Analize

Shkup, spitalet private hapin dyert për pacientët me Covid. Në Greqi shteti i merr me forcë

Vala e dytë e pandemisë duket se ka bërë realitetet skenarin më të keq të parashikuar nga liderët botërorë gati një vit më parë, kur nisën të të shfaqeshin rastet e para me Covid-19: kolapsin e sistemit shëndetësor.

Me rritjen alarmante të rasteve brenda një kohe të shkurtër, shumë vende po përballen me mungesën e shtretërve dhe vendeve në njësitë e kujdesit intensive, pavarësisht hapjes së spitaleve të reja për pacientët me Covid-19. Me pacientët që presin në radhë në ambulanca për t’u shtruar në spitale, zgjidhja e vetme për shumë qeveri ka qënë vënia në dispozicion të klinikave private për të infektuarit.

Në disa vende si Greqia, spitalet private kanë refuzuar të hapin dyert, duke detyruar shtetin të vendosë një ultimatum, ndërsa në vende si India, Meksika, apo Maqedonia e Veriut, klinikat dhe shteti kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Maqedoni e Veriut

Ditën që shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ministri maqedonas i Shëndetësisë u takua me drejtuesit e tre klinikave më të mëdha private në vendin fqinj, duke u kërkuar të hapin dyert për pacientët më Covid-19.

Pas disa orës, ata ranë dakort që të lirojnë 100 shtretër, duke e bërë Maqedoninë e Veriut vendin e parë në rajon që vë në dispozicion të shtetit dhe të infektuarve me Covod-19 në spitalet private

Klinikat “Sistina”, “Remedika” dhe “Zhan Mitrev” kanë nisur punën gjatë fundjavës për të hapur një qendër covid në një spitalet e Sistinës ku mund të vendosen 100 pacientë, me lirimin e shtretërve, hapjen e dy njësive të kujdesit intensiv dhe vendosjen në dispozicion të pajisjeve të nevojshme. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se në këto reparte do të vendosen jo vetëm staf mjekësor, i cili do të ndihmohet nga stafi ekzistues i spitaleve private, por edhe policia.

“Arritëm marrëveshje dhe kemi siguruar kapacitet prej 100 shtretërish. Të gjitha spitalet private, do të sigurojnë edhe pajisje mjekësore. Për këtë, klinikat private do të marrin kompensim adekuat në përputhje me ligjet ekzistuese, nga shteti" – tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Pas tij, pronarët e spitaleve private konfirmuan në një deklaratë të përbashkët se do të përfshiheshin në ndihmë të qytetarëve në luftën kundër ‘Covid 19’, me të gjitha resurset që posedonin”. “Ne jemi këtu të ndihmojmë edhe në pajisje, edhe me shtretër edhe me logjistikë”, thanë ata, duke thënë se klinika e re infektive do ta kontrollohet nga minsitria, ndërsa spitalet private do të udhëheqin mjekimin dhe trajtimin e pacientëve.

Shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme vjen pasi qeveria pranoi se situata në spitale kishte dalë nga kontrolli. Çdo pesë minuta ambulancat në Shkup dhe Manastir sillnin nga një të infektuar, duke cuar në kolapsin e tyre.

Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë dhe i mundëson shtetit maqedonas të përdorë të gjitha resurset e ndërmarrjeve publike dhe private, institucioneve dhe shërbimet, si dhe të shoqatave tregtare të cilat janë me rëndësi të posaçme në gjendje krize. Pas 30 ditësh, qeveria maqedonase duhet të kërkojë miratim nga Kuvendi për vazhdim të afatit apo të propozojë shpalljen e gjendjes së luftës.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut dhe Komandanti suprem i Forcave të armatosura, Stevo Pendarovsk urdhëroi Armatën që një pjesë të forcave të armatosura të angazhojnë stafin për mbështetjen e institucioneve shtetërore, sidomos spitaleve, gjatë përpalljes me pandeminë. Kjo gjendje e jashtëzakonshme është e para që është shpallur në vendin fqinj.

Greqia

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, në fqinjin tonë jugor vënia në dispozicion të shtetit e shtretërve për pacientët me Covid-19 është një kthyer në një luftë midis ministrisë dhe klinikave private.

Qeveria greke u ka kërkuar dy klinikave private në Selanik të lirojnë të paktë nga 100 shtretër secila, duke vënë fillimisht në dispozicion vetëm pajisje dhe vende të lira, pasi pjesa më e madhe e mjekëve po vendosen nga Athina në rajon.

Ministria e Shëndetësisë u kërkoi dy spitaleve më të mëdha të Selanikut javën e kaluar të sigurojnë vullnetarisht 200 shtretër, por sapi ato refuzuan, autoritetet greke morën kontrollin e klinikave shëndetësore duke futur ushtrinë dhe policinë.

Ministria tha se kërkesa e saj që shtretërit e spitaleve privatë të viheshin në dispozicion vullnetarisht për trajtimin e pacientëve me Covi-19 në Greqinë veriore ishte refuzuar.

"Pavarësisht nga përpjekja, gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme nuk ishte e mundur duke na detyruar të përvetësonin me forcë dy klinikat dhe stafin e tyre që nga e premtja”, tha ministria, duke shtuar se trajtimi po udhëhiqej në fakt nga mjekë që po vinin nga Athina dhe se stafi ekzistues i klinikave private po vihej në dispozicion të tyre.

Njëra nga klinikat ka 110 shtretër dhe tjetra 140. Shteti do të paguajë për përdorimin e klinikave dhe pagat e stafit gjatë përvetësimit. Kreu i sindikatës së pronarëve të klinikave private të Greqisë, Grigoris Sarafianos, dha arsyer përse spitalet nuk kishin pranuar.

"Ne nuk duam të bëhemi qendra të transmetimit të virusit," tha Sarafianos, i cili shtoi se mjekët dhe infermierët do të kishin nevojë për trajnim të veçantë për t'u marrë me pacientët me Covid-19.
Sarafianos gjithashtu shprehu shqetësimin se sapo të përfundojë përvetësimi, pacientët e ardhshëm do të shmangin dy klinikat nga frika e infektimit me koronavirusin.

Por zëdhënësi i qeverisë Stelios Petsas tha shteti ishte i detyruar të “tregonte forcën”.

"Kur jemi në luftë, të gjitha burimet, publike ose private, janë në dispozicion të shtetit", tha Petsas.

Indi

India është ndër vendet e para në botë që u ka kërkuar spitaleve private të hapnin dyert për të infektuarit me Covid-19, pasi vendi aziatikë është tanimë i dyti më i prekuri nga pandemia.

Ministri i Shëndetësisë Satyendar Jain ka urdhëruar 90 të spitaleve private që të rezervojnë 60% të shtretërve të tyre të përgjithshëm për trajtimin e pacientëve Covid-19. Ai shtoi se kjo do të çojë në një rritje me 2,644 shtretër në spitalet private për trajtimin e koronavirusit.

Qeveria ka dërguar ekipe mjekësh, policinë dhe ushtrinë për të ndihmuar klinikat në trajtimi e pacientëve. India regjistroi 47,576 raste të reja me koronavirusit të dielën, duke e çuar totalin e të infektuarve në 95,98,483.

Qeveria indiane po rrit hap po ashtu të tjera spitale Covid me mbi 1,200 shtretër të rezervuar për pacientë. Sidoqoftë, ai pranoi se shumë spitale po përballeshin me një mungesë shtretërish për shkak të rritjes së papritur të pacientëve.

Në një deklaratë, zëdhënësi i kryeministrit indian Ashok Gehlot tha se spitaleve private u është kërkuar edhe të sigurojnë trajtim e pacientëve sipas udhëzimeve të përshkruara nga qeveria.

“Ua kemi bërë të qartë klinikave private se është e nevojshme të rritet disponueshmëria e oksigjenit dhe shtretërit e njësisë së kujdesit intensiv (ICU). Qeveria po zgjeron po ashtu vazhdimisht objektet mjekësore në spitalet shtetërore. Spitalet private duhet gjithashtu të rrisin numrin e shtretërve duke siguruar që asnjë pacient nuk do t’i mohohet trajtimi" tha qeveria në një deklaratë.

Meksika

Ndërsa rastet e koronavirusit rriten, Meksika u është drejtuar po ashtu spitaleve private për lirimin e shtretëeve, për t'u kujdesur për pacientët COVID-19, veçanërisht ata që janë jashtëzakonisht të sëmurë.

Rastet e koronavirusit po rriten në Meksikë, si në shumicën e botës, kështu që qeveria po arrin një marrëveshje që lejon pacientët në gjendje të rënduar të trajtohen në spitale private.

"Do të lirojmë 3000 shtretër në spitalet privatë në dispozicion për të arritur qëllimin për të shpëtuar jetë," tha Presidenti Andrés Manuel López Obrador. “Klinikat private kanë rënë dakort të ngrejnë njësi të kujdesit intensiv, me 150 shtretër për pacientët që janë të sëmurë rëndë.”

50 spitale private në të gjithë vendin kanë nisur të hapin dyert për të infektuarit që në prill, falë kompesimeve të majme nga qeveria. Ato kanë vënë në dispozicion edhe stafin mjekësor dhe pajisjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë