Art dhe Kulture

Shoqata e Botuesve: Shpërndarja e librave në bibliotekat shkollore, mungesë transparence nga Ministria e Arsimit

Shpërndarja e librave në bibliotekat shkollore lë shumë për të dëshiruar, pasi është një proces jotransparent.

Kështu shprehet Shoqata e Botuesve Shqiptarë për punën që ka bërë Ministria e Arsimit deri tani me shpërndarjen e librave.

Sipas SHBSH procesi nga Ministria e Arsimit nuk është transparent dhe më datë 12 janar për këto probleme i ka dërguar kërkesë zyrtare për të cilën është në pritje të përgjigjes.

“Edhe një herë për pasurimin e bibliotekave shkollore! Sikurse jemi në dijeni, Ministria e Arsimit ka filluar shpërndarjen e librave në bibliotekat shkollore. Ky sigurisht që në parim është një lajm i mirë. Por për fat të keq, siç kemi shkruar edhe herë tjetër, i gjithë procesi ka lënë shumë për të dëshiruar. Duke filluar që nga përzgjedhja e bordit dhe mënyra joprofesionale që u përdor në përzgjedhjen e titujve dhe hartimin e listave. Sikurse është bërë e njohur disa prej anëtarëve më të kualifikuar të bordit nuk pranuan mënyrën e punës dhe ndryshimin e rregullave, kufizimet e ndryshme etj”, shprehen ata.

Sipas Shoqatës së Botuesve, Ministria e Arsimit, ka njoftuar shumë pak shtëpi botuese për zgjedhjen e librave.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë vijon në deklaratën e saj se me informacionin që kanë (jo të plotë) kriteri i cilësisë së titujve dhe autorëve nuk ka qenë kriteri kryesor.

“Kjo gjë sigurisht që do ketë lënë gjurmë në listën që ka shpërndarë Ministria e Arsimit nëpër drejtoritë arsimore. Lista nuk është publikuar askund, madje edhe njoftimi për fillimin e procesit të shpërndarjes nuk gjendet në faqet e Ministrisë. Mendojmë që këto punë duhet të jenë të hapura e transparente. Me sa dimë fare pak shtëpi botuese janë njoftuar për zgjedhjen e librave nga DAR apo ZA. Njëkohësisht tërheqim vëmendjen për këmbënguljen në mënyrat primitive dhe joligjore të përgatitjes së dokumentacionit për furnizimin e bibliotekave”, shprehej të enjten Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Kërkesat e Shtëpisë së Botuesve Shqiptarë janë si më poshtë:

1. Lista e plotë e librave (bashkë me emrat e autorëve) që janë zgjedhur nga Bordi i MASH-it, në tetor-dhjetor 2021, shoqëruar edhe me shtëpitë botuese përfituese.    

2. Lista e shkollave dhe qyteteve/rretheve përkatëse që janë zgjedhur për furnizim.

3. Përbërja e Bordit të miratimit të listës dhe cilët prej tyre kanë miratuar listën tuaj.

4. Kriteret themelore të punës për përcaktimin e listës.

5. Sqarim: përse kjo listë nuk kaloi për miratim në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Librit e Nxitjes së Leximit, sikurse ishte parashikuar?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë