Lajme

Vettingu, Donika Prela probleme me pasurinë

Sot u zhvillua seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Vetë zonja Prela ishte e pranishme në seancë pa avokat, ndërsa trupa përbëhej nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari. I pranishëm në seancë e vlerësimit, ishte edhe vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs, si përfaqësuesi i ONM.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se Donika Prela ka probleme me deklaratën e pasurisë. Bazuar në raportin e ILDKPKI-së, Donika Prela ka një mosdeklarim të huamarrjes në shumën e 1 milion lekëve, vlera e blerjes së një toke arë, e cila është e dyshimtë, pasi zona është në zhvillim.
Ka probleme dhe me të ardhurat e bashkëshortit, që në vitet 2003 dhe 2005 nuk ka pasur kontratë punë. Ai ka punuar te kompania Bruci shpk si inxhinier, por pa kontratë.
Është pyetur për borxhin me shtetasin me iniciale R. N. prej 25.000 mijë euro. Vangjel Prela (burri) thotë se borxhin e ka marrë te një kushëriri i tij dhe ai e ka ndjekur për kthimin e interesave. E ka kryer për kushëririn e tij A.P. që nuk jetonte në Shqipëri.
Ka një apartament banimi 95.6 m2 regjistruar në hipotekë në 2012 me emër të Vangjel Prelës (burri) i blerë me kontratë porosie në 2007. Shitësi është Bruci shpk. Vlera e blerjes 32.100 mijë euro. Çmimi për m2 rezulton më i ulët me vlerën e tregut.
Znj. Prela ka deklaruar ndryshime të pasurisë. Ajo ka thënë se ka shitur apartamentin me sipërfaqe 96.5 m2 në shumën 80 mijë euro. Ka thënë se ka blerë 135.9 m2 me çmim 110 mijë euro. Me kontratë 9.7.2018 deklaron se e ka blerë nga shtetasi F.H. Për blerjen e këtij apartamenti janë përdorur 80 mijë eurot e shitjes së të parit dhe vlera tjetër është marrë kredi nga bashkëshorti i saj.
Ka tokë arë në Petrelë 1000 m3 e blerë për 350 mijë lekë. Tokë bujqësore e blerë nga M.D e L.D. Kjo vlerë ishte më e ulët se vlera e tregut. Ka llogari bankare 4.4 mln lekë në emër të bashkëshortit. Burim është shitja e një apartamenti 52 m2 në plazh Durrës.

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda u vu në vështirësi nga përfaqësuesi i ONM-së lidhur me të ardhurat e bashkëshortit të saj.
“Pse paga e bashkëshortit i është dhënë në dorë? Ai ka pasur llogari. Kjo më lë shije të keqe. Unë fokusohem te taksat. Më shpjego pse bashkëshorti juaj është gënjyer dhe më bind se nuk ka rënë dakord që të paguhej në këtë mënyrë. Më trego që ai është viktimë dhe nuk bëhet fjalë për shmangie nga taksat. Ju keni vënë në dispozicion dokumente që ai ka qenë në marrëdhënie punësimi, fakti që ai nuk ka paguar taksat më le shije të keqe. Ajo që e mbështet këtë shije të keqe është fakti se pavarësisht se ai është gënjyer nga punëdhënësi, vazhdon një komunikim mes jush dhe ish-punëdhënësit”, e pyet Theo Jacobs.
Prela u justifikua kështu: “E kuptoj shqetësimin tuaj, por unë dhe bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri dhe nuk kemi jetuar në një vend të BE-së ku një marrëdhënie pune fillon dhe përfundon në mënyrë të ligjshme. Bashkëshorti im është në profesion inxhinier ndërtimi, ai ka nënshkruar kontrata të rregullta pune, u është përmbajtur këtyre kontratave. Është firma e ndërtimit që nuk ka respektuar detyrimet kontraktore. Në këtë rast, të dëmtuarit jemi ne. Nëse ne do të donim të ndërtonim të ardhura të paligjshme, mund të rrisnim në mënyrë fiktive rrogën. Por duket qartë që nuk është rasti”.
Kur Jacobs i tha që nuk iu përgjigj pyetjes mbi taksat, Prela theksoi se “është punëdhënësi që e zgjedh mënyrën e të paguarit”.
“Në të njëjtën mënyrë janë paguar të gjithë punonjësit e kompanisë”, shtoi Prela.
Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.
Nën drejtimin e Prelës u arrit në muajin shtator të goditej grupi i Bajrave në Shkodër, goditje e cila u finalizua me arrestimin e drejtuesve kryesorë të grupit.

Vendimi për Donika Prelën do të merret më 29 janar në orën 10:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë