Mendim

SHBA pro shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari kombëtar i Sigurisë i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, ka deklaruar ditën e sotme se Shtetet e Bashkuara nuk do të kundërshtojnë shkëmbimet territoriale midis Kosovës dhe Serbisë. Në një deklaratë që shënon pa dyshim ndryshimin më të madh të politikës së jashtme amerikane në Ballkan, Bolton u shpreh se Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë për një zgjidhje ” të kënaqshme” për të dyja palët. Deklaratat e këshilltarit të Presidentit Donald Trump erdhën gjatë një konference shtypi në Kiev, ku u pyet nga “Radio Europa e Lirë” se çfarë mendonte për idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj se ka sinjale të reja se të dyja qeveritë mund të jenë të gatshme të negociojnë për këtë- tha Bolton- Qëndrimi ynë, qëndrimi i e SHBA-së është se nëse të dyja palët mund të punojnë mes tyre dhe të arrijnë marrëveshje, atëherë nuk kemi pse përjashtojmë rregullimet territoriale. Nuk na takon neve të vendosim”.

Bolton, një nga kundërshtarët më të mëdhenj të Kosovësprej vites, deklaroi se SHBA-ja nul do të bëhej pengesë për arritjen e një marrëveshjeje të tillë, duke nënvizuar gjithashtu se  nuk mendonte se dikush në Europë do të qëndrojë në mes, nëse të dyja palët arrijnë një marrëveshje të kënaqshme”.

“Ne jemi gati të ndihmojmë, qoftë nga distanca apo nga afër. Por nuk mendojnë se mund ta zgjidhim problemin për ata. Kosova dhe Serbia duhet ta zgjidhin atë vetë- deklaroi Bolton-Çështja e arritjes së stabilitetit në Ballkan është shumë e rëndësishme për ne. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, ka pasur shumë tensione dhe rreziqe. Mirëpo ka pasur edhe zhvillime si marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë. Mosmarrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë. Këto përpjekje kanë dështuar”, ka përfunduar ai.

Këshilltari kombëtar i Sigurisë i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton

Mesazhi i rrezikshëm i Thaçit dhe SHBA-së

Ideja e shkëmbimit të territoreve filloi pikërisht këtë gusht, kur zyrtarë të lartë në Kosovë dhe Serbi treguan gatishmërinë për të marrë në konsideratë ndryshimet kufitare si pjesë e një procesi paqësor që synon fundin e mosmarrëveshjeve mbi pavarësinë e Kosovës.

 Kjo gatishmëri u bë e dukshme kur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sugjeroi se ideja e bashkimit të rajonit më jugor të Luginës së Preshevës me Kosovën duhet të ngrihet gjatë raundit të ardhshëm të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE midis Prishtinës dhe Beogradit. Shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të banorëve të Luginës së Preshevës, si dhe rajoneve të Bujanocit dhe Medvegjas.

Më 6 gusht, Thaçi mbrojti propozimin e tij, duke thënë se ai ishte i hapur për të diskutuar atë që ai e quajti një “korrigjim kufijsh” me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Por presidenti i Kosovës kundërshtoi idenë e ndarjes së territorit të Kosovës përgjatë vijave etnike. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka thënë se propozimi i Thaçit mund të jetë një mundësi për të arritur një kompromis dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vazhdueshme të Beogradit me Kosovën.

Federika Mogerini dhe presidentet Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç

Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit i SHBA thotë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për stabilitetin rajonal. “Tani është koha që partitë të jenë krijuese dhe fleksibile”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, në fillim të gushtit.

Por kritikët paralajmërojnë se e gjithë rajoni i Ballkanit mund të bjerë pre e konflikteve të tjera të hapura. Në një letër të përbashkët dërguar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, më 7 gusht, shumë organizata të shoqërisë civile në Serbi dhe Kosovë paralajmëronin se “ndarja e Kosovës apo shkëmbimi i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë” në bazë të përkatësisë etnike rrezikon të destabilizojë Ballkanin.

“Shpeshherë përmendja e mundësisë së rikthimit të kufijve dërgon një mesazh shumë të rrezikshëm për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, si dhe për të gjithë rajonin, se ka një mundësi reale për të legjitimuar një propagandë të rrezikshme të pronësisë etnike mbi territorin, një parim që ka shtyrë Ballkanin disa herë në disa konflikte të përgjakshme”, shkruanin ata.

Përse ndryshoi SHBA-ja qëndrim

“Ndryshimi i kufijve ishte një temë që diskutua edhe në Uashington nga Ministri i Jashtëm i Serbisë gjatë një takimi me dhëndrin e Presidentit Trump, Jared Kushner dhe këshilltarin e tij, John Bolton. Pas takimit, zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiç deklaroi se “të gjitha kartat ishin hedhur në tryezë, duke përfshirë edhe ndryshimin e kufijve. Pas udhëtimit të tij dy-ditor në SHBA, i cili përfshinte edhe takime me Këshilltarin e Trump për Sigurinë Kombëtare dhe Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Daçiç tha se administrata e re e Shteteve të Bashkuara ishte më e harmonizuar me qëndrimet e Serbisë.

“Administrata e tanishme amerikane është e gatshme të marrë në konsideratë dhe të shqyrtojë në mënyrë të barabartë propozimet tona për zgjidhjen e problemeve në rajon. Një zgjidhje e qëndrueshme për problemin e Kosovës, është padyshim njëra prej tyre”, u shpreh Daçiç. “Ky është një ndryshim i madh në krahasim me vetëm dy vjet më parë, pasi që në të gjitha bisedimet me përfaqësuesit e institucioneve të SHBA-së është pohuar se çështja e Kosovës ishte tashmë e zgjidhur”, tha ai.

Ivica Daçiç dhe John Bolton

Një nga aleatët më të mëdhenj të Serbisë në Uashington është John Bolton, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Presidentit Trump. Ai ishte një nga kundërshtarët e fortë të pavarësisë së Kosovës, në kohën kur ishte Ambasador i SHBA-ve në OKB.  Në vitin 2008 Bolton u shndërrua në zërin më të fuqishëm të skepticizmit ndaj pavarësisë së Kosovës, duke deklaruar se ajo do të ishte një rrezik i madh për stabilitetin  e rajonit dhe se do të përhapte separatizëm kudo në Europë. Dhe në fakt, emërimi i tij u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm nga serbët, të cilët shpresonin se qëndrimi i tij ndaj Kosovës do të zbuste edhe qëndrimin e Presidentit amerikan ndaj Serbisë. Duke parë rezultatet e vizitës së Daçiç në SHBA, mund të aludohet se Bolton nuk ka ndryshuar mendje në lidhje me Kosovën. Por a do të pasqyrohet kjo në politikën e jashtme amerikane?

Një burim diplomatik në Prishtinë sugjeroi se ndryshimi i pozicionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë muajve të fundit, duke favorizuar arritjen e një marrëveshje të shpejtë, edhe nëse ajo do të përfshinte shkëmbimin e territoreve, është nxitur nga shqetësimet e vazhdueshme në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në Ballkan.

Rusia dyshohet se fshihej pas grushtit të shtetit në Malin e Zi dy vjet më parë. Disa javë më parë diplomatët rusë u dëbuan nga Greqia pasi u akuzuan se po përpiqeshin të pengonin arritjen e një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin. Në një intervistë muajin e kaluar, kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha për “BuzzFeed” se qeveria e tij kishte marrë raporte të shumta se rusët po ndërhynin në përpjekje për të minuar referendumin për ndryshimin e emrit. Por pavarësisht nga ndërhyrjet e Rusisë në rajon, ekspertët besojnë se kjo e fundit, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të pranojë qëndrimin e qeverisë serbe mbi Kosovën. Megjithatë, SHBA-ja mund të nxitet të ndryshojë qëndrim edhe për shkak të dështimit të Bashkimit Europian për të arritur rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Bisedimet e ardhshme në shtator do të shënojnë fazën e fundit të negociatave midis Serbisë dhe Kosovës, të cilat deri më tani nuk kanë arritur të zgjidhin thelbin e mosmarrëveshjeve: refuzimin e Serbisë për të njohur sovranitetin e Kosovës.

Burimet: “REL”, “Reuters”, “Foreing Politics”


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë