Politike

Manovrat e fundit të Bardhit për të zëvendësuar Alibeajn me Bylykbashin tek reforma zgjedhore (dhe llogaritë e PS)

Në tryezën e punës të  kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ka ende një çështje të pazgjidhur se kujt i takon bashkëdrejtimi nga opozita në komisionin për reformën zgjedhore.

Më saktë kush do të jetë palë negociuese përballë Damian Gjiknurit (përfaqësues i PS për reformën) sa kohë që deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

LEXO EDHE:
Bardhi apo Açka? Si mos njohja zyrtarisht e kreut të grupit po shfrytëzohet nga PS për pakte fluide me palët në PD

Partia Socialiste e ka shtyrë në kohë kërkesën e Gazment Bardhit për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn (që është aktualisht bashkëkryetar) me emrin e Oerd Byklykbashit.

Gazment Bardhi bashkë me disa deputete të tjerë të PD-së bllokuan seancën e fundit të enjten e kaluar në Kuvend, duke i kërkuar Nikollës që të fuste në rendin e ditës kërkesën e tij.

Për bllokimin e seancës, Bardhi dhe 7 deputetë të PD  u përjashtuan pas një kërkese të mëvonshme nga grupi i PS.

Më herët, PS-ja, në rrugë jo zyrtare, e ka njoftuar Bardhin, se Bylykbashi nuk mund të jetë bashkëkryetar referuar një vendimi më të hershëm të PD-së për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar i PD-së.

Që do të thotë se Bylykbashi nuk mund të kërkojë bashkëdrejtimin në emër të PD-së sa kohë që zyra e Protokollit nuk e njeh si deputet të PD, por të pavarur.

Në foto: Kërkesa e Gazment Bardhit dërguar Lindita Nikollës për Oerd Bylykbashin

Për këtë arsye, së fundmi, Gazment Bardhi i ka çuar një kërkesë të dytë Lindita Nikollës, duke e njoftuar se vendimi për të përjashtuar Bylykbashin nga grupi parlamentar është revokuar një muaj më parë.

Nuk dihet se kur ka mbërritur shkresa (pa datë) e Bardhit tek Nikolla sa kohe që ky i fundit është i përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit pas vendimit të Sekretarit të Etikës ditën e premte.

Ajo që dihet është se Bardhi ka vënë në lëvizje manovrat e fundit për të  zyrtarizuar edhe sipas protokollit emrin e Bylykbashit si bashkëdrejtues në  komision.

Lulzim Basha, ndërkohë nuk e ka vënë në dyshim që përfaqësues i PD-së për reformën do të jetë Enkelejd Alibeaj.

Të dy ata (si Basha ashtu edhe Alibeaj) folën në një takim të fundit me demokratë për kërkesat që PD-ja kishte për reformën zgjedhore, përfshi edhe listat e hapura.

Berisha ka akuzuar se Basha dhe Rama po bëjnë marrëveshje nën tavolinë edhe për reformën me qëllim që nga ana e tij Basha të marrë mandate deputetësh zgjedhjet e 2025.

Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i PD-së së Rithemelimit është shprehur më herët se, “Basha po kërkon të marrë një zonë më të madhe zgjedhore që të shtojë numrin e deputetëve si dhe listat e hapura dhe në këmbim mazhoranca do t’i kërkojë atë që nuk e ka pasur në dy reformat e fundit zgjedhore, ‘Primin’, rolin kryesor”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë