Drejtësia

Ergys Agasi dërgohet në Bllokun e Sigurisë. SPAK i sekuestron makinën luksoze (video)

Gazeta Si – Pak orë pas arrestimit të Ergys Agasit, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar një automjet luksoz që dyshohet se i përket biznesmenit, i dyshuar si një nga protagonistët e dosjes AKSHI.

Bëhet fjalë për një mjet tip “Land Rover Defender”, i cili ishte në kërkim dhe është gjetur i fshehur në garazhin e një prej vilave në “Equos Resort”.

Automjeti është sekuestruar nga SPAK në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen për çështjen.

Ndërkohë, Agasi është shoqëruar mbrëmjen e djeshme, rreth mesnatës në Bllokun e Sigurisë pranë rrugës “Mine Peza”, pas tri orësh qëndrimi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Pas përfundimit të procedurave, ku agjentët e BKH-së bënë edhe ekzekutimin e masës së sigurisë, ai u shoqërua në ambientet e paraburgimit.

Në pamjet e siguruara, Agasi shihet teksa del nga ambientet e Policisë i rrethuar nga një numër i madh efektivësh dhe shoqërohet drejt bllokut të sigurisë.

Ergys Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia në bashkëpunim me BKH-në dhe SPAK-un.

Sipas informacioneve, Agasi u lokalizua teksa udhëtonte me një automjet. Bashkë me të në makinë ndodhej edhe Uljan Shpataraku, i cili u arrestua gjithashtu.

Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit 2025, në kuadër të hetimeve të SPAK për procedurat e prokurimeve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë