipas asaj që parashikon rregullorja në rastin e tij.

Briken Calja gjatë një gare. Gazeta Si, 17 tetor 2019

Reagimi i plotë i Briken Caljes
Përgjatë dy viteve të fundit kemi arritur rezultate historike për sportin shqiptar dhe për peshëngritjen në veçanti! Por në Shqipëri këto triumfe historike të hidhen në kosh sa hap e mbyll sytë. Marrim një shembull konkret: Në Bullgari kundërshtarit tim në peshën 73 kg Andreev Bozhidar, pas 21 ditëve, kohë e cila është normale për sa i përket pritjes së analizave anti-doping, ministri përkatës i sporteve i bën pritje zyrtare dhe i siguron mbështetje të mëtejshme institucionale, financiare dhe morale për garat e ardhshme. Ndërsa në një univers paralel, Briken Calja në Shqipëri, fitues i 4 medalje të arta, 2 të argjendta europiane dhe një bronzi botërore, ende nuk është shpërblyer për të gjitha medaljet që i takojnë dhe është në pritje akoma pas 19 muajve për një pritje zyrtare nga ana e institucioneve përkatëse. Është skandal dhe qesharake njëkohësisht.

Meqë ra fjala te shpërblimet, po ju informoj e sqaroj që zyrtarët e ministrisë me anë të disa argumenteve qesharakë nuk zbatojnë dhe hedhin në kosh rregullat e Federatës Botërore të Peshëngritjes dhe V.K.M-në për shpërblimet në sport. Unë po kërkoj zbatimin e një VKM-je, asgjë më shumë, as lëmoshë e asgjë. Për Brikenin flet rezultati dhe jo burokracitë dhe parazitizmat e rëndomta që gjejmë në shoqërinë tonë. Realisht ligji i sportit dhe VKM-të përkatëse janë përmirësuar ndjeshëm po problemi qëndron te zbatimi i tyre.

Po vuaj padrejtësisht këtë çështje dhe dispozitat ligjore të parashikuara ne V.K.M dhe ligjin shqiptar më japin plotësisht të drejtë të përfitoj shumë herë me tepër se ç’kam përfituar deri më sot. Konkretisht, në 2018-ën, kam marrë 3 medalje ari dhe jam shpërblyer vetëm për një të tillë, shto dhe faktin që për shpërblimin e një medaljeve të vetme kam pritur 1 vit të plotë kalendarik, ndërkohë ligji shqiptar e parashikon për 3 muaj. E njëjta gjë ndodh dhe me medaljet e 2019-ës. Më kanë kërkuar dokumentacion nga Federata Botërore, Europës, Komiteti Olimpik dhe Federata Shqiptare. I kam dorëzuar të gjitha dokumentet përkatëse dhe Ministria i ka dorëzuar vetë në institucionet përkatëse.

Tani nuk dihet se ku qëndron problemi. Ç’duhet të bëj më Briken Calja? Prisni se ka akoma: Çështje tjetër është dhe punësimi i medalistëve të kampionatit Europian dhe Botëror. Konkretisht nga ana ligjore unë përfitoj punësim pranë Ministrisë se Brendshme ose te Mbrojtjes, por deri tani asgjë e tillë s’ka ndodhur edhe pse dokumentacionet janë plotësuar të gjitha zyrtarisht. Se kur do të plotësohen këto gjëra nuk e di, mbase pas një shekulli?!

Ligji dhe VKM-ja për sportet kanë një vit që kanë hyrë në fletoren zyrtare. Jam i lodhur nga këto burokracira. Kur do të vijë dita kur do të marrim atë që meritojmë pa u bërë pjesë e këtyre dogmave skandaloze të shoqërisë sonë. Njëkohësisht, nëpërmjet këtij postimi publik, i drejtohem Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit dhe Sporteve. Jam i gatshëm të bashkëpunoj për t’i dhënë drejtimin e duhur zgjidhjes së kësaj situate. I zhgënjyer, i zemëruar por kryelartë.
Juaji, Brikeni


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë