Futboll

Shorti i Superiores, sfida interesante që në javën e parë

Është ngritur sipari i edicionit të 80-të të Kategorisë Superiore të futbollit shqiptar, me hedhjen e shortit dhe me përcaktimin e plotë të kalendarit për 36 javët e sezonit të ri.

Ditën e mërkurë në ambientet e FSHF-së është zbardhur kalendari i plotë për Superioren, edicioni 2018-2019. Procesi ka qenë nën drejtimin e sekretarit të përgjithshëm, të FSHF, Ilir Shulku dhe shefit të Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, por edhe me prezencën e përfaqësuesve të klubeve dhe të medieve.

 Në bazë të rregullores, ekipet pjesëmarrëse janë hedhur në short, sipas renditjes në sezonin e fundit 2017-2018. Ndërkaq, klubet e Tiranës dhe Partizanit do të luajnë në të njëjtin stadium, në “Selman Stërmasi” ka pasur një shtesë në rregullore.  Në mënyrë që këto ekipe të mos luajnë bashkë në të njëjtën javë kampionati, u përzgjodhën numrat 1 dhe 6 në hedhjen e shortit, ku sipas tërheqjes përkatëse nga ana e përfaqësuesit të klubit, Partizani u shortua me numërin 6 dhe Tirana me numërin 1.

Me tërheqjen e goglave java e parë  e Superiores 2018-2019, rezervoi sfida shumë interesante. Që në javën e parë do të përballen dy skuadra që kanë duealuar fortë në sezonet e fundit,  Skënderbeu  dhe  Partizani. Por edhe sfidat e tjera, si: Tirana  –  Kamza, Teuta  –  Flamurtari, Kukësi – Laçi apo Luftëtari – Kastrioti pritet të jenë shumë të luftuara dhe do të ketë interes për t’i parë në fushë.

Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv, Kampionati Kombëtar i Kategorisë Superiore për këtë vit, do të startojë në datë 19 gusht, teksa një javë më parë, në 12 gusht do të luhet edhe finalja e Superkupës së Shqipërisë. Sakaq derbi i parë Tirana-Partizani, pas një viti mungesë, do të luhet më datë 30 shtator, teksa në të gjitha javët pothuajse ka përplasje të skuadrave pretendente me njëra-tjetrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë