Nga Fatjon Rupi
Skuadra kampione e Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës, ka arritur një rezultat historik, teksa për herë të parë ka kaluar në turin e tretë eliminator të Champions League. Barazimi 0-0 në Moldavi i ka shërbyer Shkëndijës për t’u kualifikuar ndaj Sherif Tiraspolit, pasi në ndeshjen e parë kishte fituar 1-0. Një arritje e madhe për klubin tetovar, që në vitet e fundit po regjistron suksese të njëpasnjëshme, duke treguar se ka zgjedhur modelin e duhur për të ecur përpara. Një vit më parë ishte fati i keq që i ndali tetovarët, pasi u përballën me Milanin e madh në Europa League.
Shkëndija ia doli të mos pësonte gol në Tiraspol, ku ekipi vendës i Sherifit ndjeu jo pak presionin e rezultatit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Qatip Osmani ka menaxhuar me qetësi situatat në mbrojtje, në ndonjë rast ka qenë edhe me fat, siç ishte ai i pjesës së parë, kur e ka shpëtuar shtylla. Por edhe fati është pjesë e lojës. Tetovarët kanë menduar edhe për sulmin, por pa kaluar në aventurë. Fakti që mund të kualifikoheshin edhe me një barazim me gola, apo edhe me humbje 2-1 apo 3-2, u ka dhënë kuqezinjve besimin se do të kalonin më tej dhe ia kanë arritur qëllimit. Ai gol i sulmuesit Besart Ibraimi në ndeshjen e parë ka rezultuar i artë për Shkëndijën, që sheh plot besim përpara. Vlen të përmendet fakti se në këtë ndeshje Shkëndija nuk kishte në dispozicion sulmuesin Marijan Radeski, i dëmtuar dhe që do të mungojë gjatë. Formacioni ishte thuajse i njëjtë me atë të ndeshjes së parë.
Tani Salcburgu
Në raundin e tretë të Champions League, Shkëndija do të ndeshet me ekipin e njohur austriak të Salcburgut. Një kundërshtar shumë i fortë, por me antuziazmin që e ka pushtuar pas këtij kualifikimi historik, skuadra tetovare mund të bëjë surprizën, duke e eliminuar edhe këtë ekip. Tani është koha për festë, ndërkohë që shumë shpejt do të fillojnë përgatitjet për sfidën e dyfishtë me austriakët. Shkëndija e Tetovës eliminoi në raundin e parë ekipin nga Uellsi, Nju Seints, me rezultatin e përgjithshëm 5-4, ndërsa në raundin e dytë Sherifin e Tiraspolit me rezultatin e përgjithshëm 1-0.
Me këtë kualifikim, skuadra tetovare ka siguruar fazën e “play-off”-it të Europa League, ku do të ketë shanset e veta për të shkuar në grupet e këtij kompeticioni, gjithmonë nëse nuk ia del të kalojë Salcburgun në raundin e tretë të Champions League.
Përgëzimet e trajnerit Osmani
Për suksesin historik të skuadrës së tij, trajneri Qatip Osmani ka komplimentuar së pari lojtarët. Ai theksoi se ky kualifikim plotësisht i merituar rrit besimin për më tej: “Uroj lojtarët për paraqitjen dhe angazhimin e tyre. Luajtëm më shumë në mbrojtje, por besoj se Shkëndija e meritoi kualifikimin për në raundin e ardhshëm të Champions League. Kishim përballë një rival shumë cilësor dhe gëzimi ynë është edhe më i madh për faktin se eliminuam një skuadër si Sherif Tiraspoli. Kjo bën që te të gjithë ne, por posaçërisht te futbollistët, të rritet vetëbesimi”. Këto ishin fjalët e trajnerit të Shkëndijës, Qatip Osmanit, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Sherif Tiraspolin, që u mbyll 0-0.
Në shtypin sportiv maqedonas nuk është se ka bërë ndonjë bujë të madhe kualifikimi i Shkëndijës së Tetovës. “Ballistët” ndërkohë”, grupimi më i madh i tifozëve të Shkëndijës, pasi ka shprehur entuziazmin për kalimin e turit, u ka bërë thirrje të gjithë tifozëve për të bërë gati pasaportat për në Austri, duke nënkuptuar ndeshjen me Salcburgun në turin e tretë.
Eliminohet Legia e Varshavës
Të martën u luajtën edhe dy ndeshje të tjera të raundit të dytë të Champions League, ku bie menjëherë në sy eliminimi i Legias së Varshavës nga sllovakët e Trencinit. Në fakt, skuadra polake, pjesë e së cilës më parë kanë qenë trajneri Besnik Hasi dhe sulmuesi Armando Sadiku, e fitoi ndeshjen 0-1, por humbja 0-2 në fushën e saj në ndeshjen e e parë solli eliminimin nga Championsi. Polakët e mbyllën ndeshjen me 9 vetë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Vesoviç në pjesën e parë dhe Antoliç 5 minuta para fundit. Irritimi i tifozëve të Legias ishte i madh dhe ata krijuan trazira në stadium. Ka qenë gjithçka e lehtë për Dinamon e Zagrebit, që kaloi izraelitët e Hapoel Ber Shevës me rezultatin e përgjithshëm 7-2. Kroatët fituan 5-0 në fushën e tyre dhe barazuan 2-2 në ndeshjen e kthimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.