Ngjarje

Shoqata e Bashkive: Qeveria ndryshoi hartën territoriale, akt anti-kushtetues

Shoqata e Bashkive të Shqipërisë reagoi sot lidhur me atë që ajo e konsideron ndryshim të paligjshëm të hartës territoriale të vendit. Shoqata shpreh shqetësimin se akte të tilla bëhen vetëm me ligj që kalon nga Parlamenti dhe jo me vendim qeverie, ashtu sic edhe është bërë. Vendimi i përket datës 29 maj, një ditë përpara se maxhoranca të niste fushatën për zgjedhjet tashmë të shtyra të 30 qershorit. Harta territoriale është miratuar nga Parlamenti në vitin 2016, ndërsa vendimi i fundit i Qeverisë duket se ka sjellë ndryshime të reja në këtë hartë.

Reagimi i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë:
Në respekt të misionit tonë si shoqatë por edhe të gjithë atyre që na besojnë si profesionistë,për të hedhur sa më shumë dritë mbi këtë rast sqarojmë si më poshtë:

  1. Përcaktimi i kufijve administrativë të njësive të qeverisjes vendore në VKM 360/2019 është miratuar vetëm nga Qeveria me një vendim të saj, ndërkohë që formalisht duhet të miratohet përmes një ligji, i cili duhet të kalojë në Parlament dhe nuk mund të kryhet thjesht me një vendim të qeverisë, pasi cenohet uniteti administrativ-territorial i Njësisë së Qeverisjes Vendore.
  2. Sjellim në vëmendje se sipas Kushtetutës ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” si dhe ligji nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, janë ligje të një rëndësie të veçantë që miratohen me shumicë të cilësuar prej tre të pestave të Kuvendit.
  3. Në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 89 përcaktohet se:
    “Riorganizimi i ndarjes administrativo-territoriale me ose pa ndryshim kufijsh, bëhet me ligj të veçantë dhe propozimi për riorganizimin e një ose më shumë njësive të vetëqeverisjes vendore, për çdo rast të veçantë, i paraqitet Kuvendit së bashku me faktet dhe argumentet përkatëse si dhe mendimin e popullatës që banon në njësitë e vetëqeverisjes vendore që do të riorganizohet”.
  4. Nga ana tjetër sa konstatojmë deri tani, VKM 360/2019, bie ndesh dhe prek Nenin 5, pika 3 te Ligjit 139/2014, “Bashkia përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh. Bashkitë, shtrirja territoriale, emri dhe qyteti qendër i saj përcaktohen me ligj”.
  5. Por edhe nëse i referohemi Nenit 93/139/2015
    Përditësimi i kufijve administrativo-territorialë, janë pikerisht Keshillat Bashkiake qe marrin vendime, referuar pikes 2. Këshillat bashkiakë, bazuar në ligjin në fuqi për ndarjen administrativo-territoriale, miratojnë me vendim hartën e përditësuar të kufijve ndarës administrativo-territorialë të njësive administrative dhe fshatrave në përbërje të tyre, sipas standardeve të përcaktuara gjeohapësinore,
    Por nga ana tjetër e paqartë dhe sqaruar është hapsira kohore e nevojshme për të bërë ndryshim kufinjsh (ligji thotë çdo 10 vjet). Ndryshimet e fundit teorikisht janë bërë në vitin 2014 me ligjin 115.
    Më tej, ligji parashikon se këshillat bashkiakë dhe të qarqeve, që janë të përfshirë drejtpërdrejt në riorganizim, si dhe kryetarët e tyre japin mendimin e tyre zyrtar dhe, nëse ka, edhe mendimin “kundër” të një pjese të këshilltarëve të këshillit përkatës.
    Ndërkohë që procesi i ndjekur nga qeveria është i panjohur për bashkitë apo për Shoqatën e Bashkive si përfaqësuese e tyre.
    Teknikisht, përditësimi i kufijve do të kërkonte një punë voluminoze nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, nga vetë bashkitë, nga drejtoritë e Bujqësisë e të gjithë zinixhirit institucional përkatës për të koordinuar informacionin e për të arritur në rezultatin final të ndarjes së kufijve administrativë.
    Në dijeninë tonë ky proces nuk ka ndodhur, çka lë dyshime mbi saktësinë e hartave gjeografike të miratuara si dhe mund të krijojë konflikte të reja mes bashkive dhe komuniteteve, ruajtes së unitetit të territorit etj.
    Ndaj procesi i ndjekur në hartimin e këtij akti duket jo transparent dhe me ndikime mes bashkive, duke ndyshuar sipërfaqen dhe popullsinë e tyre, faktorë këta që kanë ndikim në formulën e buxhetit të bashkive, por edhe probleme të tjera administrative, që lidhen me ndryshimin e juridiksionit të territorit etj.
    Saktësimi i kufijve administrativë është pa dyshim një nevojë e bashkive pasi nuk ka pasur një hartë të unifikuar administrative deri më sot, por për nga vetë rëndësia e këtij procesi duhet një bazë e saktë të dhënash të cilat nuk ekzistojnë dhe kjo është identifikuar dhe me zbatimin e reformave të tjera si taksa e pronës apo nga ngritja e kadastrës kombëtare.
    Por në çdo rrethanë caktimi i kufijve duhet të bëhet nga vetë bashkitë me grupe pune të përbashkëta, me konsultime publike dhe transparente dhe me pëlqim e vendimarrje të përbashkët të organeve publike - Bashkive.
    Qeveria duhet të mbështesë këto procese me ekspertizë, teknologji dhe mjete financiare.
https://www.facebook.com/shoqatabashkiveteshqiperise/posts/1354434944731149

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë