Komunitet

Shoqata: Arkitektët nuk kanë përgjegjësi ligjore për dëmet e tërmetit

Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë në një reagim për nxjerrjen e përgjegjësive për dëmet e tërmetit dhe rolin e arkitektit në procesin e projektimit, sugjeron se është e rëndësishme që të specifikohen disa elementë kyçë për profesionin e arkitektit në lidhje me situatën e krijuar.

Përgjegjësitë profesionale të arkitektit si projektues i lirë, thotë shoqata, janë individuale të ndërlidhura me pikat e licencës profesionale të cilën shteti ia jep dhe njeh gjatë ushtrimit të profesionit.

“Roli profesional i arkitektit në procesin e hartimin të një projekti të plotë është ligjërisht i mirëpërcaktuar në funksionet e mëposhtme: Zgjidhje volumetrike; Zgjidhje funksionale;Zgjidhje estetike të godinës që financohet nga një subjekt/institucion privat/publik, i cili kontrakton shërbimin e projektimit tërësor të saj”, sqaron Shoqata. Ajo shton se “sipas legjislacionit në fuqi, por edhe atij analog ndërkombëtar, arkitekti nuk ka kompetenca profesionale dhe ligjore, që lidhen me hartimin e projektit konstruktiv të ndërtesës dhe për rrjedhojë nuk mund të ngarkohet me asnjë përgjegjësi ligjore dhe morale të lidhur me qëndrueshmërinë statike dhe sizmike tërësore apo pjesëve të veçanta të saj.”

SHASH mbështet nxjerrjen e përgjegjësive profesionale të lidhura me dëmet e tërmetit, por çdo hetim duhet të jetë i mbështetur me ekspertizën serioze profesionale sipas metodologjisë së përcaktuar nga organet shtetërore lidhur me fazat e përcakimit të dëmeve si 1. Akt-konstatimi; 2 Akt-ekspertimi, të drejtuara dhe koordinuara nga institucioni përgjegjës, Instituti i Ndërtimit me grupet e ekspertëve të autorizuar nga institucionet e shtetit.

Akt-konstatimi nxjerr në pah dyshimet lidhur me problemet potenciale, që mund t’i jenë shkaktuar godinës dhe vlerësimin a është fizikisht e banueshme apo jo. Në qoftë se godina konstatohet si e pabanueshme kalon në fazën e dytë, atë të akt-ekspertimit ku në bazë të dyshimeve të konstatuara në fazën e parë bëhet një vlerësim tërësor teknik lidhur me projektin, zbatimin apo edhe ndërhyrjet potenciale që mund t’i kenë ndodhur godinës. Është pikërisht kjo fazë që ndan qartë përgjegjësitë teknike dhe ligjore të secilit aktor në procesin e ndërtimit.

Por në as edhe një rast, thotë Shoqata, dëmet fizike të godinës nuk kanë lidhje me profesionin e arkitektit, funksionet profesionale të të cilit janë parashtruar me sipër.
Ekzekutimi i masave ekstreme nga institucionet ligjzbatuese pa u thelluar më parë në metodologjinë dhe procesin e përgjegjësive të dëmeve të tërmetit sipas fazave të përcaktuara me ndalime me arrest / apo tjetër, për Shoqatën e Arkitektëve është e papranueshme në një shoqëri të lirë, duke shkaktuar dëme traumatike për jetën dhe aktivitetin profesional individual apo familjar, për secilin qytetar dhe profesionist të lirë të këtij vendi.

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë mbetet në dispozicion për çdo ndihmë apo sqarim teknik profesional për institucionet përkatëse ligjzbatuese për të ndihmuar në saktësimin përgjegjësive profesionale të Arkitektit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë