Nga Sokol Çunga -Në mes të shek. XVII gjeografi osman Elvija Çelebi e quan qytetin e Elbasanit “Nusja e Shqipërisë”. Mirëpo, sikundër s’ka nuse pa pajë, po ashtu s’ka qytet pa dokumente. I tillë është dhe Elbasani, zhvillimi ekonomik, demografik e kulturor i të cilit prodhoi dokumente që ruhen edhe sot për rëndësinë historike të tyre.
Në periudhën e Perandorisë Osmane zejtarët ushtronin veprimtarinë e tyre të organizuar në grupe profesionale që quheshin esnafe. Esnafet osmane i kanë rrënjët në traditën islame të zanatçinjve dhe shfaqen që në fillesat e Perandorisë. Kurse në territoret e reja ballkanike shfaqen gjatë shek. XV-XVI me instalimin e Perandorisë Osmane ishin organe të integruara në aparatin shtetëror osman.
Gjatë periudhës osmane organizimi i këtyre grupimeve profesionale ka pësuar pak ndryshime. Si rregull, esnafi, pra, grupimi profesional, përbëhej nga hierarkia e ustallarëve (mjeshtërve), e kallfëve (ndihmësve) dhe e çirakëve (nxënësve). Çdo grup profesional kishte, si rregull, esnafin e vet. Pra, kujumxhinjtë (argjendarët), kondakçinjtë (armëpunuesit), terzinjtë (rrobaqepësit), tabakët (lëkurëregjësit), saraçët (lëkurëpunuesit), etj., kishin secili esnafin e tyre.

Të tilla profesione, që kanë lënë gjurmët e tyre dhe në mbiemra njerëzish, natyrisht ushtroheshin (disa edhe ushtrohen ende) edhe prej shqiptarëve. Një nga gjurmët më të hershme të tyre është shexhereja (kanunorja) e esnafit të tabakëve të Elbasanit
Kjo kanunore synon të organizojë dhe të përcaktojë mënyrën si do të funksiononte bashkësia profesionale e tabakëve, lëkurëregjësve të qytetit të Elbasanit. Kanunorja përcakton hierarkitë e profesionistëve, të drejtat dhe detyrat e tyre dhe pagesën që duhej të marrë sekush.
Po ashtu, kanunorja përcakton se si dhe ku do të blihet lënda e parë, si do të shiten produktet dhe si do të llogariten detyrimet e ndryshme tatimore. Për shembull, lënda e parë me të cilën punon esnafi, lëkurët e bagëtive, nuk lejohet të shiten në tregjet e qyteteve të tjera, ku çmimi mund të jetë më i lartë, as do të lejohen anëtarët e esnafit që të shesin prodhimet e tyre në tregje të tjera me çmime më të larta se vendaset.
Po ashtu, nuk do të lejohen që në qytet të punojnë zanatçinj të qyteteve të tjera, pa marrë miratim nga drejtuesit e esnafit vendës. Kjo shexhere është kopjuar në tabakhanen e Elbasanit prej dorës së Shejh Sejid Mustafa Sulejmanit në fillim të muajit Shaban të vitit 1067, sipas kalendarit Hixhri, 14 maj 1657, sipas kalendarit Gregorian. Është vulosur prej vetë Shejh Sejid Mustafa Sulejmanit, si dhe prej Shejh Karaliut, të birit të Sejid Mustafa Ihtijar el-Kadiriut, të dy prej Elbasani.

Shexhereja, kanunorja, na thotë se, kur lëkurëregjësi punon ndershmërisht, jo vetëm “[…] pastron lëkurën e ndyrë prej papastërtive, po edhe shpirti i tij pastrohet nga cilësitë shtazarake dhe nga errësira e padijes, i ndriçohet zemra dhe i shfaqet bukuria hyjnore”. Vallë, a i mendojnë profesionistët e sotshëm këto gjëra?
Shënim: Sokol Çunga është historian, përkthyes dhe arkivist shqiptar
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.