Opinion

Shija e hidhur e vettingut të Donika Prelës

Treshja shqiptare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dukej e bindur nga deklaratat e bëra nga drejtuesja e Shkallës së Parë të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, ndaj nuk ngritën asnjë dyshim ndaj saj, si për pasurinë, ashtu edhe për integritetin dhe aftësinë profesionale.

Por, ai që theu heshtjen e një seance dëgjimore, që nisi si monotone dhe me perceptimin se Donika Prela do të kalonte e patrazuar sitën e vettingut ishte vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, Theo Jacobs. Ky fundit nuk kurseu paralelizmat kur shpjegoi se si ishte ndjerë pas leximit të deklaratave të pasurisë së prokurores.

“Jam i sigurtë që ju ka rënë rasti të pini ilaçe në mëngjes. Ato të lënë një shije të keqe, aq sa nuk mund të shijosh dot kafen e mëngjesit. Shija largohet vetëm pas drekës. Unë kam lexuar dosjen tuaj dhe nuk kam arritur ende tek vakti i drekës, që të shmang shijen e keqe se përse bashkëshorti juaj ka marrë pagën në kesh, në një kohë që ka pasur të hapur një llogari bankare? Ajo që dua të di është nëse janë shmangur taksat rastësisht, apo me vetëdije. Dua të kuptoj, a është gënjyer bashkëshorti juaj nga kompania e ndërtimit, që ka ndërtuar një skemë për të shmangur taksat? A është ai viktimë apo bashkëpunëtor në këtë skemë?”, pyeti ai.

Pyetja merrte shtysë nga raporti mbi pasurinë. Në pjesën e të ardhurave të bashkëshortit, me profesion inxhinier ndërtimi, janë listuar shuma parash të marrë në dorë dhe jashtë sistemit bankar nga i shoqi.

Donika Prela gjate seances degjimore para trupes se KPK-se, te perbere nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari

Habia më e madhe do të vinte nga përgjigja e prokurores. Donika Prela, drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda, aty ku përfundojnë dosjet më të bujshme për korrupsion dhe evazion fiskal, “mbylli sytë” përpara kësaj shkeljeje dhe u mbrojt duke nënkuptuar se evazioni fiskal është një shkelje normale e ligjit në Shqipëri.

“E kuptoj shqetësimin tuaj, por unë dhe bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri dhe nuk kemi jetuar në një vend të Bashkimit Europian, ku një marrëdhënie pune fillon dhe përfundon në mënyrë të ligjshme”, u përgjigj ajo.

Në vazhdim të përgjigjes, ajo u mundua të korrigjojë disi deklaratën në fjalë.

“Bashkëshorti im është në profesion inxhinier ndërtimi. Ai ka nënshkruar kontrata të rregullta pune dhe u është përmbajtur këtyre kontratave. Është firma e ndërtimit që nuk ka respektuar detyrimet kontraktore. Në këtë rast, të dëmtuarit jemi ne. Nëse ne do të donim të ndërtonim të ardhura të paligjshme, mund të rrisnim në mënyrë fiktive rrogën. Por duket qartë që nuk është rasti”, vijoi prokurorja.

Një tjetër “cen” në pasurinë e Prelës verifikohet në vitin 2014. Në këtë vit ajo ka blerë për rreth 14 milionë lekë të vjetra një apartament 60 metra/katrorë dhe e ka shitur po atë vit për 40 milionë lekë të vjetra. Pra, brenda pak muajsh ka fituar 26 milionë lekë nga këto transaksione.

Gjithsesi, vëzhguesi ndërkombëtar nuk ka në dorë më shumë se rekomandimin për ankimimin e mundshëm të një vendimi hipotetik pozitiv të KPK-së. Nëse ai nuk bindet dhe KPK kalon Donika Prelën, atëherë ai mund t’i këshillojë Komisionerit Publik ankimimin e këtij vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Pra, së pari është në dorë të Komisionerit Publik nëse do ta ankimojë apo jo vendimin dhe më pas shqyrtimi final nga KPA.

Prandaj, u bind apo jo Theo Jacobs nga kjo përgjigje e Donika Prelës pak rëndësi ka. Me rëndësi në gjithë këtë dialog pyetje-përgjigje është së pari heshtja e trupës së KPK-së që merr vendim, heshtje që “ligjërojnë” në mos plotësisht, pjesërisht akuzat e opozitës ndaj emrit të saj, që fill pas kalimit në krye të Krimeve të Rënda e quajti “kamikaze të Edi Ramës”, së bashku me Arta Markun.

Vërtet nuk gjetën shkelje, apo i gjetën ato dhe heshtën e mbyllën njërin sy, duke ushqyer edhe më shumë zërat për standarde të dyfishta në këtë proces, të konsideruar thelbësor për drejtësinë e re?

Shembujt nga rastet e tjera tregojnë se syrit vëzhgues të trupës së KPK-së nuk i shpëton gjë dhe për këtë mjafton të pyetet gjyqtari i lartë, Medi Bici, që hoqi “të zitë e ullirit” për të marrë një notë kaluese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë