Politike

Bardhi apo Açka? Si mos njohja zyrtarisht e kreut të grupit po shfrytëzohet nga PS për pakte fluide me palët në PD

Një vendim i diskutueshëm i qeverisë për rritjen e pagave të gjyqtarëve të Kushtetueses ka kohë që qendron pezull në zyrat e Kuvendit për miratim.

Për kalimin e saj volitet shumicë e cilësuar votash për pasojë edhe mbështetja nga opozita.

Për herë të parë, Lulzim Basha nuk është kursyer në këtë drejtim.

Ai është shprehur se grupi i PD (ai që drejton) do të votojë pro projektligjit të qeverisë për rritjen e pagave të Kushtetueses edhe pse një prej hartuesve kryesor të reformës në drejtësi, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj, e kritikoi  parimisht në komisionin e Ligjeve me argumentin se rritja e pagës së gjyqtarëve nuk justifikohej me punën që bënin. Basha në anën tjetër është shprehur se rritja e pagave rrit pavarësinë e gjyqtarëve, pavarësisht se nga cila palë vjen propozimi.  

Paralel me këtë zhvillim, po në zyrat e Protokollit të Kuvendit gjendet një kërkesë e Lulzim Bashës (si kryetar i PD-së), për të ndryshuar kryetarin e grupit parlamentar; Në vend të Gazment Bardhit të emërohet Flutura Acka. Kjo e fundit ka kohë që i kërkon kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, të marrë një vendim.

Më herët, Nikolla ia kishte deleguar zyrës juridike të jepte argumentet nëse duhet të qëndronte Bardhi (që ka firmat e 28 deputetëve të PD-së) apo të pranohej kërkesa partiake nga Lulzim Basha.

Gazment Bardhi njoftoi së fundmi se ai ishte njohur jo zyrtarisht me vendimin e zyrës juridike që e njihte atë kryetar.

Edhe Ermonela Felaj në një nga seancat debatuese në Kuvend e konsideroi të mirëqenë vendimin për Bardhin, por pa e futur në diskutim konkret.

Bardhi ndërkohë, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar ka depozituar një mocion me debat me Ramën për Kosovën, një kërkesë për ngritjen e dy komisioneve hetimore në Kuvend dhe së fundmi kërkesën për ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore, ku në vend të Enkelejd Alibeajt që është aktualisht, të emërohet Oerd Bylykbashi si bashkëkryetar i komisionit.

E gjithë historia, pavarësisht se duket rrëmujshëm, lidhet me pazare të pastra votash në favor të njërës palë apo tjetër.

Burime nga PD-ja deklarojnë jo zyrtarisht për Gazeta “Si” se deputetët e grupit ‘Basha’ nuk do të japin votat për rritjen e pagave të gjykatës Kushtetuese nëse PS-ja nuk vendos zyrtarisht që të njohë Ackën si kryetare grupi. Vendimi për rritjen e pagave të gjyqtarëve është shtyrë dy herë deri tani.      

Seancën e të enjtes, Dashnor Sula, Edmond Spaho dhe deputetë të tjerë që sot nuk pajtohen me Bashën e cilësuan absurd faktin që Nikolla nuk kishte marrë një vendim zyrtar për kreun e grupit sa kohë që kishte folur edhe zyra juridike.

Edhe Basha ka folur.

Ai i ka kërkuar  Lindita Nikollës që kërkesa e tij zyrtare për kreun e grupit duhet të protokollohet.

Basha akuzoi PS se po bënte pakte (në kurriz të PD-së) kur u shfaq i nakatosur per vendimin më të fundit të Konferencës së Kryetarëve për një rezolutë të përbashkët mes grupit Bardhi-Berisha dhe PS për Kosovën, ndërsa kërkesa e tij për interpelancë me Ramën ishte mënjanuar.

PS-ja, duke njohur formalisht Bardhin si kryetar i grupit, i ka rrëzuar PD kërkesën për dy komisione hetimore dhe nuk e ka futur në votim kërkesën tjetër atë për ndryshimin e përbërjes së komisionit për reformën zgjedhore.

Gazment Bardhi është njoftuar në rrugë jo zyrtare  nga PS-ja se Oerd Bylykbashi nuk mund të bashkë-drejtojë komisionin zgjedhor me argumentin se Bylykbashi zyrtarisht figuron jo deputet i PD-së  sipas një vendimi më të hershëm të PD-së zyrtare. Për këtë fakt është njoftuar edhe Sali Berisha i cili kërkon me ngulm që kontrolli për zgjedhjet në komision të mos shkojë tek Alibeaj dhe Basha por tek pjesa tjetër e grupit.

Të premten ai doli në një konferencë mediatike me një grup ekspertësh për zgjedhjet (ku ishte i pranishëm edhe Bylykbashi). Ai tha se nuk të pranonte një bashkëkryetar komisioni të zgjedhur nga Rama, duke atakuar Lulzim Bashën.

‘Ne nuk do të njohim një akt që përjashton opozitën. Ne nuk mund të njohim kurrë një kryetar që e cakton Edi Rama. Por përgjegjësia do bjerë mbi ata që e çojnë vendin drejt destabilizimit”, tha Berisha duke përdorur edhe kartën e fundit të presionit, atë të protestave.

Ne foto: Sali Berisha, Oerd Bylykbashi dhe Albana Vokshi

“Nuk ka shqiptar, në 600 mijë shqiptarë që kanë votuar kundër qeverisë, nuk janë as 10 që mund të pranojnë se përfaqësuesin e tyre ta caktojë Edi Rama. Nuk ka ndodhur kurrë”, shtoi ai.

Përjashtimi së fundmi i njeriut kyc i grupit të PD-së, Gazment Bardhi për një afat 10 ditor në Kuvend, (me kërkesën e PS-së) mund të sjellë zhvillime edhe për komisionin për reformën zgjedhore.

Të gjitha janë në ‘tavë’ dhe thelbësisht lidhen me një vendim që duhet të marrë PS-ja nëse duhet të pranojë zyrtarisht kërkesën e Bashës për kreun e grupit të PD apo jo.

Deri atëherë, marrëveshje nën tavolinë do të diskutohen për të kuptuar në fund se kush fitoi cfarë. / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë