Politike

Basha mbledh kryesinë, përjashton Bardhin nga PD: Ka axhendë personale me Berishën

Gazeta si - Kryesia e Partisë Demokratike, e mbledhur pasditen e së hënës, ka vendosur që të përjashtojë Gazment Bardhin nga Partia Demokratike.

Vendimi, që mësohet se ka qenë në unanim, argumentohet me shkeljet e njëpasnjëshme të ish-sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, duke i cilësuar vendimet e tij si personale dhe në shkelje me statutin e PD-së.

“Vendimi i Kryesisë së PD erdhi pas shkeljeve të njëpasnjëshme të kryera nga ish-sekretari i Përgjithshëm ndaj vendimeve të organeve kolegjiale të PD, shumë prej të cilave janë votuar dhe janë nënshkruar prej tij, si dhe për veprime në kundërshtim me interesat politike dhe elektorale të PD, për mosnjohjen e institucioneve të dala nga vota e demokratëve”, - thuhet në argumentin e Kryesisë.

Gjithashtu, një tjetër argument ka qenë edhe ai për bashkëpunimin me grupin “Berisha”, që për PD-në zyrtare cilësohet si grupi non grata nga partnerët ndërkombëtarë.

“Po ashtu, dhe për ndjekjen e një agjende personale, përmes të cilës kërkon të zhvendosë PD nga orientimi i përcaktuar nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar, në raport me aleatët strategjikë dhe bashkëpunimin me individët e sanksionuar si non grata, që kanë ndërmarrë një aksion dyvjeçar kundër Partisë Demokratike”, - thuhet në argumentet e parashtruara nga Kryesia e PD-së.

Bardhi nuk e njeh vendimet e Bashës, ai në Kuvend kërkon që të jetë kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Një gjë e tillë solli dhe përplasjet e forta në seancën e fundit parlamentare mes tij dhe kryedemokratit Lulzim Basha, duke e akuzuar për marrje katesh nga ndërtimet në kulla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë