Politike

Shorti "i hidhur", Basha në dorë të Fatmira Hajdarit për lobimin në SHBA

Fati i kryedemokratit Lulzim Basha për çështjen e lobimi të Partisë Demokratike në SHBA do të jetë në dorën e gjyqtares Fatmira Hajdarit. Të martën u hodh shorti në gjykatën e Apelit për ankimin e bërë nga prokuroria pas pushimit të çështjes në shkallën e Parë për lobimin të PD-së në SHBA, ku kryedemokrati Basha u akuzua nga prokuroria për falsifikim të dokumenteve dhe vulave, por gjykata e pushoi çështjen.
Gjyqtarja Fatmira Hajdari, është caktuar me short për të gjykuar në Apelin e Tiranës çështjen e PD-së, ndërsa anëtarë të trupës gjykuese do të jenë Shpresa Beçaj dhe Alaudin Malaj.
Vendimi për pushimin e çështjes së nisur nga prokuroria u mor nga gjyqtari Lazër Sallaku, duke rrëzuar akuzat kundër Lulzim Bashës, ish-sekretarit të përgjithshëm Arben Ristani dhe financierit të partisë Ilir Dervishi. Në 41 faqe vendim të zbardhura thuhet se nuk ekziston fakti penal, ndërsa sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se PD nuk ka pasur asnjë kontratë lobimi me kompaninë Biniada Trade.
Në vendimin e gjykatës thuhet se kontrata e Nik Muzin me Biniada Trade nuk ka lidhje me interesa të ndonjë partie politike, ndërsa deklarata e tij se ka marrë 500 mijë dollarë nga PD dhe 150 mijë dollarë nga Biniada Trade nuk është quajtur e besueshme. Sipas gjyqtarit Lazër Sallaku, deklarimi i tij nuk provohet me dokumente dhe për rrjedhojë nuk mund t'i nënshtrohet vlerësimit të gjykatës.
Akuzat kanë të bëjnë me një shumë prej 650.000 dollarësh, të paguara në vitin 2017 lobistit amerikan Nikolas Muzin për llogari të Partisë Demokratike, por këtë shumë PD nuk ka deklaruar asnjëherë se e zotëronte. Gjyqtari Lazër Sallaku, nuk i gjykon të mjaftueshme si prova as dokumentet zyrtare të Departamentit amerikan të Drejtësisë, të cilat faktojnë disbursimin e atyre 650.000 dollarëve në emër të Partisë Demokratike dhe të padeklaruar në Shqipëri. Prokuroria nuk e ka marrë në pyetje asnjëherë lobistin amerikan Nikolas Muzinin të cilit iu paguan 650.000 $, megjithëse ai ishte një dëshmitar kryesor për të sqaruar përgjegjësitë e mundshme të të pandehurve dhe gjyqtari Lazër Sallaku e mbylli çështjen para se Muzin të fliste.
Shorti duket si një ironi e fatit, pasi gjyqtarja Hajdari, e ëma e deputetes Rudina Hajdari. KJo e fundit është shpesh në shenjëstër nga Partia Demokratike, pas mos zbatimit të urdhrit të lënies së mandatit të deputetit. Rudina Hajdari tashmë ka marrë një rol të ri në Parlament dhe se shfaqet si një përfaqësuese e opozitës së re. Ndërsa dihen edhe marrëdhëniet e familjes Hajdari me lidershipin e PD-së, për shkak se Azem Hajdari ishte themelues dhe deputet i kësaj force politike.
Tashmë mbetet në dorën e gjyqtares Hajdari që të vendosë nëse do të tërhiqet nga kjo çështje, pasi mund të ketë edhe konflikt interesi nisur nga njohja që ka me kryedemokratin Lulzim Basha dhe rolin e vajzës së saj në konfliktin me kreun e PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë