Politike

Basha përfundon në Gjykatë, Prokuroria: Hetimi s’duhej mbyllur

Prokuroria e Tiranës ka dërguar dosjen hetimore për financimin rus të lobimit në SHBA të Partisë Demokratike. Në këtë dosje përveç Bashës, persona nën hetim janë edhe Arben Ristani, ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, si dhe Ilir Dervishi, financieri i PD-së. Në seancë paraprake do të vendoset nëse ai do të përfundojë apo jo i pandehur. Kryeprokurorja e Tiranës ka firmosur një akt konstatimi ku thotë që hetimi nuk duhet të ishte mbyllur. Që të tre akuzohen për falsifikim të vulave dhe stampave, ndërsa është pushuar hetimi për pastrim të produkteve të veprës penale. Me ligjin e ri, kompetent është prokurori i çështjes. Dosja e Prokurorisë është dërguar në ditën e fundit të limiteve kohore. Tashmë pritet që brenda 10 ditëve të hidhet shorti për të përcaktuar trupën në seancën paraprake. Pas përcaktimit të trupës, gjykata në seancën paraprake mund të marrë tre vendime; të rikthejë dosjen, ta kalojë në gjyq ose ta pushojë për mungesë provash për akuzat që janë ngritur. Kreu i partisë më të madhe opozitare, Lulzim Basha, ish-sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani dhe financieri i i kësaj partie, Ilir Dervishi akuzohen për falsifikim dokumentesh. Objekti i akuzës, sipas prokurorisë bën fjalë për transferimin e pagesës prej 650 mijë dollarë nga Partia Demokratike me qëllim lobimin në SHBA. Dosja u tentua të dërgohej në nëntor, por solli përplasje mes prokurorëve të Tiranës. Kjo pasi Ervin Karanxha dhe Gjergj Tako qenë dakord dhe vendosën për mbyllje hetimesh për të marrë të pandehur Lulzim Bashën, por kolegu i tyre Kole Hysenaj ka qenë kundër, duke kërkuar zgjatje të afateve hetimore dhe marrjen e deklarimeve të Nik Muzin. Megjithatë vendimi është marrë 2 me 1 dhe tashmë dosja është dërguar në gjykatë, ku pritet që të caktohet trupa që do ta gjykojë.
Sa rrezikon Basha për t’u dënuar?
Referuar nenit 190 të Kodit Penal në veprën penale të parashikuar në paragrafin e tretë mbi bazën e të cilit akuzohen tre të pandehurit, kjo vepër penale dënohet me burgim nga 3 deri në shtatë vite burg, ose me gjobë nga 1-3 milionë lekë. Po parashikohen edhe dënime të tjera në rast se kjo vepër kryhet në bashkëpunim.

Neni 190 i Kodit Penal, dënimi për veprën penale të falsifikimit. Gazeta Si, 12 dhjetor 2019

Hetimi për këtë çështje ka nisur dy vite më parë ndërsa gjatë fazës së mbledhjes së provave Lulzim Basha, Arben Ristani dhe ish-financieri i PD janë paraqitur dy herë në prokurori për të dhënë shpjegime. Ata kanë hedhur poshtë akuzat duke pretenduar se hetimi është i motivuar politikisht. Ndërkohë mësohet se rënia e akuzës për pastrimin e parave ka lidhje me një marrëveshje që është bërë mes prokurorisë shqiptare dhe kanadezit Nick Muzin do të paguhej me 675 mijë € për angazhimin e tij në favor të PD-së.

Faksimile e investigimit të "Mother Jones". Gazeta Si, 12 dhjetor 2019


Më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 500 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD. Pas kompanisë “Biniatta Trade”, që rezulton fantazmë e regjistruar në parajsat fiskale dhe çfarë e lidh me rusët? Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë