Politike

Deklaratat e Nick Muzin nuk bindën gjykatën për lobimin e PD në SHBA

Dëshmia e Nickolas Muzin për burimin e 600 mijë dollarëve të lobimit të Partisë Demokratike nuk u vlerësua e mjaftueshme nga ana e Gjykatës së Tiranës.

Gjykata ka zbardhur vendimin e arsyetuar që dha pafajësinë për Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin.

“Nëpërmjet letërporosisë është kërkuar të pyetet shtetasi Nikolas Muzin, i cili ka deklaruar se shifra prej 500 mijë dollarë kanë shkuar prej PD-së dhe shifra prej 150 mijë dollarë e Biniatta Trade është përdorur prej PD-së. Gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se ky deklarim nuk konfirmohet me asnjë provë tjetër të përdorshme, për rrjedhojë nuk mund t’i nënshtrohet vlerësimit të gjykatës…duke qenë vetëm përpara deklarimit të shtetasit Nikolas Muzin mbi ekzistencën e faktit të pretenduar prej tij, Gjykata nuk mund të nxjerrë një përfundim kategorik mbi vërtetësinë e deklarimit të këtij të fundit”, thuhet në vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Tiranës.

Gjykata e Tiranës thotë gjithashtu se nuk provohet as që 500 mijë eurot që kompania Biniatta Trade, pas të cilës dyshohet se qëndrojnë shtetas rusë, do të paguante për kompaninë Stonington me qëllim lobimin ishin para të Partisë Demokratike.

Gjykata vëren se në këtë rast nuk provohet që pas kësaj kompanie qëndron një qeveri, agjenci shtetërore apo parti e huaj.

“BT përfaqëson interesat e BT në këtë konsultim, që nuk janë të ndonjë qeverie, ose partie politike dhe se as ajo dhe as përfaqësuesit e saj nuk janë subjekt kontrolli, ose i drejtimit nga një qeveri, ose parti politike. Gjithashtu, fondet e siguruara nga ky përfaqësim nuk burojnë direkt, ose indirekt nga ose përmes një qeverie, apo partie politike”, shton gjykata.

Në vendimin e arsyetuar vihet edhe më shumë në pikëpyetje nëse 500 mijë dollarët janë transferuar apo jo, pasi gjykata thotë se marrëveshja është projekt dhe e pafirmosuar mes Biniatta Trade dhe kompanisë “Stonington”, të Nikolas Muzin.

Gjykata thotë se të vërtetuara dhe të konfirmuara dhe nga bankat shqiptare janë vetëm 125 mijë dollarë që Partia Demokratike i ka deklaruar në pasqyrat financiare për vitin 2017. Për këtë arsye, gjykata thotë se këto provojnë plotësisht se pagesat e kryera nga Partia Demokratike janë të gjitha në përputhje të plotë me deklarimet e saj në bankë dhe deklarimin e pasqyrës financiare për vitin 2017.

“Kjo do të thotë që në rastin konkret mungon veprimi i paligjshëm i deklarimit të të dhënave të rreme, për rrjedhojë nuk mund të kemi as veprën penale të falsifikimit të formularëve, pra vepra penale nuk ekziston”, thuhet në arsyetimin e PD-së”, deklaron gjykata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë