Ngjarje

Sherri mbi Akademinë e Shkencave, Gjinushi: Nuk shkrihet, politika s’do fusë më hundët

Sabina Veizaj - Që në krye të herës kur u fol gati tre vite më parë për reformimin e mundshëm të Akademisë së Shkencave, në mesin e zërave, ata që spikatën ishin profesor Xheval Lloshi dhe profesor Aurel Plasari. Njëzëshëm qëndrimi i tyre qe drastik dhe ekstrem; Akademia e Shkencave të shkrihet dhe të mbetet honorifike, por pa atribute të tjera.
Profesor Plasari do të argumentonte në atë kohë se “modeli i luftës së klasave ka bërë që të mos reformohet Akademia e Shkencave.”

“Unë mendoj që Enver Hoxha kur e ka krijuar me vendim të Komitet Qendror imitoi modelin fashist. Sigurisht mund ta ketë veshur me modelin sovjetik. Shqipëria ka pasur një organizëm të tillë, që quhej Instituti i Studimeve Shqiptare. Ishte një akademi që ushtronte edhe ajo luftën e klasave. Dhe kjo luftë ideologjike është ajo që ka vënë në dukje Mitrush Kuteli. Çfarë imitoi Enver Hoxha?! Jo një nga ata që ne e mendojmë se; ose e kemi armik, ose s’na pëlqen. Pse nuk ishte Lasgush Poradeci anëtar i kësaj akademie? Pse nuk ishte Vedat Kokana anëtar i asaj Akademie? Pse nuk ishin këta të padëshiruarit? Që kur u themelua, ajo ka ndjekur atë model të freskët, model fashist”, do të thoshte profesor Plasari.

Konflikti për Akademinë e Shkencave nisi në vjeshtën e vitit 2017, kur në postin e Kryetarit të këtij institucioni u zgjodh Gudar Beqiraj. Asokohe, akademik Artan Fuga denoncoi një sërë paligjshmërishë të kryera në Akademinë e Shkencave; sipas tij që nga shkeljet statusore, zgjedhore e deri tek abuzimet financiare. Beqiraj nuk u dekretua nga presidenti Ilir Meta dhe pak ditë më vonë dha dorëheqjen “për t’i hapur rrugë reformimit”.
Dhe kryeministri Rama pas këtyre ngjarjeve vendosi ta reformonte Akademinë e Shkencave. Asokohe ai vendosi t’i heqë fondet institucionit, duke thënë se ishte një institucion fiktiv që nuk i shërbente kërkimit shkencor në vend. Rama urdhëroi ngritjen e një grupi pune për reformimin e këtij institucioni duke vendosur në krye të reformës Skënder Gjinushin.

Por debatet mbi këtë institucion të konsideruar si shumë të rëndësishëm nga shumë syresh, jo vetëm nuk u qetësuan, por shpërthyen më të zjarrta se më parë. Prej asaj kohe, Akademia e Shkencave drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm Vasil Tole, i cili tashmë është në mbarim të mandatit. Projektligji i përgatitur nga komisioni i reformimit të Aklademisë së Shkencave që drejtohet nga Gjinushi, do të shqyrtohet dhe të miratohet nga Parlamenti.

Por akademiku Artan Fuga, nisur nga dita e zgjedhjeve për vendet vakante në Akademinë e Shkencave (që është këtë të premte) dhe nga një deklaratë të bërë nga Ministria e Arsimit Besa Shahini e cila është shprehur për “integrim të akademive shqiptare në një të vetme”, ka reaguar duke u shprehur se Ministrja e Arsimit synon shpërbërjen e Akademisë së Shkencave.

Fuga për këtë çështje u ka dërguar disa ditë më parë një letër publike Presidentit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama dhe Kryetarit të Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë duke theksuar se “ Ideja e bërë publike është një provokacion gjeopolitik”. Në atë letër, akademik Fuga fton krerët e institucioneve që “të thërrasin për sqarime publike këtë antare të qeverisë dhe nëse ajo nuk akomodohet me Kushtetutën e Shqipërisë, me platformën ligjore të qeverisë, të realizohet shkarkimi e saj pa humbur kohë!”

Një ditë përpara zgjedhjeve për vendet vakante të Akademisë së Shkencave akademik Fuga përmes llogarisë së tij në Facebook i ka kërkuar kryeministrit Rama që të flasin.
“Fol Edi! Kur do të flasim? E ka mirë deputetja: Kjo që po ndodh në Akademinë e Shkencave nesër më 24 maj, zgjedhjet e paligjshme atje në të gjitha kuptimet, ishte ajo që para disa muajsh ti quaje reformim nëpërmjet rithemelimit??? Të njëjtët persona, që vijnë vërdallë si në lojën e karrikeve apo si te vallja gazmore për çiliminj: "Erdhi shoqja prapa meje dhe shaminë ma vuri!", që zgjidhen pa kandidatura rivale sepse askush nuk guxon të flasë në Akademinë e Shkencave dhe jo më të kandidojë, zgjedhje të paligjshme me ligjin e vjetër që deputetët e kanë sjellë për ta hedhur në kanal !!! Çfarë turpi për Shqipërinë !!!”- shkruan profesor Fuga.

Por në një intervistë për Gazetën “Si” kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kreu i komisionit për reformën në këtë instituicon Skënder Gjinushi tregon hapat e reformimit dhe risitë e këtij institucioni drejt reformimit.
Ai e mohon integrimin e akademive shqiptare në një të vetme, ndërsa sqaron se në projektligj është futur statusi i korrespondentit që i hap rrugë çdo akademiku shqiptar kudo që ka sukses jashtë kufijve, në rajon, Europë e më gjerë të kontribuojë në Alkademinë e Shkencave të Shqipërisë. Gjithashtu me projektligjin e ri, thotë Gjinushi, ligjërohet edhe Akademia e të rinjve për kërkuesit e rinj shkencorë që të kontribuojnë me debatet e tyre konstruktive për të zbuluar problematikat e tyre në kontekstin kohor në lidhje me shkencën.

Gjinushi sqaron gjatë intervistës për “Si” se projektligji “synon së pari të legjitimojë e të kthejë në baza kushtetuese ligjin e vjetër sepse ai ka edhe nene antikushtetues që shkelin një nga të drejtat themelore të një akademiku që është e drejta e votës dhe që me këtë ndryshim, hiqet ndërhyrja politike dhe metoda për të ndërhyrë politikisht në çdo lloj reformimi apo riformulimi të Akademisë së Shkencave.”

Gjinushi konfirmon të qenit kandidat i vetëm për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave duke e argumentuar me konsensusin për të shpënë përpara reformën e nisur prej tij.

Si e gjetët Akademinë e Shkencave para çeljes së Komisionit për Reformën, çfarë është bërë deri tani dhe çfarë pritet të bëhet në këtë kontekst?

Ne e gjetëm në bazën ku kishte mbi tre vite që debatohej mbi reformën në Akademinë e Shkencave, kishin paraqitur një sërë platformash, kuptohet që reformat e mëdha fillojnë dhe mbarojnë me riformulim të akteve ligjiore dhe nënligjore. Ne morëm përsipër të hartojmë projektligjin ku të reflektoheshin të gjithë synimet që parashtroheshin në këto reforma, në opinionin publik dhe me radhë.

Patjetër që projektligji synon së pari të legjitimojë të kthejë në baza kushtetuese ligjin e vjetër sepse ai ka edhe nene antikushtetues që shkelin një nga të drejtat themelore të një akademiku që është e drejta e votës dhe që me këtë ndryshim hiqej ndërhyrja politike dhe metoda për të ndërhyrë politikisht në çdo lloj reformimi apo riformulimi të Akademisë së Shkencave.

Më tej patjetër sepse ligji merret me Asamblenë, pranë Akademisë nuk ka më institute, atëherë ligji ka për qëllim funksionimin e Asamblesë dhe projektligji krijon të gjitha mundësitë e mundshme për rifreskim të saj. Hapen mbi 10-15 vende të reja nëpërmjet një kriteri që vendoset për akademikët mbi 75 vjeç, çka mundëosn prurjet nga gjeneratat në vijim, së dyti futet statusi i anëtarit korrespondent që është një hapje ndaj personave të suksesshëm që punojnë nëpër qendra kërkimi apo në univeristete me emër në Europë e më gjerë, është një rikthim apo një mundësi për të rikthyer trurin e larguar në Shqipëri. Hapet ndaj kolegëve në rajon, pra Akademia është e hapur për t'i dhënë statusin e korrespondentit çdo akademiku me origjinë shqiptare që ka fituar këtë status nga një akademi europiane, përfshirë këtu edhe Akademinë e Kosovës.

Rithehet edhe legjitimiteti, riaktivizohen edhe akademikët e privuar padrejtësisht dhe politikisht të atyre me moshën mbi 75 vjeç.

Kjo bën që Asambleja të trefishohet pa trefishuar fonde, bën që Akademia realisht të kthehet në një qendër debati të kërkimit shkencor. Sepse këtu nuk është vendi ku prodhohet shkenca, nuk është vendi ku ushtrohet kërkimi shkencor, sepse edhe vetë akademikët nuk punojnë këtu si kërkues. Dhe kjo është një ndër gënjeshtrat publike. Ata punojnë pranë universiteteve, pranë instituteve, pranë qendrave të caktuara. Këtu janë vetëm si anëtarë Asambleje. Janë jo për të ushtruar kërkimin, por për të analizuar sëbashku, për të debatuar sëbashku; ku është niveli i kërkimit, në ç’drejtime duhet forcuar, në ç’drejtime jemi në rrugë të gabuar për të nxitur botime, për të promovuar.

Si do të jetë bashkëpunimi me univeristetet dhe qendrat e kërkimit shkencor?

Këto pranime do të bëhen në bashkëpunim me universitetet. Që Universitetet, Shkollat e Larta dhe Institutet të shohin të përfaqësuar në Asamble arritjet e tyre më të mira.
Pranimi i një akademiku nuk duhet të jetë thjesht një vlerësim për personin, është vlerësim për të gjithë ekipin që ka punuar me të. Dhe për të gjithë homologët, por sigurisht që nuk mund të bëhen të gjithë akademikë. Por duhet bërë më i miri ndër të mirët. Përveç kësaj edhe jo akademikët ftohen të marrin pjesë në komisionet e Akademisë së Shkencave me të drejta të njëjta. Sepse duke qenë një organ këshillimor, këtu vetëm rrihen mendime, konsolidohen mendime, jepen alternativa që më pas i serviren institucioneve përkatëse.
Dhe një jo akademik, kërkues të suksesshëm të niveleve professor apo doktor, kanë mundësi të debatojnë njëlloj për shkencën pranë Akademisë së Shkencave.

Çfarë do të sjellë Akademia e të rinjve?

Ligjërohet për herë të parë academia e të rinjve. Është një hapje ndaj kërkuesëve të rinj. Qoftë për të parë prirjet e reja të shkencës, sepse sigurisht çdo gjeneratë ka misionin e vetë në këtë kontekst dhe karakteristikat e veta, por është edhe një mundësi për të parë se cilat janë problemet. Sepse kërkuesit e rinj ndeshen më shumë me problemet qoftë në lidhje me mbështetjen financiare, laboratorike, etj.

I jepet frymëmarrja më e madhe e mundshme e Asamblesë pa bërë shpikje a eksperimente siç u bë në 2008-ën apo siç serviret edhe tani. Siç quhet gjoja edhe tani platforma alternativa, që pretendon se të tjerat janë përfshirë në këtë process është që të rikthehemi tëk 2008-a. Të fshijmë treçerekun e Akademisë dhe të rinjtë të zgjidhen me komisione jashtë akademik. Se si qysh, tek nuk thuhet. Se si dhe ku bëhen këto lista nuk thuhet, cilat do të jenë këto kritere nuk dihet dhe kush do ti emëroje (sepse quhen emërime) nuk dihet.

Kjo është një praktikë që juk ekziston në rruzullin tokësor. Nuk është parë ndonjëherë. Është parë një herë në Shqipëri në një formë më të moderuar dhe është dënuar nga Europa sa herë ka pasur tendencë. Edhe në një shtet tjetër që pati një tendencë të tillë, protestoi bashkimi i akademive europiane dhe u tërhoqën.

Pas kësaj Asambleja nuk duhet të trembet me institute apo pa institute. Këto nuk bëhen me vendime politike apo me emocione, por janë proces.

Sipas nevojës, mundësisë, specifikave, sipas rrahjes së mendimeve dhe debateteve, etj.
Asambleja ka të drejtë të ngrejë një sitë kërkimi, studimi, këto mund të jenë afatgjata, afatshkurtra sipas detyrës që marrin, në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave dhe kur këto shtatëzohen dhe tregojnë që janë të domosdoshme dhe ngrihen në nivel institute, ne shërbejmë si fidanishte dhe ato ecin me këmbët e veta ose vazhdojnë funksionimin pranë Akademisë.

Dhe të mos harrojmë që të jesh pranë Akademisë është vetëm një nder, është vetëm një emblemë, një status më shumë, një mundësi më shumë për të buxhetuar. Nuk ka vartësi administrative, nuk ka vartësi burokratike. Instituti apo qendra funksionon normalisht. Mendimin, drejtimin, kërkimin e bëjnë ata që punojnë atje, kurse pranë Asamblesë raportohet në analiza vjetore, etj. Asambleja jep mbështetje për nevoja që mund të kenë duke e ngritur zërin më fort pranë Këshillit të Minsitrave apo Ministrisë së Arsimit.

Nesër janë zgjedhjet për vendet vakante në Akademinë e Shkencave. Jeni kandidatura e vetme për pozicionin e kryetarit të këtij institucioni. Pse sipas jush nuk janë afruar kandidatura të tjera për këtë pozicion dhe pozicionet e tjera? A është korrekt procesi dhe procedura në këtë mënyrë?

Këto janë zgjedhjet më publike dhe të rregullta. Nëse për zgjedhjet e përgjithshme lajmërohen 6 muaj përpara, si detyrim kushtetues dhe megjithatë shpesh ndryshimet ëpr to bëhen edhe tre muaj përpara, deri edhe një muaj përpara, Akademia e Shkencave i ka shpallur zgjedhjet që në janar.

Asambleja e mbështetur mbi ligj, mbi statut, mbështetur mbi të gjitha rrethanat, mbi shkallën në të cilën ndodhet reforma, gjykoi me përfudimin e fazës së parë të reformës, ka një detyrim ligjor, statutor që të zhvillojë zgjedhjet. Me qëllim që institucioni të vazhdojë funskionimin dhe të mos shpërbëhet në mënyrë të paligjshme. Asambleja të kryejë detyrën e saj sepse mandej kjo Asamble mundëson që të ndjekë edhe më mirë konkludimin e reformës së vetë, por mbi të gjitha të jetë një partnere e fortë e Kuvendit dhe e Qeverisë për reformën në të gjithë sistemin dhe kërkimin shkencor. Sepse reforma reale është reforma për shkencën. Duhet të kuptojmë që, siç thashë kërkimi bëhet në institute, universitete, shkolla të larta. Dhe po nuk u ngrit niveli i kërkimit në këto qendra, sigurisht që Akademia që është produkt i kësaj, nuk ka çfarë të bëjë nëse nuk funksionojnë institutet. Është një lloj si të kesh një ekip kombëtar futbolli pa klube.

Përveç kësaj, janë shpallur edhe afatet e komisioni përcaktoi edhe një afat deri në depozitim të kandidimeve. Sepse ka edhe një proces verifikimi përderisa kemi bërë disa ligje verifikuese dhe për të njohur Asambleja kandidaturat në atë kohë të përcaktuar për reflektim dhe çfarë ofron secila kandidaturë.

Rezulton për të katërta postet në të cilat janë poste vakant, sipas afatit ligjor, të ketë nga një kandidat. Nuk pengohet askush të kandidojë, por fakti që në tërësi janë treguar të kursyer në kandidim, ka të bëjë me atë, që ka një konsensus tashmë të krijuar për reformën dhe duan të vazhdojë kjo reformë aty ku ka nisur dhe me atë që ka nisur.

Është më shumë një votbesim që presim të jepet për të konsoliduar fazën e parë të reformës dhe për të hedhur hapat e mëtjeshme sëbashku.

Duke u nisur nga kjo reformë, si e shikoni Akademinë e Shkencave pas 10 vitesh? A do të jetë pararojë e zhvillimeve në vend duke patur parasysh që arsimi dhe shkenca janë thembra e Akilit të një vendi?

Sigurisht. Dhe sot, pavarësisht nga balta që është hedhur dhe është shumë e gabuar, sepse shqetësimi është ku është niveli i kërkimit, që janë krijuar defiçite qoftë nga mungesa e fondeve, qoftë nga ikja e trurit, qoftë nga fakti që institutet ikën nga Akademia e Shkencave.

Një pjesë mbetën të braktisur. Dhe kanë vajtur puthuajse edhe drejt eleminimit. Në vend që të japim alarmin për këtë, i themi Akademisë ç’ke bërë ti për institutet që i hoqëm që aty. Kjo është totalisht e padrejtë. Kudo ka një kritikë të vazhdueshme për menaxhimin. Se ka një administratë, një kryesi dhe me çfarë kam parë, në tërësi kanë dominuar kritikat për funksionimin e përditshëm. Këtu mund të ketë vend gjithmonë për përmirësim.

Kjo nuk ka lidhje fare me baltosjen e Asamblesë dhe me anëtarët e saj. Kushdo të dalë e të shohë gjithë përfaqësuesit këtu, të kujtojë ata që diskriminoi ligjoi, apo ata që janë larguar nga jeta; të tërë ata akademikë kanë lënë një emër mbrapa, një vepër mbrapa. Nëse i përmend emër për emër të gjithë thonë që janë emra të nderuar dhe kontribues të shquar në fushën e vetë. Shumica janë në vendin e duhur dhe përfaqësojnë nivelin më të mirë të arritjeve tona në atë nivel që ka Shqipëria. Nuk i kanë zënë vendin kujt.

Kudo, në çdo zgjedhje ka subjektivizma, ka edhe raste që mes dyve nuk fiton gjithmonë më i merituari. Por kjo është punë vlerësimi, simpatirash personale. Por në esencë, ky është niveli ynë. Gjithë tymnaja ka qenë një farsë. Sepse kam pasur rastin të përmend ish akademikë që nga Çabeji e me radhë, Radovickia, Buda, etj që janë emra legjendë, vazhdojmë me brezninë Popa, Bardhyl Hoxha , Kristo Frashëri, Kolec Topalli, etj, vazhdojmë edhe me të larguarit më së fundi dhe sigurisht që për kërkënd mund të konstatosh vetëm kaq; që kanë 40-50 vjetë aktivitet. Pretendime mund të ketë, por jo të hedhësh baltë.

Do të ndryshojnë kompetencat e kryetarit?

Nuk ndryshon asgjë, sepse nuk ka çfarë ndryshon. Duhet të kuptojmë që Asambleja vetëm një vendim merr për të tretë; zgjedh anëtarët. Pra, jep titullin akademik. Më tej është një organ që organizon vetëm veten, bën votime, harton strategji, bën oponenca, promovime, organizon konferenca, kongrese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë